-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dodik: Serbët e Bosnjës janë ‘të integruar mendërisht’ në Serbi – do të tërhiqemi nga ushtria, policia,…

Më të lexuarat

Serbët e Bosnjës tashmë janë “të integruar mendërisht” në Serbi dhe do të mbështesnin me kënaqësi pavarësinë nga Bosnja.

Kështu ka thënë për AFP, udhëheqësi i tyre politik Milorad Dodik pak përpara një “feste kombëtare” të diskutueshme, përcjell Telegrafi.

Festimet janë planifikuar të martën për të shënuar 32 vjetorin që kur serbët e Bosnjës shpallën një “republikë” të cilësuar si antikushtetuese si nga qeveria qendrore e Bosnjës ashtu edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ne nuk duam të qëndrojmë këtu”, i tha AFP të hënën Dodik, president i Republika Srpska (RS).

Dhe siç vënë në pah mediat, kërcënimet e përsëritura të Dodik për shkëputje kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare.

Që nga lufta e viteve 1992-1995, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete gjysmë të pavarura — Republika Srpska e serbëve të krishterë kryesisht ortodoksë dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e përbërë nga kryesisht boshnjakë myslimanë dhe kryesisht kroatë katolikë.

Të dyja janë të lidhura nga një qeveri jo e fuqishme qendrore, ndërsa në vitet e pasluftës, nën presionin ndërkombëtar, Bosnja formoi një ushtri, plus sisteme të përbashkëta taksash dhe drejtësie.

Ndryshe, Dodik ka kërcënuar me shkëputjen e njësisë së tij që kur filloi të dominojë politikën serbe të Bosnjës në vitin 2006.

Dhe të hënën, ai pretendoi se nuk kishte dyshime se serbët e Bosnjës duan pavarësinë, por për shkak të “kujtimeve ende të freskëta të luftës” hezitojnë të bëjnë këtë veprim, përcjell Telegrafi.

“Nëse në një moment vendimtar do t’u ofrohet një platformë pavarësie, populli do ta mbështeste. Ne jemi të integruar mendërisht me Serbinë. Sigurisht, ne jemi pjesë e Bosnjës tani, por kjo është për shkak se ne duhet të jemi. Kjo nuk është diçka që ne duam”, citohet të ketë thënë Dodik.

Sipas Dodik, më shumë se 80 kompetenca janë transferuar në nivelin qendror dhe serbët e Bosnjës duan që ato të kthehen, duke përfshirë “pronën shtetërore në territorin e republikës”.

“… Ne do t’i tërheqim serbët nga ushtria, policia, institucionet e përbashkëta…”, ka thënë më tej ai.

Dodik vlerëson se “gabimi” i marrëveshjes së paqes të Dejtonit – që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 – ishte qëllimi i saj për të “bërë bashkë palët ndërluftuese për të ruajtur një imagjinatë të quajtur Bosnje dhe Herzegovinë”.

Në vend të kësaj, ai vlerëson se ishte “një moment i shkëlqyer historik për vendosjen e kufijve midis njerëzve dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në Ballkan”.

Të hënën, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i dërgoi një mesazh urimi Dodikut për “festën” e entitetit serb të Bosnjës dhe tha se Beogradi “do të mbetet i përkushtuar ndaj letrës së marrëveshjes së paqes të Dejtonit”.

Megjithatë, ai bëri thirrje gjithashtu për rritjen e lidhjeve kulturore, ekonomike dhe institucionale të Serbisë me Republikën Srpska.

Kërcënimet e Dodik për shkëputje, retorika kundër shtetit qendror, fyerjet ndaj të dërguarit të lartë ndërkombëtar dhe ambasadorit të SHBA në Bosnje – si dhe afërsia e tij me presidentin rus Vladimir Putin – e kanë bërë atë “jo të pëlqyeshëm” të qeverive perëndimore.

Por Dodik, i cili është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë, tha se ishte “krenar” që ishte në gjendje të takonte rregullisht presidentin rus të cilin ai e etiketon një “lider të madh”.

Në “Ditën e Republika Srpska” të vitit të kaluar, Dodik dekoroi Putinin me medaljen më të lartë të nderit të njësisë së tij për “dashurinë dhe shqetësimin patriotik” të liderit rus për RS. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit