-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Acari i lë mijëra njerëz pa rrymë në vendet nordike, Gjermania përballet me vërshime

Më të lexuarat

Acari i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe borë kanë shkaktuar rrëmujë nëpër vendet nordike të enjten, duke i lënë mijëra njerëz pa rrymë dhe shumë të tjerë të ngujuar në veturat e tyre në autostrada.

Ndërkohë, shiu i madh në Gjermani, Francë dhe Holandë, ka shkaktuar përsëri vërshime në rajon, të cilat kanë vazhduar në dy javët e fundit.

Në Francë u raportua për një person të vdekur.

Acari shkaktoi pengesa në transport nëpër vendet e rajonit nordik, ku u raportua për kaos në trafik, si pasojë e mbylljes së pjesëve të autostradave dhe rrugëve kryesore. U raportua po ashtu edhe për telashe në shërbimet hekurudhore.

Një kolonë e kamionëve të ngecur në rrugë në Linderod, në jug të Suedisë, 4 janar 2024.
Një kolonë e kamionëve të ngecur në rrugë në Linderod, në jug të Suedisë, 4 janar 2024.

Rreth 4.000 shtëpi mbetën pa energji elektrike në Suedi, ku temperaturat ranë minus 38 gradë celsius, sipas radios publike të Suedisë. Në pjesët jugore të vendit, shoferët mbetën të ngujuar në automjetet e tyre, ose u evakuuan në një kompleks të afërt sportiv, ku e kaluan natën.

Në Danimarkë, policia u bëri thirrje shoferëve t’i shmangin udhëtimet e panevojshme, pasi era dhe bora kapluan pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Në Lapland, komunë e Enonetekios në Finlandë, pranë kufirit me Norvegjinë dhe Suedinë, u shënua temperatura më e ulët në këtë vend e këtij dimri të enjten, minus 42.5 gradë celsius.

Meteorologët kanë parashikuar temperatura edhe më të ulëta gjatë javës në vazhdim.

Në Gjermani, shiu u madh u rikthye në rajonet të cilat u përballën me vërshime të vazhdueshme gjatë dy javëve të fundit. Kancelari Olaf Scholz planifikoi të enjten ta bëjë vizitën e dytë brenda javës në qytetin jugor, Sangerhausen, në jug të vendit.

Pas disa ditëve reshje shiu, disa qytete në veri të Francës u vërshuan nga uji. Qindra njerëz janë evakuuar në ditët e fundit. Kjo zonë ishte goditur nga vërshimet edhe në nëntor dhe dhjetor.

Një burrë 73-vjeçar u gjet i vdekur në veturën e tij gjysmë të fundosur pranë qytetit Nantes, njoftuan autoritetet franceze. Ai ishte raportuar i zhdukur, pasi ishte larguar nga shtëpia për të blerë bukë dhe nuk ishte kthyer.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit