2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Për një familje 2-anëtarëshe, fatura e rrymës mbi 200 euro

Më të lexuarat

Fatura e rrymës për muajin dhjetor, Shaban Dobratiqit i ka shkuar gati trefish më e lartë se në muajin paraprak.

Nga 78 euro sa ka paguar në nëntor, atij do t’i duhet të paguajë 228 euro për muajin e fundit të vitit.

Arsyen, Dobratiqi – i cili jeton vetëm me bashkëshorten e tij në një lagje të Prishtinës – thotë se nuk e di.

“Banesa është e njëjtë, pajisjet elektrike janë të njëjta. Një ngrohje të vogël e përdor… edhe atë katër orë ditën dhe pas orës 22:00 pak më shumë… Dyshoj se faturimi është paushall. Edhe po të doja, nuk do të kisha mundësi të shpenzoja trefish më shumë”, thotë Dobratiqi, i cili tashmë është ankuar në Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Ngjashëm sikurse atij, Rexhep Kosumit – po ashtu nga Prishtina – fatura e rrymës i ka shkuar me rritje të pashpjegueshme: nga 257 euro për nëntor në 511 euro për dhjetor.

Ai tregon se përdor pajisje elektrike për të ngrohur shtëpinë për familjen e tij 5-anëterëshe.

Mëngjesin e së mërkurës është ankuar, po ashtu, në KESCO.

“Më thanë se i ke shpenzuar të gjitha dhe duhet ta paguaj faturën. Unë nuk e bëra pagesën sot, se po pres ta marr pensionin dhe ta paguaj pjesë-pjesë. Kjo është e papërballueshme”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.

Ditëve të fundit, ankesa të ngjashme nëpër rrjetet sociale kanë bërë qytetarë të shumtë, duke shprehur dyshime për rritjen e çmimit të rrymës.

KESCO e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se faturat e muajit dhjetor janë pasojë e shpenzimit më të madh të rrymës.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për këtë.

Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “Evroenergie”, e cila merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe të Gjermanisë, dyshon se ka keqpërdorime nga kompania shpërndarëse dhe furnizuese e rrymës.

Ai thotë se KESCO-n, që është privatizuar në vitin 2013, nuk e monitoron askush dhe nuk është transparente.

“Në bazë të ankesave të qytetarëve, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një komision profesional të vlerësimit për të vërtetuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Dhe, në mënyrë profesionale të sqarohet dhe të dihet se kush është fajtor”, thotë Malushaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, duhet të shikohet edhe sasia e prodhimit dhe importit të rrymës, në mënyrë që të vërtetohet nëse ka pasur më shumë konsum të energjisë elektrike ose jo.

Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në KESCO në lidhje me shtrenjtimin e faturave dhe sasinë e energjisë së prodhuar në nëntor dhe dhjetor, por nuk mori asnjë përgjigje.

Për këtë çështje, REL-it nuk iu përgjigj as Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Përmes një reagimi publik, më 26 dhjetor, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kërkoi hetime urgjente nga Prokuroria e Shtetit për, siç tha, “faturat jonormale” të rrymës.

As Prokuroria, as Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të ndërmarrin ndonjë veprim.

Cilat janë çmimet e rrymës?

Sipas tarifave të fundit, të miratuara në muajin prill nga ZRRE-ja, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Çmimet kanë nisur të marrin hov në fillim të vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar deri në muajin prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer së paku 5 për qind të rrymës në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Në gusht, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, i cili merret me çështje energjetike, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë me subvencionimin e qytetarëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas KESCO-s, mungesa e subvencionimit është një ndër arsyet përse qytetarët vërejnë rritje të faturave.

Cilat janë kapacitetet e Kosovës?

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës, të publikuara në muajin nëntor, tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike gjatë muajit shtator të këtij viti ka rënë në krahasim me rrymën e prodhuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.

Vitin e kaluar, sipas një raportimi të mëhershëm të ZRRE-së, janë importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavate.

Sipas ASK-së, këtë vit, deri në shtator, janë importuar mbi 246 mijë megavate.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit