Kryeimami Sahiti, mori pjesë në Konferencën e parë të Këshillit Evropian të Kuranit
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në Konferencën e parë të Këshillit Evropian të Kuranit, e cila u mbajt në Stamboll të Turqisë, nga data 22 deri më 25 dhjetor 2023.
Kryeimami Sahiti në kumtesën e tij kishte në fokus rolin e institucioneve edukativo-arsimore të Bashkësisë Islame të Kosovës në shërbim të Kuranit, duke filluar nga institucionet joformale të mektebit, ku zhvillohet mësim-besimi, e që në qendër ka mësimin e Kuranit, pastaj Medresetë e hifzit, për të vazhduar pastaj me medresetë e mesme “Alauddin” e deri te institucionet e arsimit të lartë islam, Fakulteti i Studimeve Islame.
Kryeimami mes të tjerash theksoi se mësimi i leximit të Kuranit, bukur-leximit, rregullave të texhvidit, nxënies së Kuranit përmendsh, e mbi të gjitha kuptimi dhe interpretimi i drejtë i Kuranit ka qenë gjithmonë prioritet i parë i institucioneve fetaro-arsimore të Bashkësisë Islame ndër shekuj.
Në ketë Konferencë morën pjesë mbi 52 delegacione nga qendra, akademi dhe institucione fetaro-arsimore nga vende të ndryshme të Evropës, si dhe nga Turqia dhe disa shtete të Lindjes së Mesme. Kryesues i kësaj Konference ishte dijetari i njohur i Kiraeteve dhe shkencave Kuranore, prof. dr. Ejmen Suvejd.