1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Muslimanët dhe tjerët – Justinian Topulli

Më të lexuarat



Realiteti virtual i rrjeteve sociale tashmë është bërë pjesë e jetës reale të njeriut, duke mbartur në të dyja drejtimet realitete dhe ngjarje. Por pavarësisht kësaj të vërtete, njerëzit flasin dhe sillen në këtë realitet virtual shumë më ndryshe sesa në jetën reale të përditshme, ku komunikimi ndërmjet njerëzve është fizik dhe nuk bëhet me ndërmjetës teknikë në distancë.

Realiteti kibernetikë e bën njeriun shumë më të shpenguar në fjalë dhe reagime, e për rrjedhojë shumë më teorik e më pak praktikë, aq sa ka njerëz që në jetën reale janë diametralisht të kundërt në sjellje me njerëzit, në dallim me atë që ata shfaqin në botën e internetit.

Kjo e vërtetë shfaqet edhe në marrëdhëniet mes muslimanëve dhe të krishterëve në këtë vend, por jo vetëm mes tyre. Në jetën e kontaktit të përditshëm shqiptarët muslimanë dhe të krishterë nuk i sheh të kacafyten dhe shahen për shkak të fesë dhe as të luftojnë mes tyre, siç bën vaki ndonjë herë t’i shohësh nëpër rrjetet sociale. Por as të theksojnë e ritheksojnë ndarjen që kanë mes tyre, për shkak të besimit, çka tregon se komunikimi virtual i bën njerëzit më pak realist dhe jo me këmbë në tokë. Dhe sigurisht që këtu hynë si tendenca për të eliminuar çdo dallim mes këtyre besimeve ashtu edhe prirja për të mbi theksuar edhe dallimet më periferike, ndërkohë që në përditshmërinë fizike të njerëzve kjo gjë nuk ndodh.

Sigurisht që mes nesh si muslimanë dhe të krishterëve ka pika të rëndësishme të përbashkëta besimi, por ka edhe pika ndarje dhe dallime mjaft të rëndësishme dhe të qenësishme, të cilat nuk mund të injorohen dhe kapërcehen lehtësisht, sepse lidhen me thelbin e doktrinës së të dyja besimeve. Por pavarësisht këtyre dallimeve fetare, ne si muslimanë jemi të urdhëruar që në këtë botë të sillemi mirë dhe paqësisht dhe me mirësi me të gjithë ata që sillen me ne në këtë mënyrë, sidomos me të krishterët dhe jehudët, apo ndryshe “ithtarët e Librit” (ehli kitab), në dallim me ata që janë armiqësorë, dashakeqës, intrigantë dhe besëprerë.

I Dërguari i Allahut kur emigroi në Medinë, bëri një marrëveshje bashkëjetese me fiset jehude atje dhe kur ata e tradhtuan atë dhe shkelën këtë marrëveshje, ai i dëboi prej saj. Por ndërkohë në Medinë mbetën jehudë të tjerë, dhe siç e dimë Profeti i Zotit ndërroi jetë ndërkohë që mburojën e tij e kishte lënë peng pagese tek njëri prej këtyre jehudëve, çka do të thotë qartë se sjellja ndaj individëve të një besimi fetar, prej ithtarëve të Librit, bazohet edhe tek sjellja e tyre individuale, ndaj askush nuk mund të mbart fajin dhe krimin e tjetrit, qofshin edhe të të njëjtit besim.

Shpallja e Zotit, qoftë ajo kuranore qoftë ajo në trajtën e fjalëve profetike, është e lidhur ngushtë me jetën njerëzore dhe me rrethanat historike nëpër të cilat kjo shpallje zbriti. Jo më kot dhe jo rastësisht Kurani dhe vahji zbriti për njëzetetre vjet me radhë, pikërisht për t’iu përshtatur kohës, vendit dhe rrethanave me të cilat muslimanët përballeshin. Ndërkohë ky Kuran është i përjetshëm dhe i vlefshëm për muslimanët në çdo kohë dhe vend, pikërisht edhe për shkak të këtij tipari të larmishëm që e karakterizon.

Kjo do të thotë se në shpalljen e Zotit, nuk ka dhe nuk gjen kontradikta, por dispozita të ndryshme për rrethana, vende dhe kohë të ndryshme, që i përshtaten besimtarit në çdo vend dhe kohë. Fakti që Zoti me urtësinë dhe dijen e Tij të pafundme, në mënyrë të qëllimshme e zbriti Kuranin dhe e vendosi Profetin në situata nga më ndryshmet dhe shpesh më ekstremet, që nga dobësia dhe vuajtjet e tejskajshme në Mekë deri tek ngadhënjimi mbi mbarë gadishullin arabik, tregon qartësisht se kjo fe e ka të gatshëm manualin jetik për muslimanin, në çfarëdo rrethanash që ai të jetojë në të ardhmen.

Nisur nga kjo e vërtetë e pa shfuqizuar, muslimanët duhet të rikujtojnë sesi shpallja i trajton ithtarët e Librit në momente dhe vende të caktuara, dhe si vetë i Dërguari i Allahut sillej me ta kur ndodhej në Mekë, e më pas në Medinë në fillim dhe në fund.

Kush thellohet në kuptimin e shpalljes, shkaqeve të zbritjes së Kuranit dhe jetës së Profetit, e kupton qartë dhe mirë pse ka ndodhur ky ndryshim, që është i lidhur katërçipërisht me ndryshimin e rrethanave, vendeve dhe individëve dhe duke qenë se këto elementë njerëzorë janë të përsëritshëm në vende dhe kohë të ndryshme, dhe duke qenë se edhe Kurani është udhërrëfyesi ynë i përjetshëm, atëherë është e pashmangshme që ajetet e Kuranit dhe jeta e Profetit që i korrespondojnë një vendi dhe rrethane të ngjashme apo të përafërt me tonën, duhet të jenë burim ndriçimi parësor për ne, pa u ngatërruar me ajete dhe hadithe që i përkasin momenteve të rrethanave krejt të ndryshme.

Të njohësh Kuranin dhe Sunetin, nuk do të thotë vetëm t’i recitosh ato përmendësh, por mbi të gjitha të kesh fikhun për t’i kuptuar dhe zbritur ato në realitetin e duhur, që i përshtatet më shumë atyre. Nuk mundet që ajetet e luftës dhe hadithet paralajmëruese, t’i vendosësh në një kohë paqe dhe dobësie, dhe as e kundërta. Po kështu as ajetet dhe hadithet e armiqësisë t’i aplikosh mbi individë, grupe dhe vende krejt të ndryshme nga ata për të cilët ato kanë ardhur, duke u mjaftuar me faktin se i përkasin të njëjtit besim, por as edhe kundërta.

Të kapurit e fortë pas fesë nuk konsiston në kapjen pas vetëm një grupi ajetesh dhe hadithesh dhe lënien e ajeteve dhe haditheve të tjera, por kapjen pas të gjithave, sipas rastit dhe vendit që i përkasin. Ndjekja e Kuranit dhe Sunetit, edhe në marrëdhënie me të tjerët, bazohet pikërisht në ndjekjen e vërtetë të tyre, dhe ndjekja e vërtetë e Kuranit dhe Sunetit ndjek pikërisht parimin e ndjekjes objektive të të gjithë shpalljes, pa dallim. Dallimin e bën po vetë shpallja, përmes kohës vendit dhe rrethanave apo individëve për të cilat ajo erdhi.

Aplikimi i ajeteve dhe haditheve, në një realitet të caktuar, pa marrë parasysh fikhun e tyre të zbritjes si dhe të realitetit ku jetojmë, jo vetëm shkakton largim kuptimor nga tërësia dhe thelbi i vetë shpalljes, por krijon edhe divergjenca në gjirin e vetë bashkësisë së muslimanëve, ku secili po në emër të shpalljes i kundërvihet palës tjetër. Kjo në fakt është edhe një nga shkaqet madhore të përçarjes mes vetë muslimanëve.

Sigurisht që interneti dhe rrjetet sociale janë podium dhe mimber për çdo njeri, të ditur e të paditur dhe gjysmë të ditur, dhe në kakofoninë që shkaktohet mes tyre, ajo që humbet më së shumti është e vërteta, objektivja dhe e mesmja e drejtë.

Virtualiteti kibernetik ka dëshmuar se është shtrat i kultivimit të ekstremeve dhe padijes, sidomos edhe për shkak të vetëpëlqimit që ai ushqen.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit