3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Zgjerimi i NATO-s në Ballkan “do ta ndalte” pan-serbizmin

Më të lexuarat

Fitorja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është negative dhe e rrezikshme, në radhë të parë për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe të Malit të Zi dhe Kosovës, sepse ai, përmes aleatëve të tij në këto vende, do ta prezantojë veten dhe Serbinë si lojtarë të vetos në rajon, thotë analisti nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, për Radion Evropa e Lirë. Dhe këta aleatë ishin pranë tij në natën kur ai shpalli fitoren në zgjedhje.

Millorad Dodik nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Andrija Mandiq nga Mali i Zi ishin në skenë më 17 dhjetor, kur Vuçiq tha se Partia e tij Përparimtare Serbe i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Të dy ata janë zyrtarë të lartë të vendeve të tjera – Dodik është president i ‘Republikës Srpska’ në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Mandiq është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Pikërisht përmes tyre, Serbia do të përpiqet të ndikojë në politikën e fqinjëve të saj, thotë Vujoviq.

“Këtu e kam fjalën për partinë e Mandiqit, veprimet e Dodikut, por edhe për Listën Serbe në Kosovë. Prandaj, Serbia do të paraqitet si një lojtare e vetos, e cila nëse nuk mund ta kontrollojë dhe menaxhojë procesin e integrimit evropian, mund ta bllokojë atë. Është shumë e rrezikshme për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën”, thotë Vujoviq.

Dodik është udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mandiq është udhëheqës i Frontit Demokratik pro-rus, i shpërbërë së voni, dhe me vite ka bërë thirrje për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Ai, po ashtu, e kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO.

Burim Ramadani, ekspert i sigurisë dhe ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, thotë se anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës në NATO, do t’i kufizonte tendencat negative të Serbisë në rajon, e cila, siç shprehet, vazhdon ta promovojë panserbizmin [v.j. ideologjinë e ‘Serbisë së Madhe’] dhe ta kërcënojë qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.

“Shfrytëzimi i votuesve” nga rajoni për ta forcuar botën serbe

Në kuadër të mbështetjes për serbët jashtë Serbisë, Beogradi zyrtar përkrah politikisht dhe financiarisht forcat e Dodikut dhe ato të Mandiqit.

Por, Vujoviq thotë se bashkëpunimi i Vuçiqit me Mandiqin dhe Dodikun mund të përfshijë edhe mënyra të tjera ndihme, përveç këtyre.

Ai thotë se rreziku më i madh është shfrytëzimi i votuesve nga vendet tjera për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në vendin ku mbahen – gjë që ndodhi në zgjedhjet e fundit në Serbi.

Ky fenomen, sipas Vujoviqit, nuk është i ri. Në disa palë zgjedhje të fundit në Mal të Zi kanë votuar votues të saporegjistruar nga Bosnje dhe Hercegovina, përkatësisht nga ‘Republika Srpska’ duke ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

“E njëjta gjë është edhe në Serbi. Tashmë në disa zgjedhje, një numër i madh i votuesve nga ‘Republika Srpska’, veriu i Kosovës dhe Mali i Zi shkojnë në Serbi, e regjistrojnë vendbanimin e tyre ilegalisht dhe pastaj marrin pjesë edhe në zgjedhjet lokale në Beograd, të cilat janë shumë të rëndësishme”, thotë Vujoviq.

Sipas tij, bëhet fjalë për “marrje me qira të dyanshme” të votuesve.

“Nga Serbia dhe Bosnja vijnë në Mal të Zi për të votuar, nga Mali i Zi, Kosova dhe Republika Sërpska shkojnë për të votuar në Beograd. Kjo është shumë destabilizuese për rajonin”, thotë Vujoviq.

Ai beson në pretendimet se Mandiq dhe Dodik janë angazhuar për dërgimin e votuesve nga Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina në Serbi.

“Duke i nxjerrë ata pranë vetës kur ka shpallur fitoren, ai ka treguar respekt për ta dhe mirënjohje për kontributin e tyre në rezultatin zgjedhor. Ata kanë sjellë votues në Serbi ose i kanë mobilizuar ata në vendet e tyre për të votuar në misionet diplomatike serbe”, thotë Vujoviq.

Ai, po ashtu, beson se Vuçiq, përveç partitë nga Fronti Demokratik, kontrollon edhe pothuajse të gjithë shumicën parlamentare në Mal të Zi.

Kjo shumicë e ka zgjedhur Qeverinë e Millojko Spajiqit në fund të tetorit të këtij viti. Gjatë negociatave, Vuçiq ka thënë se “Serbia është e interesuar vetëm për të drejtat e 30 për qind të serbëve që jetojnë në Mal të Zi”.

Edhe pse mohon se Beogradi është duke ndërhyrë në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi, Vuçiq vazhdimisht ka folur për rëndësinë e këtij procesi për të përcaktuar numrin e saktë të serbëve në Mal të Zi.

Anëtarësimi në NATO, zgjidhje për Kosovën dhe Bosnjën

Ish-drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet në Serbi kanë treguar se “rrjeti nacionalist” në këtë vend “vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe” dhe si i tillë “ka marrë edhe mbështetjen e udhëheqësve serbë në vendet e tjera, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi”.

“Nëse shikojmë se si [partitë në Serbi] e kanë bërë fushatën zgjedhore, atëherë vëmë re se bëhet fjalë për panserbizëm. Udhëheqja aktuale, e cila tashmë edhe është konfirmuar, promovon panserbizmin dhe kështu kërcënon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor”, thotë Ramadani.

Ai shton se panserbizmi, i cili në të kaluarën kishte edhe emra të tjerë, si ‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Bota serbe’, tani mund të kalojë në ‘konfederatë të territoreve serbe’, e cila është gjithashtu një lloj kërcënimi për Ballkanin Perëndimor.

Ramadani thotë se një ideologji e tillë mund të ndalet vetëm me zgjerimin dhe praninë e mëtejshme të NATO-s në rajon, si dhe me ndëshkimin e drejtpërdrejtë të udhëheqjes së Serbisë, e cila promovon ideologji të ekstremizmit dhe nacionalizmit.

“Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina duhet t’i bashkohen NATO-s me hapa të përshpejtuar dhe, në të njëjtën kohë, Serbia duhet ta marrë dënimin e merituar nëse vazhdon të promovojë ideologji nacionaliste të panserbizmit, qoftë duke futur në listën e zezë individë të saj, qoftë duke e hequr atë nga [programi i NATO-s] Partneriteti për Paqe, për fillim”, thotë Ramadani.

Ai shton se bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht NATO-ja, është e vetëdijshme për ngjarjet në rajon dhe është i bindur se Serbia nuk do ta ndryshojë ideologjinë e saj aktuale.

“Kështu që NATO-ja do të detyrohet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu ta ndëshkojë udhëheqjen serbe”, thotë eksperti i sigurisë.

NATO-ja ka nisur ta forcojë praninë e saj në Ballkan, duke dërguar forca shtesë në Kosovë, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Sitarski: Ndikimi i Vuçiqit në Banja Llukë është dobësuar

Fakti që Dodik dhe Mandiq ishin në podium pranë Vuçiqit, Millan Sitarski, nga Instituti për Kërkime Sociale-Politike në Mostar, thotë se është përpjekje e tyre për të tërhequr një pjesë të kapitalit politik të presidentit të Serbisë.

“Marrë parasysh se ai është president i Serbisë, ka mbështetjen që e ka dhe ka 11 vjet që është në pushtet, ata shohin në këtë arsye për ta transferuar një pjesë të kapitalit të tij simbolik te vetja e tyre”, thotë Sitarski.

Sipas tij, prania e Dodikut pranë Vuçiqit tregon gjithashtu se ata i kanë përmirësuar marrëdhëniet, të cilat janë ftohur para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë në tetor të vitit 2022, kur Vuçiq ka refuzuar ta mbështesë Dodikun dhe ka mbështetur kundërshtarët e tij.

Pavarësisht kësaj, Dodik është zgjedhur president i ‘Republikës Srpska’.

Nisur nga kjo, Sitarski beson se ndikimi i Vuçiqit në ‘Republikën Srpska’ është më shumë simbolik sesa efektiv – pra, ai “nuk ka arritur që pushtetin dhe ndikimin konkret që ka në Serbi, ta transferojë përtej Drinës”.

“Vuçiq, sigurisht, mund të ndikojë te një pjesë e qytetarëve të Republikës Sërpska. Ai ka bërë përpjekje që edhe në ‘Republikën Srpska’ të veprojë si lojtar i pavarur politik, duke themeluar Partinë Përparimtare Serbe (SNS), si ekskluzivitet të SNS-së serbe…”, thotë Sitarski për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Dodik ka qenë i pari që është zbutur pas ftohjes politike të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Banja Llukës, duke kujtuar se, në maj të këtij viti.

Dodik ka mbështetur publikisht Vuçiqin në një tubim në Beograd.

Në atë kohë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e Beogradit, të pakënaqur me reagimin e autoriteteve pas dy vrasjeve masive në Serbi, në muajin maj.

Sitarski beson se ka një rivalitet mes Dodikut dhe Vuçiqit. Megjithatë, mes tyre ka edhe ngjashmëri, si qëndrimi ndaj Kosovës, mospranimi i sanksioneve kundër Rusisë dhe afërsia me Kishën Ortodokse Serbe.

Vuçiq dhe Dodik kanë, po ashtu, marrëdhënie të mira me Moskën zyrtare. Dodik është takuar intensivisht me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë dy vjetëve të fundit.

Prej vitesh, ai pretendon se Bosnje dhe Hercegovina nuk është shtet funksional dhe se serbët atje janë të kërcënuar. Ai ka paralajmëruar, po ashtu, shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Dodik është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për “minimin e legjitimitetit dhe paqes së fituar me vështirësi” në Bosnje dhe Hercegovinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit