3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

RRUGA – Fatmir Baçi

Më të lexuarat

RRUGA – Fatmir Baçi

Nuk jam ndonjë udhëtar kushedi se çfarë, por në ato pak që kam kaluar, rruga më ka mundësuar të njoh shtegtarë të vërtetë, të mëdhenj, që në këto rreshta asesi s’do të mundem t’i paraqes, qoftë kjo një takim ose ndarje e thjeshtë me ta, apo sikur edhe vetëm një shtrëngim dore. Në fakt, as që jam nisur të flas për emra të përveçëm, pasi miqtë në asnjë rrethanë nuk dëshëroj t’i kem personazhe, dhe tjetra, më e rëndësishmja, jo vetëm që e shikoj si të pamundur rrugën deri tek “Ai”, tek tjetri, por dhe vetë përemri duket se e përjashton diçka të tillë. Vini re sa domethënëse; “A, i …!?” është një pyetësor habitor që, në fakt, më shumë se sa konfirmon praninë e dikujt “Atje”, vetëm vë në dyshim mundësinë tënde për të qenë edhe ti në të njëjtin vend. Duke shmangur këtu një analizë të mëtejshme, vetëm sa parashtrova një hipotezë personale, që thelbi i përemrit në fjalë është ndoshta përkim i rastit, por mjaft i qëlluar me atë, se rruga për tek ai tjetri është e pamundur, e pa arritshme, dhe respektivisht larg mundësive të gjithsekujt për të pasqyruar një botëkuptim që nuk i përket dhe nuk është i tiji.

E vërteta është se në rrugë kam takuar edhe udhëtarë të vegjël, cingunë, e po deshët, edhe nga më të dalluarit në ligësi. Menjëherë më duhet të them, se as këta të fundit nuk janë objekt i kësaj teme, edhe pse nuk do më vinte aspak turp po t’i përdor si personazhe, e as mendoj se është i vështirë rrugëtimi për deri atje ku janë. Arsyetimi më i thjeshtë për këtë kategori rrugëtarësh, në rastin më të mirë, na tërheq vëmëndjen për atë se, dija fillon tek harmonia e njeriut me ndalesat e vendosura për të bërë pikërisht njeriun, dhe sidomos dallimin e tij nga frymorët e tjerë. Kundërvënia ndaj ndalesës me apo pa dashje, nuk mundet më të jetë “Ai” tjetri, por vetëm një padije e thellë apo arrogancë pa vetvete, e inkuadruar kjo në turmë, me fare pak ndryshim dhe akoma më pak përpjekje për të bërë distancimin e njeriut nga kafsha. Pikërisht për këtë, kjo kategori rrugëtarësh na bën të paktën që të ndjehemi larg (kur gjithçka tjetër nga ana jonë në raportet me ta ka rezultuar e pamundur), madje dhe shumë më keq se kaq, distancimin shpesh e bëjnë vetë ata, bile ashpër dhe prerë, dhe vetëm e vetëm se preferuam të jemi ndryshe, tjetër fare nga mendësia e tyre ekstremisht kolektive, sikundër jemi ndryshe edhe nga personalizmi i ekstremizuar i tyre.

Rruga dhe rrugëtimi i mësojnë njeriut se brenda tij ka dhe skuta të errëta që e joshin në ndërmarrje të tilla ku marrdhëniet bëhen të njëanshme apo me përfitim të njëanshëm. Në këto rrethana dëmi i shkaktuar dhe çdëmtimi i tij, nuk qëndrojnë në ekuilibret e mirkuptimit dhe për pasojë njëra anë rrëmben nga liria e tjetrës kohën, nderin, pasurinë, apo edhe jetën. Me fjalë të tjera, nxitimi, vesi dhe krimi janë në fakt vetëm situata brënda nesh (pa të cilat s’do qe e mundur të konfirmonim lirinë e zgjedhjes që bëjmë), nga ndalesa prej të cilave, bëhet e mundur që në botë të ketë udhëtarë të mëdhenj, të vërtetë.

Pra secili veç e veç, madje dhe të gjithe bashkë e dimë, se këto tre ngasje janë aty, fare pranë vëmëndjes apo pavëmëndjes tonë dhe kërkojnë së pari; (nxitimi) të shkurtojë rrugëtimin për deri te qëllimi, duke prishur kështu një zinxhir të tërë hallkash të natyrshme në lidhje me veten apo me të tjerët; ose (vesi) qëllimet cektësisht aktive i bën të lidhen me të përditshmen tunduese të epsheve pa kursyer askënd në të gjitha nivelet e kumtimit të kësaj fjale; dhe më keq akoma (krimi) kur qëllimi i qetësisë vetjake shikohet te fatkeqësia e të tjerëve, në të gjitha nivelet që nga individi e deri te grupi. Theksoj se secila prej situatave të lartpërmendura gjeneron domosdoshmërisht edhe dy të tjerat, që do të thotë këtu, se veprimi me çdo njerën prej tyre të çon larg në udhëtimin tënd, shumë larg, por për të mos arritur kurrë atje ku do, përveç nëse qëllimi jetës është shkatërrimi i vetes.

Si një nga lidhjet me problematikën e temës, do përpiqem të tregoj se ka një institucion që legjitimon edhe nxitimin, edhe vesin, edhe krimin, dhe jo vetëm kaq, por secili prej tyre nuk do të mund të qe veçse aksident pa mbrojtjen dhe strehimin në fjalë. Meqenëse të tre këto shëmti, siç theksuam më lart, kërkojnë pikësëpari përmbysjen e realitetit në favor të një renditje të re, veçse jo përmes mjeteve të pastra të natyrshmërisë, vetvetiu edhe teoria që mbështet këto praktika është gjithashtu paraqitja e përmbysur e parimeve të natyrshme në gjykimin e saj për sendet dhe ngjarjet. Pra, as nxitimi, as vesi dhe as krimi nuk do të ishte e mundur të organizoheshin nëpër disiplina praktike të pa shoqëruara domosdoshmërisht me gënjeshtrën. Qoftë në fazën e pregatitjes, qoftë gjatë zhvillimit të aktit dhe sidomos pas kryerjes së tij, gënjeshtra është jo vetëm shoqëruese dhe mbrojtëse, por edhe garancia teorike për mbështetjen e projekteve të ardhmërisë së aktit, pavarësisht se për cilin akt bëhet fjalë, nxitimin, vesin, krimin apo edhe të tre këto të marra sëbashku. Për rregullimin e marrdhënieve ndërmjet individit me individët e tjerë, individit me bashkësinë dhe bashkësisë me bashkësitë e tjera, gjithmonë dhe kudo ka një ligj të shkruar i cili edhe kur nuk është në harmoni të plotë me të natyrshmen universale të njeriut, minimalisht vihet në mbrojtje të njërës apo në mbrojtje të disave syresh prej veçorive njerëzore. Pra, shkelësi edhe i këtij ligji minimal i duhet të përputhë disa alibi (të gënjejë) vetëm që të fshehë të vërtetën për të mos qenë i ndëshkuar apo më keq akoma për të qenë i shpërblyer. Shkurt, gënjeshtra është mbrojtja teorike e aktit të atij që i rrëmbeu kohën dikujt tjetër, pasurinë e tij, nderin e tij apo edhe jetën.

* * *

Gjithmonë është i mundimshëm ai rrugëtim, kur njeriu e di se ku duhet të arrijë. Askush nuk mund të jetë i penguar nëse ai vetë nuk e di se për ku është nisur, dhe kuptohet se pengesa që vendoset për raste si ky, rezulton jo funksionale, në mos dhe qesharake edhe për vetë të penguarin. Krejt e kundërta ndodh kur njeriu e di se ku është vendmbërritja që ai synon, vështruar kjo qoftë në perspektivën e afërt të rrugëtimit, në korrnizat e treguara të jetës, apo qoftë kjo në perspektivën më të largët në korrnizat e besimit dhe shpresës në lidhje me përjetësinë. Me fjalë të tjera, lehtësia e rrugës së përcaktuar qartë shoqërohet me vështirësimin e rrugëtimit, ndërsa lehtësia e rrugëtimit të papërcaktuar shoqërohet me vështirësinë e përcaktimit të synimeve dhe drejtimit përgjegjës për to. Pra, nëse ai që e di se ku duhet të shkojë pengohet, pengesa shërben si argument për të vërtetuar rregullin që ndjek dhe vetëm sa e përforcon vendimin në rrugëtimin e nisur. Ndërsa nga ana tjetër, nëse ai që nuk e di se ku duhet të shkojë pengohet, pengesa bëhet vetë rregulli që shërben për të ndryshuar drejtimin e rrugëtimit të nisur, duke braktisur kështu një emergjencë për një emergjencë tjetër. Me fjalë të tjera, tek i pari, rregulli shmang spontanen për të ruajtur drejtimin dhe të gjitha synimet që lidhen me të, tek i dyti spontania shmang rregullin për të ndryshuar drejtimin duke rrënuar edhe grimcën e fundit të synimit. Tek i pari ndodh angazhimi, përqëndrimi dhe disiplina e energjive vetiake për të qenë në suazat e rregullit, duke vendosur dinamikën nën vëzhgimin e disiplinës me synim të përhershmen. Tek i dyti ndodh shpenzimi pa kriter i energjive për të gjykuar braktisjen e fundit dhe për të zgjidhur dilemën në drejtimin që pason, duke ndërtuar të përkohshmen pa disiplinë, praktikisht rrëmujshëm.

Pa dyshim se në të dy rastet ka ndërthurje të rregullit me spontanen, veçse përparësitë e njërit apo tjetrit ndaj tyre, në mënyrën sesi i përftojnë dhe zhvillojnë janë krejtësisht të ndryshme. Veçojmë këtu se rregulli dhe spontania, janë jo vetëm të domosdoshme për të qenë të pranishme njëkohshëm në çdo lëvizje të njeriut (pavarësisht se për cilën nga situatat e mësipërme bëhet fjalë), por na duhet të pranojmë se mungesa e njërës apo tjetrës krijon premisa serioze për shkarje të mëdha dhe të frikshme, si për individin ashtu edhe për bashkësinë.

Spontania në mungesë të rregullit kthehet në kujtesë të paqëndrueshme të së tashmes pa të ardhme, e cila shpejt apo ngadalë bëhet shteg rrugëtimi për nga mitizimi i pashmangshëm (gjithashtu i paqëndrueshëm në kohë e hapësirë), në varësi të plotë nga ngjarjet dhe vendngjarjet gjithmonë në ndryshim. Shpresa dhe besimi, si mjetet e vetme me të cilat shërbehet e ardhmja, vetvetiu degradojnë në bindje dhe nënshtrim ndaj autoritetit të forcës si mjeti i së tashmes, i cili autoritet nga ana e tij vepron vetëm deri atje ku një autoritet i ngjashëm apo i ndryshëm bëhet pengesë për më tej. Rezultati i praktikës në fjalë është ose arroganca ekstreme, ose skllavëria më e ulët, ose të dyja bashkë, ose pastaj, gjendjet psiqike krejtësisht e papërgjegjshme. Sanksionet morale dhe rrjedhimet e tyre që rregullojnë marrëdhëniet e njeriut, në një terren si ky nuk kanë as kuptim, e aq më pak arsye të qëndrueshme për të qenë të pranuara e as mund të jenë të pranishme në lidhje me rrugëtimin e mëtejshëm. Pra, spontania nuk mund të jetë e zbatueshme pa një minimum rregulli, pasi do rrënonte të gjitha marrdhëniet e mundshme dhe do prodhonte kaosin më të ashpër që mund të mendohet, atë të mbijetesës së ngutshme të individit pa bashkësi.

Nga ana tjetër, rregulli në mungesë të spontanes bën që kujtesa të jetë kujtesë grupi pa individualitet, ku mitizohet dhe adhurohet rregulli, dhe e tashmja këtu nuk merr në konsideratë asnjë ide apo rrethanë interpretimi dhe zhvillimi të mendimit, pavarësisht në është apo jo derivat i vetë rregullit. Bashkësia nuk ka individë dhe merr pamjen e një rrethi të mbyllur ku ngjarjet vetëm riciklohen (të paktën në dukje), dhe gjithçka që lidhet me të ardhmen është e plogësht në mendësinë e secilit (pasi e ardhmja i përket dikujt tjetër ta mendojë), ose është mjaft larg të tashmes edhe kur besimi për të është pjesë e rregullit.

Ky lloj ishulli prodhon uniformitet në të gjithë hallkat e shoqërisë dhe pa asnjë mëdyshje ruhet me mjetet më të ashpra që sajon mendja e prishur e njeriut. Bashkësia bëhet makinë, ndërsa njerëzit janë pjesët funksionale të kësaj makine. Pikërisht për këtë, kjo bashkësi nuk mund të rrugëtojë gjatë në kohë dhe as mund të zgjerohet në hapësirë, jo vetëm për atë se nuk është lënë terreni i nevojshëm për spontanen, dhe kësisoj, rrugëtimi na shfaqet mjaft i dendur dhe stresues në të gjitha hallkat shoqëruese, por edhe për faktin se ky lloj rrugëtimi, ngaqë bart rregull të përcaktuar saktë, rrjedhimimisht pengesat i vendosen më lehtë, sesa në rastin kur kaosi ka pushtuar një pjesë të konsiderueshme në jetën e individid dhe bashkësisë.

Rregulli në vetvete është i ftohtë, i saktë dhe pa gabime, që nga përshkrimi i hapit të parë, e deri në trokitjen e fundit kur udhëtimi shënon ngrirjen, ndërkohë që zbatuesi i këtij rregulli është me gjak të nxehtë, me një mori pasionesh e dëshirash dhe me mundësi të njëpasnjëshme për të gabuar. Për të zbutur disi këto diferenca ndërmjet rregullit dhe gabimit, njeriut i duhet që herë pas here, e tëra, të jetë e ndarë në dy pjesë, ku njëra nuk druhet nga zbulesa, përkundrazi, dhe tjetra të fshihet në njëmijë e një çelësa. Pra, të paraqesë veten me atë që ai e mendon të moralshme e dinjitoze dhe të mbulojë atë që nuk përkon me bindjet dhe vështrimet e tij për botën, e lidhur kjo mjaft ngushtë me principet e pranuara edhe prej bashkësisë ku do paraqitet.

Haptas, jemi përpara një përzgjedhje prej asaj që individi ka dhe me të cilën përgjithësisht projektohet udhëtimi për më tej. Vetë kjo mënyrë e të vepruarit tregon se njeriu prej natyre kërkon më të lartën e mundësive të veta, që përgjithësisht për ta arritur i duhet të zgjedhë ndërmjet përplasjes me pengesat që shfaqen gjatë udhëtimit të vet dhe marrveshjeve të mundshme për më të lehtën. Duke qenë se lehtësia ofron qartazi një lloj komforti në shmangien e pengesës që i paraqitet për rrugëtimin në fjalë, njeriu jo rrallë zgjedh këtë të fundit, pra, lehtësinë përmes kompromisit, e cila fare lehtë mund të kthehet në praktikë e ideollogji dominante.

Mirëpo, shumë rrallë ndodh që një përpjekje e tillë, që i shmanget ballafaqimit dhe përplasjeve, të mos rezultojë edhe me largimin nga kursi fillestar për deri te qëllimi dhe shpesh, madje shumë shpesh, edhe nga vetë qëllimi. Ky lloj racionalizmi i gabuar, nuk është gjë tjetër veçse imitim i shtrembëruar i atij rregulli që njeriut i garanton ruajtjen nga deformimet, dhe sikundër nga njëra anë, çdo imitim mbetet i pamudur dhe rrjedhimisht i shëmtuar, po ashtu, nga ana tjetër, bëhet djepi ku kaosi përkund këlyshtë e tij të pështirë dhe të gjitha fëlliqësitë sëbashku me veset, zenë hapsirat më të rëndësishme të tregjeve dhe ideve që na rrethojnë.

* * *

Duke dashur të jem sa më i afërt me vështrimet për zgjidhje të mundshme, mendoj se emërtimi “Rruga” është më i përshtatshmi dhe njëkohësisht më i qarti, për të na bërë paraqitjen në kohë-hapsirë të shumicës së pengesave që has njeriu, ndërsa nxiton ose jo për diku. Rruga është lëvizja që të gjithë ne e kuptojmë në mënyra të ndryshme, varësisht nga raportet që kemi vendosur me gjithçka që kemi emërtuar si parësore, përfshirë këtu edhe mjetet ndihmëse që na mundësojnë t’i bëjmë sa më të dobishme këto raporte. “Rruga” na mëson të nisemi për diku për të depozituar një ngjarje më shumë, duke mbushur kështu një kënd të zbrazur apo të harruar të jetës, dhe është po “Rruga” që sërish na mëson të kthehemi pikërisht atje nga u nisëm, për t’i dhënë kuptimin e duhur një vendosjeje të re në të përditshmen tonë, për të qenë tashmë, në diçka apo në shumëçka, më të plotë se sa ishim para udhëtimit në fjalë.

Të tilla shtegtime përgjatë jetës ka aq shumë sa një pjesë prej tyre, apo pjesën më të madhe, njeriu ia beson harresës pa nevojën, e ndoshta as dëshirën, për t’i rishikuar qoftë si arritje të mundimshme ose të lehta, qoftë si humbje nga të cilat dhembja diktoi mësimin e duhur. Pra, për të patur një pasqyrë më të qartë për sa parashtruam, kërkohet që “Rruga”, e cila nuk ka privilegjin e harresës, “Ajo”, e cila na mëson të mendojmë veçimin prej të tjerëve dhe njëkohësisht na mundëson marrëdhëniet me të tjerët, të jetë “Rruga” që bart shqetësimin dhe angazhimin për hapin e ardhshëm deri te qëllimi, ndryshe, për gjithçka të cilën nuk e kemi përshkuar akoma dhe tek e cila shpresojmë vazhdimësinë deri në arritjen e qëllimit.

Pikësëpari, të bëjmë një parashtrim më të zgjeruar të rrjedhimeve që bart “Rruga” duke u përpjekur të shmangim sa më shumë rezonancën semantikisht fluturake të kësaj fjale (ëndërrimet e pabazuara në mundësitë që janë), si dhe kuptimin klasik të xhadesë. Nisur nga ajo që njeriu e ka gjithmonë me vete, pra edhe atëherë kur mungon gjendja poetike e as është mirfilli në rrugë, dhe duke qenë se e kundërta e këtyre situatave është e pamundur, atëherë vetiu na mbetet e drejta të themi se të dy këto situata nuk janë kushtëzuese, por të kushtëzuara dhe për pasojë, as mund t’i kemi si argument me atributin e përgjithësimit. Gjithsesi, qoftë rruga nëpër të cilën ecim, qoftë fantzia për të, pavarësisht nga përpjekja për t’i shmangur, do të jenë natyrshëm të pranishme në këto radhë e edhe ndërmjet tyre, sikur vetëm për arsyen e thjeshtë se njëra ka minimalen themeltare të kuptimeve të kësaj fjale, ndërsa tjetra manifeston maksimalen e kuptimit për rrugën, edhe në rastet kur fjala e as hapi nuk na mjaftojnë për të rregulluar drejtpeshimin e vetes në lidhje me gjithçka brënda dhe përreth nesh.

Gjithsesi rruga, më parë se një udhëtim në hapësirë është një mision pa të cilin hapi ynë do ishte vetëm një sorollatje somnambule, dhe kësisoj, asnjë arritje s’do të qe me vlerë, sikundër dhe humbja, nuk do na shërbente për të rishikuar e korrigjuar hallkat e dobëta të sistemit. Rrjedhimisht, për sa më sipër, me “Rrugë” kuptojmë shumë më shumë se rruga në hapësirë, përderisa kjo e fundit është vetëm detaj i një projekti të cilin e bart njeriu dhe që fare mirë mund të jetë edhe i gabuar, paçka se hapsira ku projektohet është po ajo që ishte, e pandryshuar. Pra, rruga në hapësirë mund të jetë e njëjta, ndërkohë që projektet për të janë gjithmonë më shumë sesa një.

Një tjetër vijë ndarëse ndërmjet rrugës në hapësirë dhe projektit që fshihet te njeriu është se të gjitha rrugët në hapësirë nisin diku në një të tashme të paqëndrueshme për të përfunduar, në rastin më të mirë, tek e tashmja reale si stacion i fundit, dhe nga ana tjetër rruga në projektet e njeriut fillon fizikisht gjithmonë në të tashmen reale dhe riciklohet vazhdimisht në perspektivë, me synim sfidën për të qenë sa më afatgjatë.

Vështruar si metaforë apo ëndërrim (si rezonancë semantikisht fluturake), rruga ka vërshimin më të dendur të përceptimit por që në raport me projektin që njeriu bart, mbetet gjithmonë derivat i zbatueshëm vetëm pjesërisht, pasi në të, e kaluara ka depozituar shumë eksperienca, të cilat edhe pse mjaft të dobishme nuk mund të jenë e ardhmja. Dhe pikërisht për shkakun madhor që jeta dhe universi nuk njeh përsëritje, e që asnjë rrethanë nuk mund të riciklohet pikë për pikë, po për të njëjtat arsye, edhe evidenca për atë që shkoi nuk i shërben të ardhmes pikë për pikë, pavarsisht nga provat që ka dhënë për vërtetësinë e vet. Ajo që metafora na sjell është pa diskutim pjesa më e ashtëzuar e projektit, gjë e cila premton se shumica prej asaj që na erdhi përmes metaforës deri te ne, do t’i mbetet të ardhmes, por që gjithsesi, as me të tashmen e as me të ardhmen nuk përputhet plotësisht, dhe nuk mund të jetë vetëm ajo protagoniste e as që mbetet ashtu si na erdhi nga trashëgimia. Ajo përligjet vetëm përmes kuptimit, fjalës apo veprimit të një individi të ri, në një hapsirë krejt tjetër dhe sigurisht me lëvizje lehtësisht të dallueshme në kohë.

Le të theksojmë këtu dhe se metafora e rrugës tek individi është ngushtësisht e lidhur me qëllimin e projektit që bart njeriu dhe gjithmonë e kushtëzuar prej tij, pasi në përzgjedhjen që theksuam më lart, njeriu në varësi të kuptimit që ka, shfaq ose fsheh situata të ndryshme, pa cënuar kurrsesi, bile pa mundësinë për të cënuar në asnjë rast individualitetin e vet. Sido që të sillet njeriu, sido që të shprehet, sido që të mendojë, nuk mundet tjetër veçse e gjitha kjo të kthehet në lëndën e parë për të ndërtuar vetveten, mirë apo keq. Si e tillë, metafora është vetëm derivat i përqëndruar i asaj që ishte, për të legalizuar atë pjesë të kuptimeve që bart thelbin e aspiratës së individit, e harmonizuar kjo ose jo, në lidhje me bashkësinë apo në lidhje me të vërtetën.

* * *

Dihet, se njeriu nuk është i vetmi rrugëtar as në tokë dhe as në hapësirën kozmike. Rrugëtojnë grimcat më të vogla, rrugëtojnë planetet e bashkë me to dhe toka ku banojmë, rrugëtojnë yjet, galaktikat, rrugëton i gjithë universi. Rrugëtojnë gjallesat që nga njëqelizoret e deri tek më gjigandet. E vetmja që rri si e përbashkët themelore në këtë mori objektesh dhe subjektesh për gjithë universin është pikërisht rrugëtimi, dhe kjo, pavarsisht nga diferencat në natyrën, formën, apo përmbajtjen e secilit. Nëse do të bënim një formulim të përafërt për rrugëtimin do të shohim se ai na paraqitet në tre nivele lehtë të dallueshme për të gjithë, pra, rrugëtimi i trupave pa jetë, rrugëtimi i gjallesave dhe rrugëtimi i njeriut. Por ku dallojnë këto rrugëtime prej njëri-tjetrit dhe kush është e veçanta e rrugëtimit të njeriut nga rrugëtimet e tjera?

Së pari, do të shohim se rrugëtimi i materies pa jetë është rrugëtim i drejtuar egzaktësisht dhe pa lirinë për të devijuar fizikisht nga përcaktimi në lëvizjen e vet. Megjithëse rrugëtimi i tyre, që nga grimcat më të vogla se elektroni e deri tek galaktikat me miliarda yje, është lëvizje që nuk njeh përsëritje në hapësirë, madje, edhe pse është nxitim gjithmonë për në hapësira të reja, prapëseprapë na lejon që përafërsisht të mund të parashikojmë diçka pak për vendodhjen e tyre në një të ardhme të afërt. Kufiri i kuptimit tonë kaq pranë empirizmit, që na mundëson përcaktimin e përafërt të rrugëtimit të trupave pa jetë, na qartëson edhe atë se liria e lëvizjes së tyre është vetëm nënshtrimi, pa nevojën dhe pa dëshirën për qenë diçka tjetër, sikundër edhe pa përgjegjësinë për pasojat që e shoqërojnë këtë rrugëtim. Duke dashur të vijmë te një formulim mund të themi se aty ku liria mungon ka mundësi empirike për të mësuar caqet e përafërta ku pritet të jetë vijimësia e këtij rrugëtimi.

Pra, a) rrugëtimi në fjalë është tejet egzakt dhe konstant, ku strehimi i kërkuar për secilin trup është vetë rrugëtimi gjithmonë për në një hapësirë të re; b) rrugëtimi është i çliruar nga rrebelimi i mundshëm dhe nga fajësia për të, pasi marrdhëniet me të ngjashmit apo të ndryshmit nga vetja janë të përcaktuara përmes çlirimit të energjisë dhe secili lëviz në korsinë e treguar; dhe së fundmi, c) është rrugëtim pa liri, pasi që, kualiteti i këtij rrugëtimi është bindja empirike në lëvizjen fizike, siç dhe shkëmbimet janë njëlloj të kushtëzuara, cilësi këto që nuk premtojnë as mundësinë minimale ku të mund të zhvillohet pjesmarrja e lirisë.

Së dyti, rrugëtimi i gjallesave është shumë i ndryshëm nga i mësipërmi pasi që lëvizja e tyre nuk është drejtim egzakt dhe me një lloj lirie në lëvizjen e tyre në aspektin fizik. Në lidhje me hapësirën, rrugëtimi i gjallesave është i kufizuar, kusht për ekzistencën e tyre dhe kurrë nuk lëvizet jashtë një zone të përcaktuar ku gjenden faktorët determinantë të jetës për to. Edhe pse një gjallesë, një qelizore apo çfarëdo, lëviz në një hapësirë të kufizuar dhe të treguar saktësisht, prapëseprapë kjo nuk bën që në lëvizjen e tyre fizike të mund të parashikojmë vendodhjen e re në një të ardhme të afërt. Ajo që e bën të parashikueshëm rrugëtimin e tyre është pikërisht thelbi i këtij rrugëtimi. Gjallesat në lëvizjen e vet, pa përjashtim udhëhiqen nga nevoja për të siguruar energjinë e nevojshme për jetën dhe shpenzimin e këtyre energjive gjithashtu po për këto nevoja. Pra, nevoja për ushqim, nevoja për strehim dhe nevoja për shumim e gjallesave janë jo vetëm thelbi i rrugëtimit të tyre, por edhe mundësia jonë për të parashikuar nevojën që pason në një të ardhme të afërt. Me fjalë të tjera, rrugëtimi i gjallesave është rrugëtim i drejtuar fund e krye nga epshet që nga nevoja për energji e deri te konsumi i kësaj energjie.
Ndryshe nga rrugëtimi i materies pa jetë, ai i gjallesave mund të përmblidhet si më poshtë; a) ka sigurisht më tepër liri në lëvizjet fizike, që do të thotë se nuk jane empirikisht të vërtetueshme, pra as egzakte e as konstante, porse gjithmonë të kufizuara në një hapsirë të treguar që është edhe strehimi egzistencial i gjallesave; b) rrugëtimi i gjallesave udhëhiqet tërësisht nga epshet në të gjitha nivelet e marrëdhënieve me të ngjashmit apo me të ndryshmit nga vetja; dhe c) as rrugëtimi i gjallesave nuk është rrugëtim përmes lirisë jo vetëm për atë se hapësira egzistenciale dhe bindja ndaj epsheve janë mjaft determinante, por edhe pse rrugëtimi i gjallesave lëviz gjithmonë dhe vetëm nga e kaluara deri në të tashmen e emergjencës egzistenciale.

* * *

Theksoj që në krye të herës se rruga për të cilën do të flasim ruan në vetvete hapat që u hodhën për të ardhur deri aty ku ndodhemi, hapin e vetëm që tashmë është në lëvizje i cili mund të ndryshojë shumëçka në jetë dhe përpara, një hapsirë e pa caktuar tërësisht të pa shkelur që pret të kalohet. E gjithë kohë-hapësira e njeriut përmblidhet në këto tre gjendje, që për nga mënyra si i përftojmë në kuptimin tonë bëhen përcaktuese për personalitetin dhe vazhdimësinë e secilit.

Vështruar në aspektin e ndryshimit ndërmjet tyre, këto tre gjendje janë forma përmes të cilave, nëse përcaktimi dhe orientimi është i drejtë, mundësohet ikja nga të gjitha rrethanat që gjenerojnë daljen nga rregulli, përmes të cilit kuptojmë dhe praktikojmë lirinë që na dallon nga frymorët e tjerë. Mirëpo, ndarja e tyre prej njëra-tjetrës është vetëm teorikisht e mundur, pasi, në fakt, njeriu në çdo veprim të tijin e zhvillon personalitetin me pjesëmarrjen e njëkohëshme dhe aktive të të tre gjendjeve në fjalë. Pra ndarja që do të ndiqni në rreshtat e mëposhtëm është vetëm veçim teorik për lehtësi shtjellimi, si dhe për të patur një pamje sa më të detajuar të së tërës.

Qëllon që njeriut t’i mblidhet në një çast të vetëm aq shumë kotësi nga e kaluara, aq shumë kumbime hapash boshe, sa veshët buçasin stuhishëm jo më nga shumësia e viteve por nga boshësia e tyre kërkuese. Nuk ka sesi njeriu të mos ndihet i trishtuar kur kujtesa dashamirësisht ngjeshet jashtë dëshirës së tij në diçka fare pak, të vogël sa një pikë ujë (dikush do ta deshte lot), ndërkohë që sirtaret bosh përcjellin jehonën ngjethëse të hapave të zbrazura, e që të gjitha këto bashkë bëjnë ciklonin e gjerë të harresave të vogla të mbetura diku prapa, por që rregullisht rikthehen, por kuptohet, të shumuara, dhe për çdo herë më kryeneçe se pararendësja.

Dikur… Një fjalë ku pushojnë e presin shumë shkaqe të mbetura diku në kujtesë, pra, që ishin dhe mbetën atje në pakthimin e vet, duke na kursyer për të qenë ndryshe nga ajo ku ndodhemi, të mekura këto, apo të ngrira nga moskuptimi ynë, nga harresa apo kujdesi i tepruar për të mos rrezikuar. Herë-herë këtë fjalë, për arsye lehtësisht të vërtetueshme, na pëlqen ta fshehim atje ku nuk do të mund ta pikasim as vetë, bile as nga afër vështruar, dhe shpesh, madje mjaft shpesh na ndodh që po vetë ta nxjerrim nga qoshku i harruar i sendeve të vjetra, dhe me lehtësi ndonjëherë po aq të tepruar shqiptojmë me gjithë nostalgjinë e mundshme; “Dikur…!” – dhe kjo në përpjekje për të spikatur fitoren e munguar, apo, në rastin më të mirë, suksesin e arritur. Aty ku ne mbajmë të strukur disfatën që s’na pëlqen asesi ta përmendim, po aty, në të njëjtën fjalë “Dikur”, na duket se mund të kemi edhe alibinë e duhur për aq shumë të kërkuarën pafajsi apo meritë.

Duke u thelluar në hapat që i takojnë së kaluarës vërehet se mënyra për të gjykuar për to është shumëplanëshe dhe se reagimet tona ndaj tyre nuk mund të përfshihen në kornizat e një metodologjie të vetme, paçka se bëhet fjalë për pjesën e magmatizuar të jetës së njeriut në të cilën nuk mund të ndryshohet asnjë milimetër i rrugës së kaluar. Sidoqoftë, të gjitha refleksionet mendoj se mund të përfshihen në dy këndvështrime të mëdha, varësisht nga përparësitë që na paraqiten. Pra, kemi raste kur të tëra është më domëthënëse se të veçantat e saj, dhe në raste të tjera kur të veçantat e së tërës bëhen më të rëndësishme se tërësia e hapave të rrugës që kaluam.

Për të qenë më i qartë, më duhet të gjithën ta riformuloj, duke spikatur më thelbësoren e secilës. Nisur nga fakti se të veçantat janë pjesë e së tërës, nuk do të thotë këtu, se edhe tërësia e të veçantave është e tëra që duam të kemi. Të veçantat janë qartësime themeltare pas dilemave të mprehta përgjatë rrugëtimit dhe padyshim kushtëzuese për vijimësinë e rrugëtimit në të ardhmen, pasi janë përgjegjëse direkte për drejtimin e zgjedhur në një kohë dhe vend të caktuar, në lidhje me synimin e mbërritjes përmes hapësirës së kuptimeve tona.

Ndryshimi i kuptimeve mbi sendet dhe ngjarjet, krijon rrethana për kuptime tërësisht të reja që rrjedhimisht risjellin klimën e dilemave për një të veçantë të re dhe ndoshta një drejtim të ri në rrugëtim. Pra, të veçantat në lidhje me të tërën janë stacione kthesash të mëdha apo të vogla, por që çdo rast, gdhendin veçoritë e personalitetit të sekujt prej nesh përmes kuptimit dhe rrugëtimit nëpër shtegun që hap përceptimi dhe dija e secilit.

Ndërkohë që tërësia e rrugës së kaluar (ndryshe nga të veçantat e saj), është pothuaj e çliruar nga dilemat e rrugës që la pas, porse gjithmonë e ndjeshme ndaj kuptimit të ri, si dhe e hapur për ndryshimin e kursit të rrugëtimit në varësi të së veçantës që pason. E tëra, rregullon me harmoni edhe shtegëtimin më të rrezikshëm buzë honit, ndërsa e veçanta na mëson sesi t’i ikim këtij rreziku. E tëra e rrugës që ka kaluar, përpiqet t’i fshijë dallimet ndërmjet kuptimeve të ndryshme, të veçantat vetëm sa i përforcojnë këto dallime. E tëra tenton vijën e drejtë të rrugëtimit (le të themi atë ajrore), të veçantat shkojnë nëpër terrenin e thyer të kuptimeve dhe dilemave, në dukje me mjaft lëvizje boshe. Gjithë rruga e njeriut në këtë botë është përpjekja për të rregulluar këto raporte ndërmjet të tërës me të veçantën, ndërmjet qiellores me tokësoren, ndërmjet vijës së drejtë dhe vijës së lakuar.

Pikërisht për këtë, rruga që i takon së kaluarës, nuk është vetëm thjesht rruga që kemi kaluar, por shumë më tepër se kaq. Është kjo rruga që na solli këu ku jemi dhe bëri të dallohemi nga ata që na rrethojnë. Veçoria e rrugës që kaluam, është se ajo lyp të harmonizojë specifiken e së tërës me të veçantat e saj në një personalitet të vetëm, duke bërë kështu, dallimin e nevojshëm për këtë të fundit (personalitetit), jo vetëm në atë që ishte por dhe në atë që është, e rrjedhimisht dhe në atë që do jetë.
Kjo pjesë e rrugës që ne e njohim mirë, nuk përjashton mundësinë e vëzhgimit deri në imtësi, qoftë për të veçantat, qoftë për tërësinë e asaj që kaloi, porse qëllimi i vërtetë, është të kuptojë dhe të dallojë personalitetin që bartim dhe vendin që ze ose duhet të zerë, ky personalitet në lidhje me gjithçka që i duhet të marrë përsipër dhe të bëhet përgjegjës për to, apo qoftë dhe në lidhje me ato prej të cilave i duhet të distancohet dhe kështu të çlirohet nga të qënit përgjegjës.

Ajo që kemi kaluar, na mundëson që të takohemi me pjesë të veçanta të rrugës së largët ku ecëm dikur, sikur që takohemi me hapin që po hedhim në këtë çast. Këto takime janë aq të gjalla, sa mundemi t’i dallojmë edhe fijet më të holla të drithërimës, ankthit, shpresës, mundemi të hulumtojmë në thellësitë më të fshehura të ëndrrave e mendimeve siç mund të tretemi plotësisht në përjetimin dhe në ndjenjat e tyre. Mundet t’i anashkalojmë këto pa i ngacmuar, siç mundet t’i gjykojmë, t’i dënojmë apo edhe të përzgjedhim prej saj sipas dëshirës, pa pengesën e të papriturës dhe pa frikën e zhgënjimit.

Rruga që kemi kaluar, tashmë e ka humbur befasinë. Ajo pranon se të veçantat ruajnë përqëndrimin më të dendur dhe më të qëndrueshëm të mendimit dhe përjetimit. Përpiqet që përmes tyre, e së bashku me to, edhe të perceptojë se përse në aksh pjesë të rrugës, vendosëm për njërin nga drejtimet duke braktisur disa të tjera syresh. Dhe pikërisht këtu qiellorja me tokësoren, vija e drejtë me të lakuarën, e tëra me të veçantat e saj, pajtohen tamam në pjesën e gjallë të mendimit, përputhen aty plotësisht, pa ndryshuar formën dhe as natyrën me të cilën i njehsuam.

Në të gjithë projektet tona rruga që kemi kaluar është vizitore e pranishme dhe pikërisht për këtë, në kujesën tonë, ajo përvijohet përmes sistemeve dinamike dhe kurrrë pothuaj, nuk na vjen në kujtesë si një sistem i ngrirë dhe i ngurtë statik. Për vetë faktin se rruga që kaluam ka fytyrën dhe karakterin e vet, ajo nuk mund të mos jetë humane, pavarësisht nëse udhëtuam me shpatë në dorë, apo me zemër në dorë. Asnjë hap në të nuk është lodër, edhe po qe se dikur në të tashmen e vet të largët apo të afërt ishte vetëm lodër. Lodra e dikurshme pra, tashmë është jetë, dhe kjo përmes shumë fijeve që e lidhin me kujtesën, qofshin këto fije të lidhura me një plagë në zemër apo me një gëzim në zemër, pak rëndësi ka.

Kujtesa për rrugën e kaluar, edhe pse shërbehet me sende dhe me ngjarje të cilat nuk është e mundur t’i ndryshojmë, që do të thotë këtu përmes vendit, gjykimit, përjetimit të atëhershëm, dhe teksa i rimarrim të tëra këto në të tashmen, bëhen shkaku për të ndryshuar ne, qoftë përmes kuptimit apo edhe moskuptimit tonë. Rrafshi i kuptimit të sendeve dhe ngjarjeve bën të ndryshojë pronari i kuptimit, edhe pse në rendin e vendosjes së tyre nuk ka ndryshuar asgjë. Askush nuk mund të thotë se ai i cili kishte diçka që nuk ia dinte kuptimin, është plotësisht i njëjti, pra po ai që e kuptoi atë shumë kohë pasi ndodhi.

Ndryshimi në këtë rast mund të jetë fare i vogël (por jo i parëndësishëm), por mundet që ndryshimi të ridimensionojë edhe gjithë strukturën e personalitetit.
Me fjalë të tjera, rruga që kemi kaluar, është jo vetëm pjesa e gjallë e të vërtetave që dimë, por edhe terreni më i sigurtë ku mund të rikthehemi shpesh, tashmë pa nevojën dhe pa mundësinë e hapave nëpër të, e sidomos jo për ta ndryshuar atë, por pikërisht për hapin që na duhet të hedhim tani, këtu, dhe sigurisht, për ndryshimin e dobishëm apo sa më të dobishëm në veten tonë në raport me të vërtetën. Mirëpo rruga që kemi kaluar së bashku me kujtesën për të, nuk mjaftojnë për të qenë kthejlltësisht i qartë në marrëdhëniet me veten dhe të tjerët. Rrethanat këtu ndërlikohen edhe ca më shumë. Diçka që ishte dikur, që përmes kujtesës afirmon prezencë mjaft aktive në të tashmen, kujtimet e së cilës projektojnë besimin dhe shpresën për të ardhmen; të gjitha këto harmonizohen në një korpus unik duke na mundësuar evidentimin e një të kaluare më të largët sesa kujtesa jonë, dhe sigurisht, edhe praninë e një ardhmërie përtej kuptimit racional të ardhmërisë. Fakti që detyrimet tona ndaj të tjerëve, nuk mbarojnë me vdekjen e tyre, madje ndjejmë detyrime edhe për të vdekurit qindra vjet më parë…

Fatmir Baçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit