Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.
Ata u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se u vonua për të marrë pjesë samitin e Këshillit Evropian për shkak të takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Borrell po ashtu deklaroi se puna po vazhdon, ndërsa paralajmëroi takime të tjera.
“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë…Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër – ajo shkon përmes dialogut”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane./Telegrafi/