3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Borrell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Më të lexuarat

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”, shkruan Rel.

Ndryshe, edhe Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Përmes një njoftimi publik, Shtëpia e Bardhë ka dhënë detaje lidhur me bisedën telefonike që ka zhvilluar Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ndihmësi i Presidentit për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ka biseduar sot në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sullivan përcolli ngushëllimet për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të ndodhura më 24 shtator. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Ai vuri në dukje vendimin e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, bëhet e ditur në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se Sullivan dhe Kurti kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku Sullivan ka deklaruar se dialogu është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën.

Ndryshe, të premten, edhe kryeministri Albin Kurti deklaroi se biseda me Jake Sullivan ka qenë inkurajuese.

“E falënderova për mbështetjen e SHBA-së për sigurinë kufitare të Kosovës dhe kërkova ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë”, ka shkruar Kurti në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit