9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Me çka mund të përballet Kosova nëse Kurti nuk lëshon pe para kërkesave të Perëndimit?

Më të lexuarat

Bllokim të dialogut, presione shtesë dhe sanksione të mundshme për Kosovën parashohin njohësit e rrethanave politike, nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk u bindet kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër hapat e parë që i kërkohet të bëjë edhe nga diplomatët amerikanë, edhe nga ata të Bashkimit Evropian.

Kurti thotë se është i gatshëm të diskutojë për këtë asociacion, por këmbëngul që, fillimisht, duhet të zyrtarizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Ai i ka acaruar raportet me zyrtarë të BE-së, duke i fajësuar ata për njëanshmëri në procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, që e ndërmjetëson procesin e bisedimeve, ka përsëritur këtë javë se Kosova duhet ta formojë Asociacionin “pa parakushte dhe pa vonesa”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit duhet të jetë ndër hapat e parë të Qeverisë së Kosovës – në të kundërtën, “do të ketë pasoja”.

Edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka ardhur koha për “qasje të re” të Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut me Serbinë.

REL-i pyeti Qeverinë e Kosovës se si do t’iu përgjigjet këtyre thirrjeve dhe sugjerimeve, por, deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Weber: Kurti nuk do t’u bindet thirrjeve të perëndimorëve

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se kritikat që vijnë nga Prishtina për ndërmjetësuesit perëndimorë, “kanë bazë”.

Sipas tij, është vetë qasja e ndërmjetësuesve të dialogut ajo që “e ka shtyrë Prishtinën t’u thotë ‘jo’ disa propozimeve të tyre”.

Weber thotë se çdo masë e re ndëshkuese ndaj Kosovës do të kishte efekt joproduktiv.

Ai nuk pret që Kurti të lëshojë pe ndaj kërkesave të partnerëve perëndimorë, të cilët, siç thotë, “nuk kanë reaguar dhe ushtruar asnjë presion ndaj Beogradit”.

“Kam frikë se do të shohim vazhdimin e bllokadës dhe vazhdimin e presioneve, të cilat nuk do të sjellin dobi deri në vitin e ardhshëm. Kam frikë se, përfundimisht, në kryeqytetet perëndimore do ta pranojnë se i gjithë ky kapitull aktual i bisedimeve politike apo dialogut politik, si dhe e gjithë kjo qasje që ka nisur me iniciativën gjermano-franceze, nuk ka pasur sukses, por ka dështuar”, thotë Weber.

Demhasaj: Garanci të mjaftueshme nga SHBA-ja, por Kurti nuk bindet

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, vlerëson se Qeveria së Kosovës ka komunikim të ashpër me partnerët e saj perëndimorë, sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Këtu kemi një kombinim të paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike të autoriteteve të Prishtinës, si dhe arsyen e justifikueshme të pakënaqësisë me kornizën e përgjithshme të negociatave dhe me qasjen e negociatorëve perëndimorë. Kështu që, çdo mënyrë e presionit që është ushtruar ndaj Prishtinës, duke filluar nga vendosja e sanksioneve, vetëm sa i ka hedhur vaj zjarrit”, thotë ai.

BE-ja ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës – përshirë pezullim fondesh dhe takimesh të nivelit të lartë – për shkak të tensioneve të larta në veri, të nxituara nga instalimi i kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës nuk mund ta detyrojnë Kurtin që të ndryshojë qasje, por mund t’i shtojnë masat ndëshkuese.

“Nëse kryeministri Kurti vazhdon t’i injorojë sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë – gjë që mund ta bëjë, sepse ata nuk mund të imponojnë diçka me zor – atëherë mund të ketë pasoja më të mëdha, sanksione më të mëdha, të cilat Kosovën mund ta bllokojnë dhe ngufatin në aspektin e jashtëm”, thotë Demhasaj.

Ai shton se Kurti duhet ta ketë parasysh se partneri më i besueshëm i Kosovës, SHBA-ja, e përkrah zhbllokimin e dialogut, duke i dhënë Kosovës garanci të forta se Asociacioni do të ishte në përputhje me Kushtetutën e saj.

“Kjo është e mjaftueshme që të bindet kryeministri [Kurti]. Por, ai nuk bindet. Për sa kohë mund ta tolerojë faktori ndërkombëtar? Mendoj se e ka toleruar mjaft deri tash. Por, fakti që nuk ka mekanizma tjerë që të bëjë diçka, ndoshta do ta tolerojë edhe për një kohë të gjatë, derisa ta përfundojë mandatin”, thotë Demhasaj.

Në një anketë që ka publikuar Radio Evropa e Lirë në ueb-faqen e saj, me pyetjen “Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi”, shumica e pjesëmarrësve janë përgjigjur: “bllokim”.

Si ka ardhur deri këtu?

Të enjten e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar një rund të ri bisedimesh në Bruksel, por pa ndonjë sukses.

Ata nuk janë pajtuar rreth hapave për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në muajin shkurt.

Ndërmjetësuesit evropianë të procesit, diplomatët Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, kanë thënë se ka qenë Kurti ai që nuk e ka pranuar propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje

Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Ai e ka fajësuar Lajçakun për pozicionim kundër Kosovës dhe ka thënë se Marrëveshja bazë nuk mund të zbatohet me kushtëzime.

Sipas Vuçiqit, “është e qartë se Kurti i shmanget formimit të Asociacionit”.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.

Kurti, në disa raste, ka thënë se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.

Më herët këtë vit, Qeveria e tij ka dalë me të ashtuquajturin “model kroat” për Asociacionin, por ai nuk ka shkuar përpara. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit