3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Prerja e kurbanëve të bëhet në mënyrë të organizuar dhe kontrolluar

Më të lexuarat

Në prag të festës së Kurban Bajramit, organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” (IRK), fton qytetarët që prerja e kurbanëve të bëhet në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar.

IRK-ja tashmë ka siguruar 802 kurbanë, të cilat pritet t’iu shpërndahen rreth 2 400 familjeve më në nevojë. Çdo familje do të përfitojë rreth 9 kilogramë mish (lope). Kurbanët janë siguruar nga vende, kryesisht perëndimore, ku vepron organizata ëmë, Islamic Relief Worldwide (IRW). Vlera e projektit kalon 130 mijë euro.

Por, IRK-ja pret që ky numër të rritet edhe me kurbanët që do të sigurohen në Kosovë.
Drejtori i kësaj organizate humanitare, Vehbi Zeqiri, fton të gjithë ata të cilët kanë ndërmend të presin Kurban që këtë ta bëjnë përmes “Islamic Relief”, në mënyrë që ky aktivitet të institucionalizohet.

“Islamic Relief”, me përvojën mbi 15-vjeçare, garanton se shpërndarja e mishit do të shkojë tek ato familje të cilat kanë më së shumti nevojë.

Por, arsyet kryesore janë dhe ato higjienike.

“Therja joadekuate dhe johigjienike mund të ndikojë në kualitetin dhe pastërtinë e mishit të Kurbanit. Transporti joadekuat gjithashtu mund të ndikojë në kualitetin dhe pastërtinë e mishit”, thotë Vehbi Zeqiri.

“Therja e kurbanëve, në mënyrë të organizuar, ndikon në ruajtjen e ambientit që duhet të jetë synim i çdo besimtari, në prerjen dhe procesimin higjienik të mishit”.

Mishi i freskët, po ashtu, duhet shpërndarë shpejt për të mos u prishur. Drejtori Zeqiri thotë se janë të vetëdijshëm për volumin e punës dhe kanë filluar parapërgatitjet qysh para një muaji.

“Kemi caktuar ekipet e mbikëqyrjes së therjes dhe paketimit, ekipet e shpërndarjes dhe automjetet e transportit, vullnetarët të cilët do të ndihmojnë këtë proces, si dhe punonjësit e departamenteve sociale të komunave të caktuara të cilët do bashkëpunojnë me ne gjatë gjithë zbatimit të projektit. Edhe këtu vlen të theksohet eksperienca jonë e më shumë se 15 viteve, ku çdo vit kemi pasur projekt të shpërndarjes së mishit”.

Shpërndarja joracionale e mishit të Kurbanit nga individët me informacione të mangëta sa i përket familjeve të varfra, është një tjetër arsye që përmend Zeqiri pse kjo shpërndarje është mirë të shkojë nëpërmes organizatës së tyre.

Përveç kësaj, therja e kafshëve nga njerëz që nuk kanë eksperiencën dhe njohuritë e duhura mund të jetë e rrezikshme dhe të përcillet me lëndime.

Therja e kurbanëve, një rit ky tradicional mysliman, organizohet edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Drejtori Zeqiri e vlerëson përvojën e BIK-ut.

“Të gjithë atyre të cilët kanë vendosur ta bëjnë therjen e kurbanëve përmes BIK-ut, iu lutem që ta bëjnë, sepse me të vërtetë ata e kanë përvojën e duhur si dhe angazhohen për mirëqenien e popullit të Kosovës”.

Po si zgjidhen përfituesit, në bazë të çfarë kriteresh? “Nëpër të gjitha komunat ku kemi caktuar shpërndarje, jemi në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet komunale dhe drejtoritë e mirëqenies sociale të cilët kanë siguruar listat e rasteve më të varfra nëpër rajonet e tyre”, tregon Zeqiri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit