Intervista për median kroate: Ja pse u pajis Kosova me Bayraktar
Kryeministri Kurti ka dhënë një intervistë në kroaten Veçernji List, duke shpjeguar ndër të tjera dhe marrjen nga Kosova të dronëve Bayraktar.
“Ne kemi ushtrinë tonë. Është bërë një kohë e gjatë që kur nisëm iniciativën për të pajisur ushtrinë tonë me dronët Bajraktar dhe në fund i kemi blerë.
Ne kemi dyfishuar buxhetin vjetor për mbrojtjen e Kosovës dhe kemi rritur për 80 për qind numrin e ushtarëve. Kjo nuk është për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur veten me sukses. E dini,rreth kufirit tonë me Serbinë ka baza sulmuese të ushtrisë dhe policisë ushtarake serbe, gjithsej 48, dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Prandaj na duhet një ushtri e pajisur mirë që do ta mbrojë me sukses Kosovën kundër agresionit të mundshëm serb”, shpjegoi Kurti, duke qenë ndër ata që besojnë se kjo mund të ndodhë sërish.
Kurti ka denoncuar gjithashtu kartën “islamike” serbe, diç që nuk e ka bërë askush deri më sot në politikën kosovare, duke thënë se “ka tre dekada që ata flasin në mbarë botën për fundamentalizmin islamik në Ballkan për të përhapur kështu më lehtë fundamentalizmin e tyre ortodoks. Ata duan një shtet, një kishë, një lider dhe një parti politike”.
Duke shpjeguar se ç’përfaqëson Vuçiç, Kurti vijon: “Bashkësia ndërkombëtare, sipas meje, ose nuk e kupton ose mbyll veshët dhe sytë para një fakti që ne, popujt e Ballkanit, e dimë, dhe kjo është se presidenti Vuçiç e don dhe i frikësohet Kremlinit më shumë sesa Brukselit apo Uashingtonit.
Zoran Xhinçiç, i cili luftoi kundër krimit të organizuar në Serbi dhe intelektualisht ishte shumë më i thellë dhe i orientuar drejt Perëndimit, mbase do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Ai u vra. Tani Aleksandar Vuçiç as nuk lufton kundër krimit të organizuar dhe as nuk dëshiron ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
Kurti foli dhe për Asocacionin, duke qenë i bindur se kërkohet një “Srpska” brenda Kosovës.
“Ne kemi ofruar një draft vizion për komunitetin serb në Kosovë, i cili është frymëzuar nga modeli kroat i vetëmenaxhimit përmes Këshillit Kombëtar Serb. Vuçiç nuk donte të dëgjonte për të apo ta lexonte. Ai dëshiron bashkimin e komunave me shumicë serbe kundër shtetit tonë, siç është bërë në Bosnje në vitin 1991. Në Kosovë katër përqind e popullsisë janë serbë. Por ata kanë 10 nga 38 komuna, kanë 10 vende të rezervuara nga 120 në Parlament dhe kanë 17 përqind të asambleistëve komunalë në komunat tona. Po ashtu, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën në të gjitha nivelet e administratës. Do të thotë, në Kosovë ka diskriminim pozitiv, por Beogradi dëshiron Republikën Srpska brenda Kosovës”.
Kurti gjithashtu denoncoi gënjeshtrat serbe mbi përsekutim të serbëve në Kosovë.
“Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës. Më thërrasin me emra të ndryshëm, sepse secila prej etiketave të tyre zbehet shpejt, kështu që duhet t’i zëvendësojnë. Çdo muaj lajmërojnë se muajin tjetër po fillon stuhi kundër serbëve në Kosovë. Nuk u vjen aspak turp që do të dalin gënjeshtarë sepse e dinë që askush nuk u çuditet më.
Ata shpeshherë dhe publikisht fantazojnë hakmarrjen e shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin e 21-të, sepse e dinë shumë mirë se çfarë kanë bërë në Kosovë gjatë shekullit të 20-të. Ne duam dhe qëndrojmë për drejtësi pa hakmarrje dhe kundër hakmarrjes. Serbët janë qytetarë të Kosovës me të drejta dhe nevoja njerëzore dhe qytetare. Unë jam kryeministër i të gjithë atyre që dëshirojnë dhe duhet t’u shërbej të gjithëve pa dallim. Për ministër kam Nenad Rashiçin, politikanin më të njohur serb në Kosovë. Vetëm atë e urren më shumë se mua pushteti në Serbi”.
Sa i përket raporteve të tendosura me ndërkombëtarët, Kurti shpjegon se nga vijnë ato: Bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një Beograd zyrtar të ekstremit të djathtë, i cili në rotacion krijon probleme në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë – çdo muaj njërit prej fqinjëve i vjen radha. Ne dëshirojmë drejtësi ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga destabilizimi dhe këtu ka një hendek. /tesheshi.com/