Fjala hixhret-un në arabisht rrjedh nga folja haxhere, që etimologjikisht do të thotë “shpërngulje, emigrim, largim”. Prandaj hixhreti ishte shpërngulje dhe largim nga shtëpitë, të afërmit dhe vendlindja duke braktisur gjithçka. Kjo për arsye se Allahu i madhërishëm e favorizoi shenjtërinë e fesë dhe imanit mbi çdo gjë tjetër. Për rrjedhojë, vendlindja, shtëpia, familja, pasuria, pozita dhe reputacioni nuk kanë vlerë në qoftë se besimi dhe feja vihen në rrezik.
Termi hixhret nënkupton shpërnguljen e myslimanëve të parë nga Meka, në të cilën ishte kërcënuar besimi dhe ekzistenca e tyre fizike, për në Jethrib/Medine, ku ideja e Islamit do të gjejë terren të përshtatshëm. Myslimanët së bashku me Pejgamberin u detyruan të lënë vendlindjen, shtëpitë dhe gjithë pasurinë, për të ruajtur besimin dhe për të fituar lirinë. “Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë. Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Nisa, 100)
Hixhreti zgjati tre muaj. Të fundit nga Meka u larguan Pejgamberi a.s., Ebu Bekri dhe më pas Aliu. Me shpërnguljen në Medine ishte realizuar vetëm një pjesë e hixhretit, ngase hixhreti ishte emigrim dhe shpërngulje me qëllimin e kthimit. Me hixhretin u përmbyll periudha e Mekës. Ajo, pa dyshim, përkundër të gjitha torturave dhe mundimeve, ishte shumë e rëndësishme për thirrjen islame, sepse gjatë saj u forcua besimi i sahabëve dhe zbritën ajete dhe sure rreth besimit dhe moralit. Islami në periudhën e Mekës filloi dhe u trajtua si i huaj deri në përfundim të saj, por 8 vite më pas ai do të kthehet me ithtarët e tij triumfues. Prandaj, pikënisja ishte Meka, sepse pa periudhën e Mekës nuk do të kishim periudhën e Medinës, pa muhaxhirët nuk do të kishim ensarët. Pa besim/iman, moral dhe durim ndaj sprovave nuk do të kishte umet, shtet dhe fuqizim.
Takimet në Akabe
Në vitin e dhjetë të misionit të tij, Pejgamberi a.s. humbi Ebu Talibin dhe Hatixhen, dy persona të dashur dhe të rëndësishëm për të. Ebu Talibi ishte mbrojtës i tij kurse Hatixheja ishte ajo që i ofronte përkrahje të vazhdueshme. Pas vdekjes së Ebu Talibit, agresiviteti i idhujtarëve ndaj Pejgamberit do të shtohej gjithnjë e më shumë. Kështu, në fillim të vitit të njëmbëdhjetë Pejgamberi a.s. e gjen veten në një mjedis shumë armiqësor. Jeta e besimtarëve dhe e Pejgamberit ishte në rrezik të vazhdueshëm dhe mundësia për t’i ftuar njerëzit në Islam ishte pothuajse zero.
Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. fillon të mendojë seriozisht për largimin nga Meka. Takimet në Akabe me myslimanët e Medinës ishin përgatitje për shpërngulje dhe hixhret. Në takimin e parë, në vitin e njëmbëdhjetë, morën pjesë gjashtë persona nga Jethribi. Muhamedi a.s. dërgoi me ta sahabiun e ri Mus’ab bin Umejrin që t’u mësonte Islamin. Në takimin e dytë në Akabe, në vitin e dymbëdhjetë, ishin prezent 12 persona, të cilët u zotuan për herë të parë para Pejgamberit për besnikëri ndaj tij. Në takimin e tretë, ku u bë “betimi i madh”, morën pjesë 73 burra dhe dy gra. Me këtë rast, myslimanët e Medinës u zotuan se do ta mbronin Pejgamberin a.s. Pas takimit të tretë, Pejgamberi i urdhëroi sahabët të fillojnë hixhretin për në Medine.
Vendimi për ta vrarë Pejgamberin a.s.
Brenda rreth dy muajsh pas fillimit të hixhretit nga sahabët, politeistët e Mekës mbledhin parlamentin e tyre ku diskutojnë për t’i dhënë goditjen e fundit Pejgamberit. Muhamedi a.s., sapo informohet nga Xhibrili për konspiracionin e idhujtarëve, shkon menjëherë tek Ebu Bekri dhe i thotë atij të përgatisë devetë, pajisjet dhe çdo gjë tjetër që iu nevojitet për udhëtim. Nëna e besimtarëve, Aishja r.a., tregon se babai i saj kishte qarë nga gëzimi që ishte caktuar që ta shoqëronte Pejgamberin a.s. gjatë hixhretit.
Më pas Pejgamberi a.s. kthehet në shtëpinë e tij dhe e informon Aliun për vendimin e politeistëve të Mekës dhe për planifikimin e tij për t’u nisur për në Jethrib. Ai i jep Aliut mantelin e tij të gjelbër dhe i thotë që të qëndronte në shtratin e tij, në natën e 27-të të muajit Sefer (12 shtator 622) dhe i thotë të mos kishte frikë për shkak se mekasit nuk do të mund ta lëndonin.
Largimi nga Meka
Pejgamberi a.s. gjatë daljes nga shtëpia e tij filloi të lexojë ajete nga surja Ja Sin dhe kur arrin te ajeti: “Ne kemi vënë pengesë para tyre dhe pas tyre e i kemi mbuluar, kështu që ata nuk shohin”; Allahu ia merr për një kohë të caktuar të parit të rinjve politeistë që ishin vendosur rreth shtëpisë. Muhamedi a.s. kur u largua kaloi përmes tyre duke marrë një grusht me rërë dhe duke ua hedhur mbi kokë.
Pejgamberi a.s. shkoi në shtëpinë e Ebu Bekrit dhe menjëherë pasi i morën devetë u nisën jashtë Mekës. Ata qëllimisht nuk shkuan në veri drejt Jethribit, por u nisën nga jugu në drejtim të Jemenit, që t’i shmangeshin ndjekjes së mekasve. Pejgamberi a.s. duke u larguar nga Meka u kthye nga ajo dhe tha: ”Ti je për mua toka më e dashur dhe sikur populli të mos më nxirrte, nuk do të të lëshoja kurrë”.
Ata arritën me shpejtësi në kodrën Theur dhe u vendosën në shpellën e saj. Ata vendosën të qëndronin aty për një kohë, sepse Pejgamberi a.s. e dinte se idhujtarët sapo të mësonin për largimin e tij do të dërgonin menjëherë njerëz në rrugët që çonin jashtë Mekës dhe sidomos drejt atyre që të shpinin në drejtim të Jethribit. Kurejshët ofruan një shpërblim prej njëqind devesh për ata që do ta gjenin Pejgamberin a.s. dhe do ta kthenin atë në Mekë. Për këtë Zoti flet në Kur’an (Enfal, 30).
I Lartësuari Allah deshi që Pejgamberin e Tij të fundit ta nderojë në mënyrë të veçantë dhe t’i japë atij një shenjë dhe ndihmë të drejtpërdrejtë. Në kohën kur idhujtarët po i afroheshin shpellës, Ebu Bekri u frikësua se mos i zbulonin, por Pejgamberi a.s. e qetësoi duke i thënë: “Mos u pikëllo, Allahu është me ne!” Edhe pse deri në mëngjes hyrja e shpellës kishte qenë tërësisht e zhveshur, fare afër saj mbijnë disa kërcej të mëdhenj drize që mbyllën gjysmën e hyrjes. Kurse gjysma tjetër do të mbyllej nga një rrjetë e trashë merimange.
E gjithë kjo pamje jepte përshtypjen e plotë se në shpellë nuk kishte hyrë ndonjë njeri apo kafshë për një kohë të gjatë, kështu që idhujtarët që ishin në ndjekje të Pejgamberit a.s., edhe pse u afruan nuk hynë për ta kontrolluar atë. Kujtimin e kësaj ngjarje të madhe Allahu e ka ruajtur për të gjithë brezat e myslimanëve deri në Ditën e Gjykimit, duke e përmendur në Kur’anin fisnik (Teube, 40).
Në rrugën për në Medine ata i priu një udhërrëfyes i shkathët i shkretëtirës që quhej Abdullah bin Urejkit El Lejs. Ai ishte pagan, por ishte besnik dhe kishte rënë dakord për t’i çuar deri në Medine, duke ndjekur një rrugë tjetër nga ajo që ndiqnin banorët e Mekës.
Arritja në Medine
Kur arriti në Kuba, që ishte një fshat i afërt me Medinën, Pejgamberi a.s. hodhi themelet e xhamisë. Ajo ishte xhamia e parë e ndërtuar që nga fillimi i shpalljes. Të premten në mëngjes, në fund të muajit shtator, më 622, Pejgamberi a.s. së bashku me Ebu Bekrin dhe Aliun, i cili tashmë kishte arritur, shkoi në qytetin oazë të Jethribit/Medines. Gjëja e parë që bëri në Medine ishte ndërtimi i xhamisë. Kalimi në Medine qe i rëndësishëm për shumë arsye. Atje myslimanët gjetën një mjedis shumë të favorshëm për përhapjen e shpejtë të fesë së Allahut. Ata formuan në këtë qytet shoqërinë islame. Aty Islami do të realizohet në praktikë si një sistem jete dhe shoqëria islame do të veprojë në përputhje me parimet e tij. Edhe ensarët i kishin pritur vëllezërit e tyre muhaxhirë në mënyrë të paparë. Çdo gjë që posedonin e vunë në dispozicion të tyre, kishin ndarë vëllazërisht me ta shtëpitë dhe të gjithë pronën që posedonin. Për t’i bërë lidhjet mes ensarëve dhe muhaxhirëve më të forta, Muhamedi a.s. bëri vëllazërimin mes myslimanëve të Mekës dhe atyre të Medinës.
Në nivelin politik, Islami kreu një rilindje. Është e njohur se gjatë periudhës mekase ajetet dhe suret kuranore ishin më shumë në fushën e besimit dhe moralit, kurse në Medine zbritën suret dhe ajetet që përmbanin udhëzime praktike dhe rregulla ligjore. Pejgamberi a.s. do të caktonte edhe të drejtat e qytetarëve të Medines. Prandaj ai do të përpilonte kushtetutën e parë me shkrim në shtetit islam, e njohur si Karta e Medines, në të cilën, për herë të parë në historinë e njerëzimit, do t’i jepeshin të drejta pakicave kombëtare e fetare.
Kalendari hixhri
Situata ekonomike, sociale e politike e myslimanëve pas ardhjes në Medine, do të ndryshonte. Pas hixhretit, asgjë nuk do të ishte më e njëjtë. Madje as në botë gjendja nuk do të ishte si më parë. Kjo sepse hixhreti do të ndryshonte rrjedhën e historisë njerëzore drejt një drejtimi të ri dhe një botëkuptimi tjetër për jetën. Në një kohë shumë të shkurtër hartat gjeografike u ndryshuan, ranë perandoritë e mëdha dhe u forma shteti i ri i fuqishëm islam që dominoi botën.
Prandaj në vitin 638 të epokës së re, kalifi i dytë, Omer bin El Hatab, kur kishte filluar zgjerimin e shtetit islam, e përcaktoi hixhretin si fillimin e epokës myslimane. Që atëherë kalendari është rregulluar në mënyrë uniforme sipas hixhretit.
Porositë e hixhretit
– Nga porositë e hixhretit është se të drejtuarit dhe lufta në rrugën e Allahut është një shenjë e qartë për kthimin nga e vërteta primordiale, drejtësia, shtëpia dhe atdheu, siç ishte kthimi i Pejgamberit a.s. në Mekë, në të vërtetën e Qabes, të drejtës së sheriatit, në atdheun e dashurisë vëllazërore dhe në bashkësinë islame. Ky ishte kthim në vetvete dhe në vlerat e identitetit.
– Hixhreti nuk ishte ikje nga rreziku, edhe pse rreziku ishte permanent dhe ishte një nga arsyet e tij, por, para së gjithash, ai u bë për të gjetur një mjedis tjetër, më produktiv dhe më të favorshëm për përhapjen dhe zgjerimin e Islamit.
– Hixhreti në emër të Allahut nënkupton braktisjen e çdo gjëje që Allahu nuk e do (haram) dhe bërjen e gjithë asaj që Allahu e pëlqen dhe është i kënaqur. Hixhreti na bën të kuptojmë se një shoqëri mund të mbijetojë vetëm duke afirmuar vlerat e saj morale dhe fetare dhe se çdo gjë që kontribuon në degradimin e këtyre vlerave çon drejt shkatërrimit të saj.
– Hixhreti për myslimanët ka kuptim të thellë në ndërgjegjen dhe fenë e tyre. Ai ka dalluar dhe ndarë në mes të drejtës dhe të gabuarës. Ai është emigrim drejt Zotit, largim nga shirku dhe nga kufri drejt Islamit. Ai paraqet kufirin ndarës mes mbeturinave të shoqërisë para-islamike dhe krijimit të shtetit islam në Medine. Si rezultat i gjithë këtyre, duke filluar që nga emigrimi i Pejgamberit a.s. nga Meka për në Jethrib, i cili më vonë u quajt Medinetun Nebijj (Medina e Pejgamberit), filloi historia e hixhrit, apo takvimi (kalendari) hixhri te myslimanët.
– Idhujtarët e Mekës, sikurse edhe këta të ditëve të sotme, nuk deshën që myslimanët të bënin hixhretin, nuk deshën që ata të përqendroheshin në një vend dhe të ishin si një trup i vetëm. Por myslimanët u treguan të gatshëm për të emigruar nga Meka, sepse për ta Allahu ishte shumë më i dashur se vendlindja, shtëpia, familja dhe pasuria.
Prandaj secili mysliman duhet të shohë veten nëse e ka filluar emigrimin/hixhretin në drejtim e duhur duke shpejtuar drejt Allahut, apo është duke shkuar drejt rrugës e cila e largon nga Ai. Fedale b. Ubejdi thotë se Pejgamberi a.s., në Haxhin e Lamtumirës, ka thënë: “Muhaxhir është ai që lë gabimet dhe mëkatet!”
Ajni Sinani