9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fëmija është i padëgjueshëm … çfarë të bëj?

Më të lexuarat

Baballarët dhe nënat shpesh ankohen në mosbindjen e fëmijëve të tyre.

Padëgjueshmëria bëhet e qartë në moshën pesëvjeçare të fëmijës, e ndonjëherë në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Në moshën pesëvjeçare fëmija ndien praninë e të tjerëve dhe frikësohet se do të humbë në mesin e tyre. Andaj ai mundohet të ekspozojë personalitetin e tij dhe kështu paraqitet padëgjueshmëria.

Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, tanimë e ka kaluar fëmijërinë e hershme dhe gjendet në hyrje të botës së të rriturve. Në të dy rastet nuk duhet frikësuar, sepse kjo është dukuri afatshkurtër. Nuk duhet përdorur forcën, sepse mosbindja vetvetiu do të shkrihet.

Padëgjueshmëria mund të jetë rezultat i kalimit të fëmijës nëpër probleme lidhur me mësime, marrëdhënie me shokët, mossuksesi në diçka apo animi kah një gjë tjetër.

Ndonjëherë edhe vetë ne jemi shkak i paraqitjes së mosdëgjimit apo mosbindjes së tyre, atëherë kur ne nga fëmijët kërkojmë të na dëgjojnë pa u dhënë shpjegim, ose nga ata kërkojmë shumë gjëra në të njëjtën kohë, ose nga ata kërkojmë të bëjnë diçka që nuk e kanë të qartë, apo diçka që nuk është e domosdoshme, duke mos u lejuar t’i paraqesin problemet e tyre.

Si të veprojmë në rast mosdëgjimi

– kujdes që mosdëgjimi të bëhet i vazhdueshëm;

– asnjëherë të mos kërkohen shumë gjëra menjëherë;

– mundohu të zbulosh shkaqet e mosdëgjimit (shoqëria e keqe, problemet shëndetësore, zhgënjimi moral te fëmija apo diçka tjetër;

– mos e lëmo dhe mos i jep të holla;

– mos iu nënshtro kërkesave të fëmijës së padëgjueshëm.

Përse i refuzon urdhrat e prindërve

-Ajo që prindërit urdhërojnë ose ndalojnë, në shumë raste nuk pajtohet

me dëshirat e fëmijëve.

-Ndonjëherë fëmija refuzon urdhrat e prindërve për shkak të llastimit dhe mosbindjes. Shkak i kësaj është llastimi i tepruar nga ana e prindërve.

-Shpesh kërkesat e prindërve janë të paqarta, siç janë: “Mos ndot!”, ”Dëgjo prindërit!”…Më mirë është të ju themi: “Lere gotën në tryezë dhe mos ia afro rrobave”.

Nuk ka dëgjim të verbër

Nëse dëshiron fëmijës t’ia japësh një detyrë përsëriti fjalët e urta: “Kush kërkon, gjen; kush mbjell, korr”, ose: “Eja bir të kërkojmë dhe të përpiqemi”.

Forcimi në dëgjim të verbër gjatë një periudhe të gjatë shuan shpirtin e fëmijës, vret personalitetin e tij dhe vetëbesimin.

Nëse dëshiron që tek fëmijët tu të ndërtosh mënyrën për të dëgjuar, mundohu t’ua mësosh gjërat në vijim:

– mos jep shumë detyrime të menjëherëshme (të njëkohshme);

– mos u shërbe me ashpërsi, dhe kërcnime;

– mos lejo diçka që herën tjetër do ta ndalosh;

– mos e ngut fëmijën të bëjë diçka. Largohu që t’i thuash “Ngutu…nxito!”;

– të kesh ndërmend që kërkesa e bukur ka efekt më të fuqishëm sesa përbuzja dhe kritika.

Metoda e një minute është metodë e re në edukimin e fëmijëve. Nëse fëmijët janë të padëgjueshëm, ose nëse vëren një problem në edukimin e fëmijëve, mundohu të përdorësh metodën e një minute të edukimit, e pasta provoje a ka dhënë rezultate të dëshiruara.

Prof. dr. Spenser Xhonson, është themelues i kësaj metode në pedagogjinë bashkëkohore. Shkurtimisht, kjo metodë bazohet në dhënien e fëmijëve për të kuptuar që nuk jemi të kënaqur me sjelljet e tyre të gabuara, por në pajtim me ata. Si mund të arrihet kjo për një minutë?

Kur fëmija yt kthehet vonë në shtëpi, dhe këtë e përsërit disa herë gjatë javës, shikoje në sy dhe thuaj: ”Je kthyer vonë! Kjo është hera e dytë që vonohesh këtë javë! Pastaj duhet të tregosh zemërimin tënd: ”Jam shumë i zemëruar në ty, bir! Jam mjaft i mërzitur që këtë e ke përsëritur dy herë.”

Më e rëndësishme është në tërë këtë që në gjysmën e minutës djali yt të ndiejë atë që ti e ndien. Nuk mjafton vetëm t’i kritikosh fëmijët. Me rëndësi është që ata të ndiejnë. Djali yt pas kësa bisede të shkurtër me të, ku do të shprehësh edhe vetë ndjenjat tuaja të vërteta, do të ndiejë që nuk është i kënaqur me atë që ka bërë. Bile, ndoshta do të ndiejë urrejtje ndaj këtij veprimi. Askush prej nesh nuk dëshiron që ta kritikojnë, dhe mu ky është qëllimi i gjysmës së parë të minutës, që biri yt të ndiejë shqetësim.

Por, çfarë duhet bërë nëse ai ndihet i rrezikuar dhe fillon të mbrohet? Vie radha e pjesës së dytë të minutës. Ky është çelësi i suksesit të kritikës që i bën. Në gjysmën e parë të minutës, pra, i ke thënë fëmijës tënd që je i hidhëruar me të dhe i mërzitur për shkak të sjelljes së tij të gabuar. Në gjysmën e dytë të minutës shikoje dhe jepi të kuptojë që je në anën e tij, e jo kundër tij. Thuaja atë që ai dëshiron të dëgjojë nga ti. Thuaji se është person i mirë, që e do, por që nuk je i kënaqur me atë që ka bërë. Pastaj përqafoje fuqishëm që të kuptojë se kritika ka përfunduar, por këtë mos ia thuaj.

Kështu, në pjesën e gjysmës së parë të minutës e ke kritikuar fëmijën për një kohë të shkurtër, i ke treguar për atë që ka bërë dhe ke treguar ndjenjën e zemërimit tënd për shkak të këtij veprimi.

Në gjysmën e dytë të minutës paraqiten momentet e paqes, dashurisë dhe besimit. Atëherë i thua se nuk i pranon këto sjellje të birit tënd, por që ai është fëmijë i mirë. I jep të kuptojë se e do dhe e mbron. Kjo mënyrë është më e efektshme se forca dhe rrahja. Fëmijët do të ndiejnë që veprimet e tyre nuk mund të kalojnë pa u dënuar, por që janë persona të mirë e të dashur.

Minuta e lavdërimit

Kur fëmija yt bën diçka të vlefshme dhe meriton lëvdatat, bëje këtë që të ndihet i lumtur kur bëj diçka të mirë, siç e ke kritikuar kur ka bërë diçka të keqe. Ki kujdes tek fëmijët tu kur bëjnë diçka të bukur dhe saktësisht përcaktoje gjënë pozitive që kanë bërë. Tregoju gëzimin tënd për atë që kanë bërë.

Lavdërimin tënd përfundoje me përqafim që të kuptojnë veprën e mirë. Edhe pse lavdërimi yt nuk zgjat më shumë se një minutë, ndjenja e kënaqësisë së tyre do t’i përcjellë tërë jetën.

Një minutë për vikend

Mundohu që të takohesh me fëmijët tu para vikendit. Pyeti si dëshirojnë ta kalojnë. Lëri ta bëjnë planin, përcaktojnë qëllimet e tyre dhe dëshirat për vikend.Secili fëmijë do t’i shikojë qëllimet e veta duke vërejtur pajtueshmërinë me tjerët .Kjo nuk do të zgjatë më shumë se një minutë.

Në këtë mënyrë fëmijët do të arrijnë vetëbesimin dhe forcën e drejtimit me gjërat e jetës. Përditshmëria e tyre do të jetë më e ndritshme dhe më e gjallë.

Këtë metodë e kanë përdorur shumë prindër, duke gjetur zgjidhje për problemet e edukimit të fëmijëve. Fëmijët e tyre kanë mësuar si ta duan veten, si të zhvillojnë marrëdhëniet me mjedisin si dhe kanë shijuar jetë të këndshme në shtëpinë ku nuk ka urrejtje.

Dhe, gjithsesi nuk duhet harruar lutjen që duhet bërë për fëmijët tanë. Lutja është hapja e zemrës dhe nevoja e njeriut ndaj Allahut të Madhërishëm. Lutja është një ibadet (adhurim) i cili bëhet në çdo situatë.

Kibla e lutjes është froni i Allahut të Madhërishëm (Arshul a’dham) i cili simbolizon madhështinë e Allahut. Froni i madhërishëm është zemra e universit dhe pozitë nëpërmes të cilit manifestohen urdhrat hyjnorë. Arshi është vendi ku ngriten lutjet dhe pranohen ato. Për secilin rob ekzistojnë të hapura dyert qiellore: dyert e pendimit (teubeja), dyert e lutjes, dyert e mëshirës, dyert e furnizimit, dyert ku vendosen veprat dhe dyert tjera. Këto dyer janë të hapura deri në vdekjen e njeriut, por mjafton të dimë të hyjmë në to. Po ashtu duhet ditur rregullat dhe normat e bukura të sjelljes, nëpërmes të cilave lutja ngritet te Arshi dhe pranohet nga ana e Allahut të Madhërishëm. Lutja është thelbi i të gjitha ibadeteve, ndërsa ibadeti është shprehje e robërimit ndaj Allahut të Madhërishëm.

Lutja për fëmijët tanë duhet të bëhet me shpresë, dashuri dhe kënaqësi, sepse Allahu i Madhërishëm është Ai nga i cili kërkojmë dhe miku ynë i vërtetë. Ai është më afër se zemra jonë. Kur lutja bëhet me zemër dhe sinqeritet, Ai na dëgjon dhe përgjigjet:

“Çfarë dëshiron, robi Im?”

Na ka lajmëruar Pejgamberi ynë (s. a. v. s.) që Allahu i Madhërishëm është aq i pasur, sa që kërkesa jonë paraqet kënaqësi për Të, dhe hidhërohet në atë i cili nuk kërkon nga Ai dhe nuk troket në derën e Tij.

Asnjë rob i cili lutet me sinqeritet duke thënë: “O Zoti im” nuk kthehet me duar të zbrazëta.

Dhe lutja e preferuar për fëmijët tanë është:

“Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit”. (El Furkanë, 74)

Përgatiti: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit