Një analizë e veprave të Hoxhë Hasan Tahsinit
Hoxhë Hasan Tahsini njihet si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare. Ai ishte më i dituri dhe më i formuari ku ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut dhe çështjes kombëtare. Hoxha Tahsini është një personalitet që rikthehet nëpërmjet zbulimit. Në të vërtetë ai s’ka qenë asnjëherë i harruar, emri i tij përmendej thjesht si njeri i njohur nga bashkëkohësit e shekullit XIX. Ai është fitues i shumë titujve të ndryshëm. Hoxhë Hasan Tahsini ka dy jetë: jetën e tij të thjeshtë dhe gati asketike si njeri mes lindjes dhe vdekjes së tij fizike dhe jetën e librave dhe veprës së tij intelektuale, që nuk i përfill, nuk kufizohet nga kufijtë kohorë. Jeta e parë është përkohshmëria njerëzore, jeta e dytë është pavdekësia e tij. Hoxha Tahsini nuk është një dijetar i formës, por dijetar i përmbajtjes. Ai ishte dijetar i pjekur, i bindur se dija dhe shkenca janë, në substancë, universale. Ky universalitet i jep kuptim edhe termit të sotëm globalizëm. Askush si Hoxha Tahsini, midis shqiptarëve dhe bashkëkohësve të tij, nuk i ka njohur shkencat ekzakte. Ai është vlerësuesi maksimal i shkencave ekzakte si matematika, fizika dhe kimia. Janë shkencat ekzakte dashuria dhe atributi i tij i përkorë, janë pikërisht këto shkenca ato që përbëjnë “kushtetutën mendore” të krejt veprimtarisë së tij.
Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881)
Hoxhë Hasan Tahsini, (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 7 prill të vitit 1811 (ndonëse ka edhe versione të tjera për lindjen një ose dy vjet më vonë). Shkollën e mesme e mbaroi në medresenë e Shkodrës, ndërsa të lartën në universitetin e Fatihut në Turqi. Hasan Tahsini është ndër personalitetet më të rëndësishme shkencore e kulturore që ka nxjerrë bota shqiptare në shekullin XIX. Ai i bëri një shërbim të çmuar Atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, si dhe përhapjes së diturisë në masat e popullit. Sami Frashëri thotë: “Hasan Tahsini ishte nga njerëzit më të mëdhenj që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat”. U bë rektori i parë i universitetit të Stambollit. Hasan Tahsini, jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, por, meqë ishte ndër shqiptarët më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, gjithnjë printe në çështjen shqiptare kombëtare. Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Ishte ndër të parët nismëtarë për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit. Dhe ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).
Hasan Tahsini, përveçse ishte atdhetar, ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar e letrar. Ishte një iluminist enciklopedist…! Sipas burimeve turke, Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike. Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar, botuar më shumë se 20 libra shkencorë për astronomi, psikologji, pedagogji, etj. Studimet e tij, fillimisht i botoi në revistën shkencore: “Mexhmua-l-Ulum”, themelues i së cilës ishte ai vetë.
Duke vlerësuar veprimtarinë e tij krijuese dhe patriotike shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit”(1961) dhe Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl. I (1995). Së fundi u botua monografia “Profesor Hasan Tahsini”, në tri vëllime (Tiranë, 2009) e autorit Laurant Bicaj, që është botimi më i gjerë i bërë deri tani për Hasan Tahsinin.[1]
1. Hoxha Tahsini, profili shqiptar i ndritur i shekujve
Ekzistojnë shumë personalitete të mëdha të historisë, që duket sikur i mbulon pluhuri i harresës. Pastaj vjen një ditë dhe, ashtu siç zbulohen monumentet e një qytetërimi të humbur, zbulohen figurat e jashtëzakonshme të personaliteteve, që kohërat paradoksale i mbulojnë me tisin e rëndë të mjegullës, ose me rërat e shkretëtirave të pafundme. Një personalitet i tillë, që rikthehet nëpërmjet zbulimit, është Hoxha Tahsini. Ai punoi dhe shkroi në epokën kur iluminizmi dhe romantizmi evropian perëndimor krijuan horizonte të reja të perceptimit botëror edhe për emancipimin e popujve të suazës perandorake osmane dhe të Lindjes së Largët. Duke parë krijimtarinë e tij, mund të vëresh pa mëdyshje se vektori kulturor dhe filozofik europerëndimor, sidomos ai anglez, francez dhe gjerman, shkencat moderne ekzakte, etj., janë poli frymëzues i përsiatjeve, konkluzioneve në kahun e zhvillimit dhe të progresit botëror.[2] Nëpërmjet leximit të veprave të Hoxha Tahsinit mund të dallosh sesa modern dhe i thellë është ai, madje edhe sot, me analizat e tij paraprijëse.
Astronomia dhe Kozmogonia, të cilat Hoxha Tahsini i njihte mirë, i zmadhojnë përmasat e mendimit të tij. Askush si ai midis shqiptarëve dhe bashkëkohësve të tij nuk i ka njohur shkencat ekzakte. Ai është vlerësuesi maksimal i shkencave ekzakte si matematika, fizika dhe kimia. Janë shkencat ekzakte dashuria dhe atributi i tij i përkorë, janë pikërisht këto shkenca ato që përbëjnë “kushtetutën mendore” të krejt veprimtarisë së tij.[3] Interesante janë vëzhgimet dhe mendimet e tij për shkencat linguistike të antikitetit, të mesjetës dhe të kohërave moderne. Hoxha Tahsini flet për zanafillat e shkrimit dhe i kushton rëndësi të madhe hartimit të alfabetit dhe shkrimeve fonetike. Në këtë fushë ai reflekton një dituri marramendëse. Hoxha Tahsini jo më kot hartoi edhe një alfabet origjinal për gjuhën shqipe. Profili i shqiptarit Hoxha Tahsini, është profili jo i pjesshëm por i plotë i enciklopedistit. Parimi kulturologjik i enciklopedizmit konstruktiv u përqafua nga shqiptarët e shekullit XIX. Krahas Hoxha Tahsinit dhe Sami Frashërit duhen përmendur edhe Faik Konica e më pas edhe Fan Noli. Enciklopedizmi i ftillëzuar nga Hoxha Tahsini është një nga meritat e tij më të spikatura dhe më të qenësishme.
Ajo që të habit është se Tahsini i jep rëndësi parësore dhe botës psikike, botës së mendjes, vullnetit dhe imagjinatës. Ky korrelacion është modern. Kështu Tahsini përuron një hulli të ftillesës së modernitetit të shkencave dhe të iluminizmit, si dhe lidhjen midis induksionit dhe deduksionit.[4] Të shumta janë edhe shkrimet e tij për shkencat juridike, politikologjinë, të drejtat dhe liritë njerëzore. Ai ka një vështrim të emancipuar për kuptimshmërinë juridike dhe ligjet e përparimit të shteteve dhe njerëzve.
Për herë të parë për profilin e Hoxha Tahsinit ka shkruar, me stil epigramatik, Sami Frashëri, një binjak shpirtëror i tij. Samiu thotë se Tahsini i jepte rëndësi të madhe njohurisë së përgjithshme të njerëzimit sesa të individëve, pra e preferonte shkencën antropologjike kundrejt historisë. Për Samiun Tahsini qe “njeri i madh që rrallë e nxjerrin shekujt dhe kohërat”. Tahsini qe “dashnor i dijes dhe shkencës, i së drejtës dhe së vërtetës”.[5] Samiu thekson: “Çallmën e mbante të shpartalluar, flokët të pa prerë për një kohë të gjatë dhe ky njeri në dhomën e tij mbante të varur në mur një thënie në frëngjisht, brenda një kornize: “Për çdo send një vend dhe çdo send në vendin e vet.” Jo se nuk i pëlqente rregulli, por ai ishte në sektin e qenieve më të ditura, në botën e mendimtarëve.
Përveç Samiut, disa personalitete të tjerë me origjinë shqiptare dhe ish nxënës të tij kanë thënë fjalë vlerësuese për Hoxha Tahsinin, siç vijojnë më poshtë: “Hoxha Tahsini ishte në radhën e njerëzve të mëdhenj. Ai kishte një shpirt fisnik. Është për të vajtuar që veprat filozofike të shkruara prej tij u shpartalluan, meqenëse ranë në duar të pakujdesshme dhe të paditura.” (Riza Teufiku, filozof me origjinë shqiptare.)
“Hoxha Tahsini, në lëmin e fizikës, astronomisë, matematikës, kimisë e kozmografisë, qe aq i ditur e i regjur sa që kur fliste për çdo çështje që u përkiste këtyre lëmenjve, asnjëherë nuk kishte nevojë të hapte librin. Ishte shumë i aftë për të thënë në mënyrë të përsosur ato që dinte; çdo gjë që fliste e lidhte me praktikën.” (Dervish Hima)
2. Hoxhë Hasan Tahsini (kolana në tre vëllime)
2.1. Çfarë përmbajtje ka vepra e Hoxha Tahsinit?
Vëllimi i parë i veprës së Hoxha Tahsinit, me mbi 200 faqe, shoqërohet me vlerësimin e Sami Frashërit, si edhe me vlerësimin e Moikom Zeqos. Manushaqe Halili ka shkruar parathënien me titullin: “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im.” Kapitujt kryesorë në vëllimin e parë janë: “Historia e qenies ose e krijimit”, “Sekretet e ujit dhe ajrit”, “Psikologjia” etj.
Vëllimi i dytë prej rreth 350 faqesh, përmban lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës shkencore “Mexhmua-l-Ulum”, në të cilin kanë interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe bisedat për problemet me shumë interes të kohës së tij, ku shumica janë aktuale edhe sot. Në këtë vëllim të bie në sy tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave.”
Vëllimi i tretë, me rreth 300 faqe, ka të botuar lëndën e disa numrave të revistës shkencore dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomisë.”
2.2. Historia e qenies ose e krijimit
“Historia e Qenies ose e Krijimit” e shkruar nga ana e poetit, dijetarit dhe filozofit të madh Hoxha Tahsini, për një çështje shumë të lartë të Fuqisë Krijuese, ka të bëjë me dijen për gjendjet e shpirtit. Shkencat natyrore, sidomos kapitujt që lidhen me krijimin e Gjithësisë, janë shumë të rëndësishme për Hoxha Tahsini, aq sa shkencat e tjera i duken të panevojshme. Kjo e mëson njeriun me fillimin dhe fundin e tij. Për Hoxha Tahsinin koha është një fillim pa shtyllë dhe një lumë pa fund, që rrjedh hovshëm drejt ndryshimeve qiellore. Ajo prek veprimtarinë e pandërprerë dhe mund të thuhet pa frikë se është esenca e kuptimit të krijimit.
Duke marrë për bazë hadithin e Profetit Muhamed s.a.s: “Kërkojeni diturinë prej djepit deri në varr.”[6], Hoxha Tahsini thotë se së pari duhet të zbulojmë djepin, e pastaj varrin. Kjo do të thotë se nën kontrollin e shkencave ekzistuese, duhet të hulumtojmë nga erdhëm dhe ku do të shkojmë. Sipas tij, brigjet e disa shkencave janë të ngjitura për skajet e lumit të kohës dhe janë autoritete për sqarimin e disa periudhave të kohës së amshueshme, të cilat njëkohësisht, janë të lidhura ngushtë me të ardhmen, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në shtratin e këtij lumi kohor.
Historia e Krijimit na tregon madhësinë e mijëra trupave qiellor, që, me urdhër të Zotit, lundrojnë në gjithësi, e krahas asaj madhësie na tregon pafundësinë e gjithësisë. Në këtë pafundësi tregohet fuqia dhe madhështia e Zotit, mikrodimensioni i rruzullit tokësor, si dhe parëndësia e llojit njerëzor. Të gjitha këto i bën për të shërbyer si vatër e zbukurimit të moralit. Hoxha Tahsini në shkrimet e tij përpiqet që të vendosë në relata pozitive fenë dhe shkencën. Madje, ai thotë se çdo shkencë e ka obligim që të shprehë një pjesë prej periudhave të caktuara të historisë së gjithësisë dhe të vëzhgojë një hallkë të zinxhirit të qenies.[7]
Vetë Hoxha Tahsini, nëpërmjet shkencave të ndryshme si, kimi, matematikë, biologji, fizikë, astronomi, filozofi, psikologji, etj., arrin të dalë në përfundimin se këto shkenca janë hallka të një zinxhiri, që e çojnë njeriun drejt Krijuesit të Gjithësisë. Hoxha Tahsini i jep një rëndësi shumë të madhe historisë së krijimit, duke u bazuar edhe në Ligjet e Krijuesit të Gjithësisë. Krijuesi i Vërtetë është mbi shkallët dhe botët e zhvilluara dhe është përtej sistemeve të tyre. Ai, Emanues (Zoti) i plotë është Burimi i të gjithë lumenjve galaktikë dhe ekzistenca e tij eternale nuk është e lindur e as e përbërë. Krijuesi i Lartë është larg prej plotësimit dhe ndryshimit. Është Sistematizuesi dhe Vepruesi i së mirës, së bukurës, së drejtës, së vërtetës, fillimit dhe kthimit të çdo gjëje, si dhe i matematikës, logjikës dhe i metafizikës.[8]
2.3. Sekretet e ujit dhe ajrit
Në bazë të njohjes së plotë dhe të veçantë të kopshteve të begatshme të shkencës dhe me punën e palodhshme e të hollësishme dhe përkrahjen e pashembullt të mendimtarëve, është provuar se uji dhe ajri, si burime të jetës së të gjitha gjallesave, janë dy perla shumë të çmuara të arkës përplot begati të Zotit të Lartmadhëruar. Bazuar në thënien: “Ajo që nuk mund të kuptohet tërësisht nuk lihet krejt”, me këtë vepër Hoxha Tahsini synon ngjalljen e mendimeve të dijetarëve në lidhje me paraqitjen e karakteristikave dhe sekreteve të panumërta të ujit dhe ajrit. Nëpërmjet vargjeve të mëposhtme Hoxha Tahsini bën një përshkrim sa fetar edhe shkencor të pikës së ujit ku thotë:
E ngjashme si pika e Ba’së (shkronjës B) në besmelen (bismilah),
Pika e ujit është provë e lumit të madh,
Zoti i ka sqaruar cilësitë e ujit,
Çdo gjë të gjallë e krijova prej ujit (ue xhealna mine’l-mai kulle shej’in hajj)…[9]
Hoxha Tahsini, nëpërmjet shkrimeve të tij shkencore, synon të tregojë se vlera individuale e çdo trupi në natyrë dhe rëndësia e tij ndaj trupave të tjerë, përcaktohet në bazë të gjerësisë hapësinore, të cilën ai e përfshin në botën e pafundme. Për rrjedhojë, përfshirja e katër anëve të tokës nga uji dhe ajri, pozicioni i oqeaneve në rruzullin tokësor tregon qartë peshën dhe rëndësinë e këtyre dy substancave të tejdukshme ndaj të tjerave. Thënë shkurt, Hoxha Tahsini i bën një analizë dhe studim të thellë shkencor ujit dhe ajrit, duke treguar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e tyre për njeriun dhe për gjallesat e tjera, por jo vetëm.
2.4. Psikologjia
Hoxha Tahsini është i pari studiues shqiptar që është marrë me hulumtime të mirëfillta edhe në rrafshin e psikologjisë. Njëra nga veprat e shumta shkencore të tij është edhe “Psikologjia”, botuar në Stamboll në gjuhën osmane, më 1894, 13 vjet pas vdekjes së tij, nga dijetari turk me origjinë shqiptare Nadiri Fevzi. Psikologjia sipas Hoxha Tahsinit është një shkencë e rëndësishme që flet për shpirtin dhe fuqitë (proceset) e tij, si dhe mbi natyrën e rezultateve të këtyre fuqive (proceseve), është shkenca mbi psikikën e njeriut, e cila ka të bëjë me fuqinë arsyetuese, është shkenca që merret me aftësinë që ka njeriu për të folur e për të arsyetuar, aftësinë për të komunikuar, etj.
Krahas objektit të psikologjisë, Tahsini trajton edhe lidhjen e saj me shkencat e tjera, veçanërisht me logjikën dhe me filozofinë. Ai e konsideron psikologjinë si “bazë të logjikës” dhe si rezultat të përftuar nga hulumtimet në fushën e filozofisë, por thekson se psikologjia dhe filozofia nuk janë një. Duke e vlerësuar më shumë psikologjinë në krahasim me degët e tjera të filozofisë, me të drejtë shtron nevojën e studimit të saj. Ai mendon se pa i studiuar si duhet e në thellësi fuqitë (proceset) psikike, është e pamundur të formulohen konkluzione me vlerë teorike dhe praktike mbi psikologjinë e njeriut.[10]
Njeriun, Tahsini e koncepton si qenie të arsyeshme me intelekt dhe aftësi të shumta për të njohur realitetin. Kurse ndryshimin e njeriut nga kafshët e shikon sidomos në aftësinë e tij, domethënë të njeriut, për të menduar e për të folur. Por pas shumë mendimesh të drejta e thellësisht shkencore shprehet: “Lavdëruar qoftë Zoti, që është krijuesi më i mirë.” Në këtë vepër Hoxha Tahsini jep mendime mjaft të avancuara e shkencore, sidomos për kohën, vendin dhe kushtet, në të cilat punonte e jetonte.
2.5. Revista shkencore (Mexhmua-l-Ulum)
Hoxha Tahsini, disa vite pas largimit nga detyra e Rektorit të parë të Universitetit të Stambollit, kishte botuar një revistë shkencore të quajtur “Mexhmua-l-Ulum”, që në shqip do të thotë: “Revista shkencore” ose “Përmbledhja e shkencave”. Prandaj edhe dy vëllimet e tij janë një përmbledhje e shkrimeve të revistës shkencore “Mexhmua-l-Ulum”, në periudha të ndryshme kohore. Temat e përzgjedhura nga Hoxha Tahsini janë të larmishme, ku në qendër të tyre qëndron shkenca, siç mund ta kuptojmë edhe nga vetë emri i revistës, por nuk mungojnë as ndërthurja e temave fetare.
Siç e përmendëm edhe më lart, Hoxha Tahsini ishte njohës shumë i mirë i shkencave ekzakte, njohës i filozofisë, i universit hapësirë dhe kohë, i universit njeri dhe botë, që kudo vë dorë me synimin për t’i bërë me dije njerëzit, rrezaton një magji tërheqëse: e ka ëndërr të madhe arsimimin dhe qytetërimin e njeriut. Vizioni i tij për të nesërmen e globit njerëzor mbetet i hapur, përsosmëri e paarritshme. Por ajo që të mrekullon është pasioni, eleganca dhe mjeshtëria përmes të cilave ai sjell dhe provon të mbjellë farën e dijes, të shkencës më të përparuar të kohës.
Në një nga numrat e revistës shkencore, Hoxha Tahsini sjell një fjalim historik të një ministri francez të kohës për arsimin (Zhol Feri), i cili polemizon me klerikët, që ngrihen kundër reformave të ndërmarra në këtë fushë, arsimin, që Hoxha Tahsini e shihte si dritaren e vetme drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe natyrisht, fjala e ministrit vjen si një vringëllimë dhe shkëlqim shpate, që pret nyje dogmash terri: “…vetëm liria, liria e mendimit, mendja e lirë është e shenjtë, s’ka shenjtëri mbi të.”[11], e përfundon fjalën ministri. Duke paraqitur këtë fjalim ai kërkon ta zgjojë, siç thotë edhe vetë, nga përgjumja e lodhur më shumë se dy mijë vjet dijen njerëzore. Kërkon t’i hapë rrugë, ta vetëdijësojë mendjen e njeriut, të depërtojë përtej dhe të zgjerojë hapësirën e dijes, duke kërkuar njëkohësisht edhe shkaqet e këtij lëngimi që nuk merr fund në jetën e njeriut, e me sa duket rrezikon të jetë i përjetshëm.
PËRFUNDIM
Hoxhë Hasan Tahsini ishte një njeri me cilësi dhe virtyte të larta, që janë përcjellë deri tek ne në ditët e sotme. Duke i dhënë rëndësi të madhe studimit dhe shpjegimit të temave të ndryshme shkencore, Hoxha Tahsini synon që nëpërmjet shkrimeve të tij të frymëzoheshin edhe mendimtarë e dijetarë të tjerë, të zgjoheshin nga gjumi i thellë ku kishin rënë. Hoxha Tahsini me anë të krijimtarisë së tij na përcjell një mesazh shumë domethënës, na tregon se shkenca dhe feja janë në relata pozitive dhe se çdo shkencë është një hallkë e zinxhirit të pafund që na çon te Krijuesi i Gjithësisë.
Dija, gjithashtu ka një rol të rëndësishëm te çdo individ, pasi vetëm dija e bën njeriun me kuptimin e plotë të fjalës njeri. Ai na mëson se njeriu nëpërmjet arsimimit arrin majat, ndryshe nga i padituri që është shumë i ulët. Hoxhë Tahsini, duke e vlerësuar shkencën si shumë të dobishme, na shtyn neve të hulumtojmë rreth temave shkencore, të cilat na mësojnë se nga kemi ardhur e ku do të shkojmë. Padyshim Hoxhë Hasan Tahsini është një shembull mjaft i mirë për tu ndjekur nga të gjithë njerëzit, pa dallim moshe, sepse populli shqiptar ka shumë nevojë për njerëz të tillë me vlera dhe virtyte, siç ishte hoxha i nderuar.*
BIBLIOGRAFIA
1. “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi 3, Tiranë (2015).
2. Hoxha Tahsini, Vepra, Përgatiti për botim Manushaqe HALILI, Vëllimi 1, 2, 3 Shtëpia Botuese: Onufri, Tiranë (2013).
[1]. “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi 3, Tiranë (2015), f. 74-76.
[2]. Hoxha Tahsini, Vepra, Përgatiti për botim Manushaqe HALILI, Vëllimi 1, Shtëpia Botuese: Onufri, Tiranë (2013), f. 13.
[3]. Po aty, f. 14.
[4]. Po aty, f. 20.
[5]. Po aty, f. 17.
[6]. Po aty, f. 46.
[7]. Po aty, f. 46.
[8]. Po aty, f. 76.
[9]. Po aty, f. 87.
[10]. Po aty, f. 161
[11]. Po aty, f. 151.
Shkrimi është huazuar nga revistë shekncore “Zani i Naltë”, korrik, gusht, shtator 2018 nr. 24 (177), fq. 46.
Burbuqe Meta, Universiteti Bedër