-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hoxhallarët, kategori e respektuar e shoqërisë shqiptare

Më të lexuarat

Fjala “Hoxh” ë ~ a; shumës ~ allarë, ~ allarët “(Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980), është sinonim i fjalës «mësues». Në një kuptim më të specifikuar kjo fjalë tregon personin që drejton shërbimet fetare në xhami, që u mëson besimtarëve rregullat e dispozitat teologjike, filozofinë, moralin dhe edukatën e fesë islame, mandej jo vetëm si fe; Islami përcakton normat në marrëdhëniet shoqërore në fusha të ndryshme të jetës së njeriut. Janë edhe këto motivet që hoxhallarët gëzojnë respektin popullor. Në historinë e arsimit në botën islame, shkollat e profilizuara që kanë përgatitur hoxhallarë kanë qenë medresetë, nga të cilat kanë dalë dijetarë të shquar.1 Interesimi për hapjen e një medreseje të tillë në vendin tonë ka lindur si rrjedhojë e faktorëve historikë, nevoja për kuadro si imamë e funksionarë pranë institucioneve, nevoja për mësues feje. Pas shpalljes së «Mëvetësisë» u deshën disa vjet deri në krijimin e aparatit qendror drejtues «Komuniteti Musliman Shqiptar» që do të administronte institucionet fetare dhe vakufet, i pavarur nga Shejhul Islami, ku Vehbi DIBRA ka një kontribut shumë të madh edhe me shkrimet e porositë e tij.2

Ideja e hapjes së medresesë shtronte nevojën e rishikimit të metodave, hartimi i programeve mësimore dhe përcaktimi i objektivave për edukimin e nxënësve me ndjenja kombëtare etj. Medreseja nuk u hap brenda një dite; u desh shumë mund, shumë bisedime, duheshin zgjidhur shumë çështje e nënçështje financiare, duhej siguruar personeli pedagogjik, lokali i mësimit, literatura mësimore didaktike etj.

Ideatorët, flamurtarët e pastaj nismëtarët e kësaj lëvizjeje për ta çuar përpara problemin, u bënë ata që kishin marrë mësim në shkolla të përparuara të botës islame ose që kishin dhënë leksione ndër kësi shkollash si mësues e pedagogë.

Disponohen njoftime e informacione, vepra të botuara, kujtime, fotografi të ruajtura deri në ditët tona, që mbeten burimet kryesore historike. Autorë të veçantë prezantonin përvojën personale se si mund të themelohej një medrese në shërbim të islamit, në shërbim të atdheut. Hafiz Ali Korça propozonte që programi i mësimit të gjuhëve të huaja, përveç asaj amtare, të ndërtohej me: arabishten, persishten, turqishten dhe frëngjishten.3 Medreseja e Tiranës (Medreseja e Naltë) u hap më 1924, Hafiz Aliu, si profesor i arabishtes, zgjodhi metodën gjermane “Berlitz”; ai ua mësoi arabishten studentëve medresistë me të folur e me shkrim brenda dy viteve dhe ata arritën të përkthenin nga shkencat islame. Profesori i Korçës ndeshi në kundërshtimin e ndonjë konservatori.4 Më 1925 H. Aliu botoi librin “Bolshevizma, a çkatrrimi i njerëzimit”, që natyrisht influenconte në mënyrën e vet në botëkuptimin e lexuesve të kohës.

Mbi veprimtarinë pedagogjike të Hafiz Aliut shiko Sadik Bega: “Hafiz Ali Korça, pasqyrë e atdhetarizmit për brezin e ri”.Në artikull ngrihet edhe një herë çështja e metodave bashkëkohore.6 Mendohet se ka akoma familje qytetarësh, familje medresistësh të vjetër e familje profesorësh të Medresesë që ruajnë materiale të tilla. Edhe në këtë aspekt nuk mungon përvoja si: ceremonia e shpërndarjes së diplomave më 1932, konferencat e maturantëve të vitit 1945, kremtimi i 75-Vjetorit etj, të organizuara nga Medreseja.

«Dibrani» në shkrimin me titull: «Çka âsht medreseja e pse duam ta ngrefim atë », bën fjalë për medresetë e larta të Kordovës që u shkatërruan me egërsi nga inkuizicioni, i cili çrrënjosi qytetërimin islam të Spanjës. Këtë fat pësoi edhe qytetërimi islam i Sicilisë.7

Gjatë një periudhe prej shtatë vjetësh, me punë intensive, me mobilizim shembullor mësues–nxënës, u arritën suksese dhe u përgatit matura e parë. Revista «Zani i Naltë» boton shkrimin «Ceremonia e shpërndarjes së diplomave maturantëve të Medresesë», ku merrte pjesë vetë Ministri i Arsimit i shtetit shqiptar, Hilë MOSI dhe shpërndau diplomat. Gjithashtu ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Milto Tutulani.8 Shumica e djemve të kësaj mature ndoqën studimet e larta në Kajro, etj.. Pas Luftës së Dytë Botërore medresistët nuk mundnin të vazhdonin studimet në shkollat e përtej kufirit.

Me hapjen instituteve të larta e të fakulteteve të universitetit në vendin tonë, mjaft maturantë medresistë kryen studimet universitare në degë të ndryshme të shkencave e të dijeve dhe punuan me përkushtim në sektorë të arsimit, në institute shkencash etj. Medresistët u angazhuan edhe në detyra të rëndësishme fetare. Ata mbajtën kështu barrën e shërbimeve në xhamitë e qyteteve e fshatrave dhe kudo që shkuan lanë përshtypje shumë të mira me sjelljen e tyre korrekte. Pas vendimeve të mbrapshta të luftës kundër fesë, viti 1967, u shembën të gjitha faltoret, u ndalua kategorikisht ushtrimi i riteve fetare islame. Vetëm me ardhjen e pluralizmit besimtarët muslimanë iu kthyen fesë së tyre. E veçantë e këtij zhvillimi qëndron në faktin që medresistët, që kishin kryer studime të larta ose jo, me përmbysjen e diktaturës, kontribuuan pa rezerva dhe dhanë ndihmesën e tyre për rihapjen e xhamive ose u morën me punë të tjera në shërbim të Islamit, kudo që u ndodheshin në Shqipëri. Ata që nderojnë veten sot me titullin e Hoxhës si edhe shumë besimtarë pa këtë titull nga rinia shqiptare e nga “shoqëria civile”, ia kanë kushtuar veprimtarinë e vet çështjes islame, çështjes së edukimit të shqiptarëve me parimet e Islamit dhe atë të mbrojtjes së identitetit kombëtar e shpirtëror të popullit tonë, duke ruajtur me rigorozitet marrëdhënie të mira edhe me bashkëkombësit e tyre që u përkasin besimeve të tjera tradicionale. Për të realizuar këtë mision të vështirë, medresistët kanë mbajtur parasysh mësimet e dijetarëve tanë të shquar, të hoxhallarëve të mëdhenj, të pedagogëve të devotshëm e muderrizëve të palodhur të Medresesë, të cilët, pa marrë parasysh vështirësitë e përndjekjet policore të pamëshirshme, punuan dhe derdhën të gjitha forcat e tyre intelektuale e fizike për Islamin. Shkrimet e tyre, librat, konferencat, veprat e tyre janë trashëgimi e vyer, e pazëvendësueshme, prandaj duhen lexuar me vëmendje e duhen mbajtur dy herë më shumë si udhërrëfyes, sepse edhe fenomeni i islamofobisë shfaqet tinëzisht kundër veprimtarisë sonë.

Libri me titull «100 personalite të kulturës islame shqiptare», botuar nga K.M.SH. me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, pajisur me fotografi dhe referenca, është një kontribut me rëndësi të veçantë nga mund të nxjerrim mësime. Sakrificat e jashtëzakonshme të shumicës së këtyre veprimtarëve janë shembuj që nuk duhen lënë në harresë.

E pyetën Hafiz Ibrahim DALLIUN, nëse e kishin rrahur. Përgjigjet Hafizi në mënyrë lakonike: «Nëntë here!» Prof. Kristo FRASHËRI I. DALLIUN e quan Përfaqësues i brezit të fundit të Rilindasve»9 Tek «Revista Pedagogjike» kur flitet për Dalliun, dallohen lehtë nënteksti dhe simptomat e asaj rezistence përballë shantazheve policore.

Tek «100 personalitete» lexojmë biografi për figurat e paraqitura, që i hapin rrugën studimeve të mëtejshme të historisë së Islamit tek shqiptarët. Studiuesit, teologët, dijetarë të fushave të ndryshme kërkimore, medresistë që veshën uniformën fetare dhe që u angazhuan me detyra si imamë myftinj; të tjerë, edhe pa këtë rrobë të nderuar, u mobilizuan, gjurmuan e hulumtuan nëpër arkiva, shfletuan vëllime, zbuluan qindra dokumente rreth historisë së Islamit dhe shkruan vepra origjinale me vlera shkencore. As ata që vijnë nga kontingjenti i hoxhallarëve, as ata nga shoqëria civile, nuk kanë ndryshime esenciale nga tematika e trajtuar, as nga objektivat që synonin të arrinin brenda kuadrit të historisë së qytetërimit e të zhvillimit islam: argumentimet, deduksionet e arritura, faktet filozofike e shkencore të njërës palë, po me aq sukses i përdor edhe pala tjetër. Metodat kërkimore nuk janë të pakapërcyeshme tek njeri-tjetri. Le të ndalemi dhe ta shkoqitim sadopak këtë dukuri:

Dijetari, filozofi, hulumtuesi i apasionuar, Hafiz Ismet DIBRA në serialin e konferencave të veta në xhami ka trajtuar temën «A ka dyshim në qenien e Zotit» dhe shpjegimet e tij i ilustron me argumente nga literatura islame, me ajete e me hadithe, por bisedat e veta ai i ilustron edhe me të dhëna nga shkencat e natyrës, nga korifenjtë e filozofisë e të dijeve shkencore. Citon filozofin De Kart të këtë thënë: «Kaq i bindur jam në qenien e Zotit, sa jam bindur që shuma e këndeve të një trekëndëshi është baras me dy kënde të drejtë». Në faqen 71 (botimi i Amerikës) përmend Njutonin, Ainshtajnin e shkencëtarë të tjerë. Pikëpamjet filozofike të Hafiz Ismetit përmbajnë «definicione» unikale që i shërbejnë tolerancës e bashkëjetesës mes faktorëve heterogjenë.10

Ndërsa studiuesi Jonuz Buliqi nuk mbante çallmë; si i tillë mund të radhitet në kategorinë e intelektualëve të shoqërisë civile. Poliglot, matematikan, metodist, njihte mire tekstin e Kuranit. Në polemikën me prelatin e Vatikanit, Atë Pelegrino, i shpjegoi klerikut të lartë brenda të gjitha normave të mirësjelljes, përmbajtjen e dy verseteve kuranore. 11

Nga ekipi i pedagogëve përmendim me emër «klasikët», porse nuk janë vetëm këta, që kanë punuar me përkushtim të madh, nga duart e të cilëve dolën disa breza studentësh. Mes tyre zotërues nga dymbëdhjetë gjuhë të huaja Shaban DEMIRI e Vexhi BUHARAJA; Medresisti i shquar, Imam Vehbi ISMAILI, themelues i Qendrën Islame për shqiptarët e Amerikës e të Kanadasë. (Për Vexhi Buharanë më shumë inforrmacion përmban libri «Vexhi Buharaja pa mite e mjegull» i autorit Yzedin HIMA, Tiranë, 2008. Ndërsa në lidhje me Imam Vehbi ISMAILIN shiko edhe gazetën «REPUBLIKA» E dielë, 17 maj 2009, faqe 18-19.) Medreseja kaliste shpirtin e djelmoshave dhe i pajiste me dije të shëndosha islame e laike. Personalitetin e shquar Shaban DEMIRI, atë e njohin më mirë akademikët, gjuhëtarët.

Nga shtresa e “shoqërisë civile” siç i quajtëm ne, vetëm për të lehtësuar sadopak ndonjë vështirësi, pra aktivistët nga kjo shtresë janë angazhuar me shkrime e hulumtime, me punë organizative, të palodhur si veprimtarë për hapjen e xhamive kur triumfoi pluralizmi; të tjerë, moshash të ndryshme rrëmonin nëpër arkiva, shfletonin libra të rralla nga gjuha amtare e gjuhët e huaja. Mes tyre ndeshim: profesorë universitetesh e institutesh të larta shkencore e artistike me tituj e grada shkencore, mësues e mësuese. Pikëpamjet e tyre, përkthimet, pjesë nga krijimtaria e tyre me tematikë sociale, filozofike rreth Islamit, ku shprehin botën e tyre në prozë apo me vargje plot ndjenja, që u vlojnë në zemër e në shpirt, brenda qenies së tyre, janë botuar në organet e shtypit islam dhe jo vetëm. Të gjithë zënë një vend nderi në historinë e islamit shqiptar. Në këtë kuadër nuk lihen pa përmendur: Prof. Dr. Shefqet NDROQI, Dr. Qazim BAKALLI, me shkrime e veprimtari organizative; Dr. Honoris Causa Faik Luli, me libra me botime; Ismail Muça si publicist, Ali Basha me ” trilogjinë” e tij me vlera të mëdha shkencore, Xhemal Balla, i cili ka botuar disa vëllime dhe vazhdon t’i dhurojë lexuesit vepra të tjera. Remzi Sh. Gani, Ismail Dizdari, Muhammed Sytari, Ahmet Çaushi etj, kanë botuar artikuj në «Drita Islame », pastaj vazet e tyre (bisedat fetare) në Xhami, janë pëlqyer nga xhemati, (nga dëgjuesit). Zotërinjtë që me të drejtë iu përmenden emrat, dhe jo vetëm këta, janë frymëzuar nga metodat kërkimore të pedagogëve të Medresesë.

Por jeta, aktiviteti, veprat e tyre, dhe jo vetëm të tyre, njihen pak; mandej shumë nga djemtë e rinj e vajzat që vijnë në xhami nuk dinë, nuk kanë informacion. Po të gjithë ne kemi nevojë t’i zgjerojmë njohuritë tona për kontributin e pashembullt që kanë dhënë ata. Me ta krenohen shqiptarët. Prandaj duhet të mos i heqim nga goja, të mos i lëmë në harresë, duhen përmendur mësimet e porositë e tyre, këshillat si edhe konkluzionet e hulumtimeve të tyre, sepse kështu i shërbehet më mirë Islamit dhe Shqipërisë.

Hoxhallarët e rinj janë pjesë e respektuar e shoqërisë sonë. Pikërisht këta lypset të azhurnohen, mandej të zhyten në studime për t’u njohur me hollësi me të kaluarën tonë, me veprimtarinë e dijetarëve tanë e me aktivitetin e çmuar të ish-medresistëve.

Falënderime të posaçme hoxhallarëve të rinj! Ata do të marrin në dorë në të ardhmen detyra të vështira e do te përballen me situata që lypin zgjidhje të mençura, ashtu sikurse vepruan pararendësit tanë të nderuar në emër të Islamit e të humanizmit.

Falënderime edhe gazetës «LIDHJA» (Lidhja e Hoxhallarëve); aty e ndeshëm atributin “Hoxha” si një mesazh shembullor islam. Shumë urime «Lidhjes»: U bëftë ajo nismëtare e një shoqate të vogël jofitimprurëse e hoxhallarëve të rinj të Tiranës e më gjerë ku, me vullnet të lirë, të anëtarësohen mundësisht imamët, muezinët, lektorët, vaizët, hatibët e kryeqytetit, pavarësisht nga mosha apo stazhi në funksionet që ushtrojnë.

VA’TESIMU BIHABLI L-LAHI XHEMIAN UE LA-TEFERR-RREKU

“Lidhuni pas litarit (pas fesë së) së Zotit dhe mos përçani” (Ali Imran, 103)

Me respekt, F. K.

Fundnota:

1. DIBRANI: “Çka asht medreseja e pse duam ta ngrefim””: Revista « Zani i Naltë » Viti VI,, Nr 3, Mars 1929, faqe 801- 806 & F.K. Bibliografia e revistave “Zani i Naltë , Kultura Islame, Njeriu”, Istanbul 2007 , fq 39 , Nr rendor 415.

2. Nekrologji me rastin e vdekjes « Zani i Naltë», Viti XII, Nr 4, Prill 1937, Faqe 97- 120. Fjala e Visarion Xhuvanit, po aty.

3. Hafiz Ali Korça: “Si ishim e si jemi”, “Zani i Naltë” , Viti I i botimit , Nr. 5. (Fruer 1924 , faqe 152- 158 & ( Idem ” Bibliografia e revistave , faqe 7, Nr R. 59).

4. Hafiz Ali Korça : « RUBAIJJATI , Katroret e Umer Khajjamit », pjesa e parë, Shtypshkronja “Shkodra” – Tiranë, Ramazan 1361, vjesht’e parë 1942, faqe 86, 87.

5. Revista « Kultura Islame », Viti III i botimit, Nanduer-dhetuer 1941, faqe 102-105 )& F. Kacollja: Po aty «Bibliografia e revistave » Nr. Rend 370. faqe 176.

6. «Kultura Islame » Viti III i botimit, Numur 5-6-7, Kallnuer –-Shkurt- Mars 1942 faqe 144 ).

7. «Zani i Naltë », Viti VI i botimit, Nr 3, Mars 1929. faqe 801-806.

8.« Zani i Naltë », Viti VIII i botimit, Nr 3-4 Nanduer – dhetuer 1932, faqe 453- 475. «Bibliografia e revistave…» Faqe 54, Nr Rendor 593.

9. Për më shumë informacion shiko « Hafiz Ibrahim Dalliu, përfaqësues i brezit të fundit të rilindasve », gazeta « Republika » , E mërkurë , 18 gusht 2010 & E enjte 19 gusht 2010 ) , si edhe « Revista Pedagogjike», Organ i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Nr 3, Tiranë 1984 , faqe 123- 130) .

10. Hafiz Ismet DIBRA «A ka dyshim në qenien e Zotit » ALBANIAN ISLAMIC CENTER HARPER WOODS, MICH., U.S.A.Botimi i parë, 1413~ 1993» (idem Bibliografia FAQE 79).

11. Duhet lexuar materiali : Junuz Buliqi « Një falënderim dhe një mësim ». «Zani i Naltë » Viti XIII i botimit, Numër 4, Prill 1938, faqe e revistës 117-126) & Po aty «Bibliografia e revistave » Faqe 104, Nr.1135

/LHSH/

Share
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit