1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, Hill: Kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, e di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme

Më të lexuarat

Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90, duke i përfshirë siç tha ai edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

Hill në një postim në Twitter duke kujtuar atë periudhë thekson se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë.

“Unë ia kam kushtuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës sime, kam mësuar se ndonjëherë diplomacia dështon. Kur ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike.

Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, shkruan ambasadori Hill, raporton Telegrafi.

Ai më tej shprehet se populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por thotë se beson që  është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij.

“Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për partneritetin tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë.

Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb meriton dhe dëshiron për brezat e ardhshëm”, shkruan ambasadori Hill.

Ndryshe, sot janë bërë 24 vjet prej sulmeve të para të NATO-s ndaj caqeve të Serbisë, pas krimeve të pushtetit serb në Kosovë.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Sllobodan Millosheviqit dhe më 11 qershor 1999 forcat e Serbisë lëshojnë territorin e Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit