Në Beograd, përballë Fakultetit Filozofik u mbajt një protestë e djathtistëve kundër planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Protesta është paralajmëruar përmes rrjetit rus Telegram nga organizata e paregjistruar ultra e djathtë “Narodna Patrola” (Patrulla Popullore), e cila më herët organizonte protesta për shkak të politikës së qeverisë serbe ndaj Kosovës.
Folësit u prezantuan si studentë nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Beogradit.
Stefan Simonoviq, i cili u prezantua si student i Fakultetit Filozofik në Beograd, tha se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të thotë “rrënim për Serbinë”.
“Ne kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha negociatave dhe diskutimeve në kuadër të planit franko-gjerman”, tha Simonoviq nga foltorja, raporton REL në gjuhën serbe.
Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës njihet si plani franko-gjerman.
Më 27 shkurt, liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel shprehën gatishmërinë për të vazhduar me zbatimin e këtij propozimi të BE-së.
Të mbledhurit në protestë kanë brohoritur “Tradhti” dhe “Nuk do ta japim Kosovën”, si dhe terma nënçmues ndaj presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq dhe shqiptarëve në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Pas fjalimit para Fakultetit Filozofik, pjesëmarrësit e protestës dolën në një shëtitje proteste nëpër rrugët qendrore të Beogradit deri në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), ku kërkuan që “një mendim ndryshe, jo vetëm se Kosova ka humbur”, dëgjohet në shërbimin publik.
Gjatë shëtitjes deri te ndërtesa e televizionit publik RTS, pjesëmarrësit e protestës thërrisnin “Serbët, Rusët, vëllezërit përgjithmonë” dhe “Serbia për serbët”. Disa nga pjesëmarrësit mbanin flamurin rus.
Flamujt rusë, shkronja ‘Z’ si një nga simbolet e pushtimit rus të Ukrainës si simbol i ushtrisë mercenare private ruse Wagner janë të zakonshme në protestat e krahut të djathtë në Serbi.
Pavarësisht se vendi është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Beogradi zyrtar e arsyeton këtë qëndrim me mbështetjen e Rusisë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për çështjen e Kosovës.
Organizatat dhe lëvizjet e krahut të djathtë kundërshtojnë hyrjen e Serbisë në BE dhe mbështesin pushtimin rus të Ukrainës. /Telegrafi/