4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Urtia e Zotit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Shpesh jo vetëm jobesimtarët, por edhe një pjesë e besimtarëve pyesin për urtësinë e Zotit, pse Ai e krijoi këtë dhe atë? Pse krijoi sende, objekte, kafshë dhe fenomene që i shkaktojnë dëm njeriut dhe dhimbje atij? Pse ekziston e liga në botë? Përse njerëzit i bëjnë keq njeri-tjetrit? Në fund të fundit pse jeta në tokë nuk është një parajsë e pafund dhe pse ekziston vdekja, sëmundjet, plakja dhe vuajtjet?

Një ateist do të vazhdonte edhe më tej duke thënë se nëse Zoti do të ishte i plotfuqishëm dhe i mëshirshëm, atëherë Ai nuk do ta kishte krijuar botën kaq mizore dhe përderisa ajo është e tillë atëherë, sipas tij, kjo është argument se bota është thjesht produkt i evolucionit dhe nuk ka asnjë Zot që e ka krijuar atë! Edhe pse nuk ka asnjë domosdoshmëri logjike ndërmjet premisës dhe përfundimit absurd ku arrin ky lloj ateisti, kjo logjikë tregon në thelb sesa i paditur e i mangët mund të tregohet njeriu, përtej faktit që ai i tillë është.

Njerëzit kur mendojnë për Zotin, në mënyrë të natyrshme i atribuojnë Atij fuqinë e krijimit, se Ai është i plotfuqishëm për gjithçka, pas kësaj nisur nga fakti se ne ekzistojmë, Zotin me të drejtë e mendojmë të mirë e të dashur, të mëshirshëm e bujar me krijesat e Tij. Dhe Ai vërtetë është i tillë. Por atëherë, pse në botë ndodhin të gjitha ato të këqija që përmendëm më sipër? A nuk bie ndesh kjo me këto atribute të larta të Zotit?

Këto pyetje dhe të tjera të ngjashme me to, kanë në thelb defektin e perceptimit të Zotit të krahasueshëm me njeriun gati në çdo gjë, me dallimin e vetëm se Ai është më i fuqishëm, më bujar dhe se nuk ka nevojë për asgjë! Por Krijuesi në realitet është pafundësisht më tepër sesa kaq. Ai nuk i nënshtrohet botëkuptimeve tona njerëzore dhe ne kurrë nuk do mund ta njohim Atë siç njohim njeri-tjetrin apo krijesat e Tij. Dallimi mes Tij dhe nesh nuk është thjesht shumë shumë shumë i madh, është i pafundësisht i madh dhe e fundmja nuk matet dot kurrë me të pafundmen.

Krijuesi është i Plotfuqishëm, por Ai është edhe i Gjithëditur, Ai është i Gjithmëshirshëm, por edhe i Urtë e i Mençur. Fuqia e Tij krijuese, urtësia dhe mençuria e Tij orientohen pikërisht nga dija e Tij dhe dija e Tij është e pafund, ajo përfshin çdo gjë dhe nuk ka asnjë dimension kohor që e kufizon atë, ashtu siç është vetë Zoti, pa fillim dhe pa fund. Njeriu si krijesë me limite dhe kufizime të dukshme e ka të pamundur që ta rrok pafundësinë e dijes së Zotit, si i tillë ai nuk mund të kuptojë pafundësinë e krijimit dhe veprimeve të Tij dhe për rrjedhojë as pafundësinë e urtësisë së Tij. Të pafundmen nuk ka kapacitet krijesash që e mban, atë e mban vetëm Ai që ka atributet e pafundme.

Vetëm duke pasur këtë perceptim në mendje dhe duke mos e harruar asnjëherë atë, vetë pyetjet si, pse dhe përse, fillojnë e bëhen të turpshme dhe arrogante karshi Zotit.

Megjithatë është vetë Zoti që na e ka krijuar këtë natyrë kureshtare dhe është vetë Ai që na jep mundësinë të kuptojmë përmes dijes sonë të kufizuar diçka nga urtia e Tij e krijimit, që ndër të tjera do të thotë se pjesa tjetër e pikëpyetjeve të shumta që ne kemi është e lidhur pikërisht me pamundësinë tonë të njohjes dhe kufizimin e saj në të gjitha dimensionet, ndaj dhe shumë ‘pse’ nuk kanë më kuptim të bëhen.

Kështu që pafuqia dhe padija jonë për të njohur dhe kuptuar dijen dhe urtësinë e Zotit në veprimet e Tij, dëshmojnë pikërisht faktin se ne jemi krijesa dhe Ai është Krijuesi, se Ai është madhështori i pafund dhe jo se Ai nuk ekziston, siç thonë ateistët apo se Ai është i mangët, siç mund të mendojë dikush tjetër.
Allahu pra krijon dhe vepron në bazë të dijes dhe urtësisë së Tij, ndaj dhe çdo gjë që ndodh në këtë botë, e mirë ose e keqe, e këndshme ose e pakëndshme, e bukur ose e shëmtuar, e gëzuar ose e dhimbshme, të gjitha pa përjashtim janë pasojë e dijes dhe urtësisë së Tij, përmes të cilave Ai përmbush synimet e Tij. Kështu që ajo që mbetet për ne si krijesa është vetëm të ulim kokën me përulësi dhe të lutemi e të hulumtojmë sa e kemi mundësinë e njohjes, pa kaluar në arrogancën e mohimit apo kërkesës së njohjes absolute të Tij.

Disa nga urtësitë e Zotit
Vetë fakti që ne si njerëz kërkojmë të njohim qëllimin e veprimeve të Krijuesit; vetë fakti që ne që në vegjëlinë tonë kërkojmë të dimë qëllimshmërinë e gjërave dhe ndodhive, e nuk e kuptojmë dot botën pa to, është provë e qartë se ne nuk jemi produkt i evolucionit të paqëllimshëm darvinian, dhe se nuk mund të jemi kurrsesi një aksident i rastësishëm i natyrës së pamend.

Ateistët janë qenie njerëzore si gjithë të tjerët, dhe askush prej tyre nuk jeton dhe vepron pa një qëllimshmëri në jetë dhe megjithatë në mënyrë absurde ata i atribuojnë jetës dhe botës absurditetin e ekzistencës! Ata që i kanë shkuar deri në fund rrjedhojave logjike të kësaj ideje, kanë kuptuar se pa Zot dhe Krijues çdo gjë në këtë botë nuk ka kuptim dhe se jeta njerëzore është e kotë. Ky është përfundimi logjik në mënyrë gati matematike ku të çon besimi se nuk ka Zot, por në anën tjetër natyrshmëria e lindur njerëzore e kundërshton atë fuqishëm, duke krijuar një krizë të tmerrshme ekzistenciale. Në njërën anë të shtyrë nga ndjesia e pa rezistueshme e brendshme, ata kërkojnë t’i gjejnë kuptimin jetës dhe botës, por në çdo rast që tentojnë ta gjejnë atë përpara u del pashmangshëm ekzistenca e Zotit. Ndaj ose do të jetojnë gjithë jetën me këtë krizë identiteti, duke e injoruar atë intelektualisht, përmes shmangies së qëllimshme të vazhdueshme të Krijuesit, ose do të përpihen në vorbullën e saj dhe do të pranojnë Krijuesin si të Vetmin zgjidhje të mundshme, duke gjetur qetësi me shpirtin e tyre, ose do ta refuzojnë atë dhe do t’i japin fund jetës herët ose vonë.

Po për një besimtar i cili kërkon të dijë urtësinë e Zotit nga krijimi i gjërave të pakëndshme, cila është përgjigjja?

Përgjigjja apo më saktë përgjigjet, pasi ka shumë të tilla, janë aty, mjafton që njeriu të njoh më shumë madhështinë e Zotit dhe të meditojë rreth larmisë dhe kompleksitetit të pafund të krijesave, të historisë së jetës, rrjedhës së ngjarjeve dhe të thellohet në fjalët e shpallura të Krijuesit, për të kuptuar disa nga urtësitë e shumta të asaj që ndodh në krijimin e Tij.

Së pari, njerëzit duhet të kuptojnë se kjo botë me të mirat dhe të këqijat e saj është krijuar, jo për të qenë një parajsë, edhe pse shumë shpesh ajo është një botë e bukur, e mrekullueshme dhe gazmore. Bota që Zoti krijoi dhe ne jetojmë në të është një botë e përkohshme, një botë sprove dhe testi për njerëzit, është një botë që në thelb përmbush në mënyrë të përkryer qëllimin hyjnor të krijimit të njeriut. Duke qenë e tillë, ajo nuk mund të jetë një parajsë pa vuajtje dhe mundime, pa dhimbje dhe sëmundje, pa vdekje dhe pleqëri. Ajo i ka të gjitha këto, sepse të gjitha këto përmbushin më së miri qëllimin e sprovës për të cilën ajo është krijuar. Kështu që kjo botë është e përsosur, sepse përmbush pikërisht në mënyrë të përsosur qëllimin e Zotit dhe urtësinë e Tij të krijimit të saj.

Ky është këndvështrimi me të cilin duhet ta shohim botën dhe jo duke e krahasuar atë me Xhenetin apo Parajsën e premtuar, apo të ëndërruar, sepse ajo është një botë krejt e ndryshme dhe e krijuar për një tjetër qëllim, që nuk është i njëjtë me atë të kësaj bote. Kjo është bota e lodhjes, e mundimit, e përpjekjeve, është bota e një udhëtari që është ndalur përkohësisht në të dhe që pret të kalojë në botën tjetër të përhershme, të shpërblimit, ku ai do të gjejë edhe prehjen përfundimtare.

Çdo gjë e mirë dhe keqe që na ndodh në këtë botë duhet parë pikërisht me këtë sy: si përmbushje e qëllimit për të cilën Zoti e ka krijuar dhe si pjesë përbërëse dhe e pandarë e një tjetër bote, pa të cilën kuptimi i kësaj bote do të ishte i mangët.

Së dyti, i gjithë krijimi i Zotit që ne arrijmë të shohim dhe njohim edhe pse është një pjesë e vogël e pafundësisë së krijimit të Tij, shpalos në të më së miri disa prej atributeve të Tij më madhështore, siç janë dija, plotfuqishmëria, urtësia, mëshira, falja, drejtësia etj. të gjitha këto cilësi nuk mund të dalin në pah për krijesat nëse ato nuk manifestohen te krijimi i Tij. P.sh. Ibn Kajimi shprehet duke thënë: “Nëse gjurmët e emrave dhe atributeve të Tij nuk mund të shpalosen vetëm se përmes krijimit të qenieve të kundërta, atëherë urtësia e Tij e kërkon që ato të krijohen patjetër, dhe nëse nuk do të krijoheshin atëherë ne nuk do t’i kishim njohur efektet e atributeve të Tij.” Për rrjedhojë dhe njohja e Zotit dhe Krijuesit tonë do të ishte më e pakët.

Duke qenë se për ne si krijesa është e pamundur ta njohim Krijuesin në realitetin e Tij, atëherë e vetmja rrugë është njohja përmes atributeve të Tij, dhe atributet e Tij njihen përmes veprimit të tyre në botën tonë të krijuar. Kështu që çdo krijesë dhe çdo gjë që ndodh në botë është efekt apo pasojë e atributeve të Tij.

Merr p.sh. mëshirën dhe faljen, të cilat Ai i thekson dhe i përmend kaq shpesh në Kuran. Këto atribute madhështore nuk mund të njihen dhe ndjehen nëse nuk do të kishte diçka për të mëshiruar dhe falur. Në një jetë parajsore nuk arrin të kuptosh dhe ndjesh se çfarë është mëshira dhe falja, e që ato të shpalosen me gjithë forcën e tyre duhet të ketë vuajtje, dhimbje, sëmundje, fatkeqësi, vdekje, mëkate, gabime, faje, krime dhe pendime.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për cilësitë e tjera të Zotit, të cilat nuk mund të njihen dhe ndjehen nëse në botë nuk do të ekzistonte e keqja. Edhe pse e keqja nuk është pjesë e qenies dhe e atributeve të Tij, ajo shërben si mjet dhe element i pashmangshëm përmes të cilës dalin në pah këto atribute të Tij madhështore. Nëse qëllimi i krijimi tonë është pikërisht njohja e Zotit dhe adhurimi i Tij dhe nëse kjo nuk mund të bëhet më së miri vetëm se nëpërmjet ekzistencës së të këqijave në këtë botë, atëherë ekzistenca e tyre është e domosdoshme, sepse përmbush më së miri pikërisht qëllimin e krijimit tonë.

Së treti, Zoti e ka krijuar njeriun ndryshe nga shumë krijesa të tjera, duke i dhuruar atij lirinë e zgjedhjes dhe përzgjedhjes, mes tyre edhe lirinë e zgjedhjes së të vërtetës së Tij ose jo, të së mirës ose të keqes dhe kjo liri shoqërohet domosdoshmërisht me përgjegjësinë e zgjedhjes që njeriu bën.

Nëse njeriu ka lirinë të zgjedh, atëherë kjo do të thotë se ai ka mundësinë edhe të gaboj e mëkatoj, dhe gjynahu shoqërohet me pasoja, të cilat është në të mirën e njeriut të vuhen në këtë botë të përkohshme.
Së katërti, vuajtjet dhe mundimet ia shlyejnë njeriut gabimet, e bëjnë atë më të përgjegjshëm, i rikujtojnë atij sesa krijesë e dobët dhe e brishtë është, sesa nevojtar është për mëshirën dhe faljen e Zotit, për mirësinë dhe begatinë e Tij, përmes durimit i jepet atij shpërblim të cilin nuk do të mund ta arrinte nëse nuk do të sprovohej prej këtyre vuajtjeve dhe vështirësive.

Vuajtjet e kalisin njeriun shumë më tepër sesa kënaqësitë dhe rehatia dhe e bëjnë atë më të aftë dhe të përgjegjshëm në jetë, e bëjnë më falënderues dhe mirënjohës ndaj Zotit, e afrojnë atë më shumë me Të. Ashtu siç metalet forcohen dhe purifikohen përmes temperimit në zjarr dhe në ujë, ashtu edhe njeriu nxjerr më të mirën e tij kur sprovohet me të mira dhe këqija, me gëzime dhe hidhërime. Vuajtjet ashtu si kënaqësitë janë shanse që Allahu i jep njerëzve për të njohur më mirë Krijuesin dhe për t’iu përulur Atij me adhurim. Përmes zgjedhjes së gabuar njerëzve u ulet egoizmi, përulësia që shkakton ndjenja e pendesës nga gabimi dhe faji është shumë herë më e sinqertë dhe më e dashur për Zotin sesa krenaria e një akti devocioni që nuk ka brenda sinqeritet dhe përulësi.

Së pesti, të këqijat që i ndodhin njeriut i japin kuptim jetës së tij në këtë botë, kuptim pa të cilin ai nuk jeton dot. P.sh. vdekja i kujton njeriut se është i përkohshëm në këtë botë, ndaj dhe e motivon atë të bëj mirë e të jetë i drejtë, ajo e motivon atë gjithashtu të përpiqet të ruaj shëndetin dhe të mos abuzojë me të, e shtyn atë të kërkojë një jetë sa më të gjatë. Sëmundja i jep kuptim shëndetit, varfëria pasurisë, vuajtja gëzimit, dhimbja kënaqësisë, e liga së mirës dhe vdekja vetë jetës.

Mirësitë dhe begatitë e Zotit njihen dhe kuptohen më mirë kur njihen të kundërtat e tyre. Nevojën dhe kërshërinë e madhe që njeriu ka për kuptim nuk e përmbush dot më mirë sesa ballafaqimi mes të kundërtave. Përmes të keqes njeriu njeh dhe kupton vlerën reale të së mirës.

Së gjashti, kjo botë është pazgjidhshmërisht e lidhur me botën tjetër, çdo mirësi dhe kënaqësi që ne përjetojmë në këtë botë na tërheq vëmendjen për mirësitë dhe kënaqësitë më të mëdha që na premtohen në botën tjetër. Çdo vuajtje dhe dhimbje që ne përjetojmë në këtë botë na tërheq vëmendjen për ndëshkimin që rrezikojmë të prekim në botën tjetër.

Edhe vetë jeta në botën tjetër merr më shumë kuptim, përmes kësaj bote, me të mirat dhe të ligat e saj, përmes vuajtjeve dhe dhimbjeve të kësaj bote, të cilat do të mbushin kujtimet tona në përjetësi, duke i dhënë edhe më shumë forcë dhe kuptim jetës së përhershme. Asnjë dije, asnjë perceptim dhe imagjinatë njerëzore nuk mund të arrijë atë që njeriu arrin përmes përjetimit dhe përvojës së drejtpërdrejtë. Dhimbja, trishtimi, zemërimi, hutimi, mërzitja, urrejtja janë ndjenja që nuk do të mund t’i provonim dhe përjetonim dot kurrë nëse nuk do të jetonin në këtë botë. Ato do të mbeten një përvojë e paharruar dhe e pashlyer që do ta rikujtojmë në botën tjetër, e që do ta bëjë atë më kuptimplotë.

Larmia e kësaj bote me të mirat dhe këqijat e saj i jep një kuptim madhor botës tjetër. Duke krahasuar të këqijat afatshkurtra të kësaj jete që marrin fund me përfundimin e saj, kuptojmë rëndësinë, vlerën dhe madhështinë e së përhershmes që na pret.

Së shtati, vetë Zoti është i mirë dhe i drejtë, i mëshirshëm dhe bujar, e keqja nuk vjen drejtpërdrejtë prej Tij, ajo është pasojë e veprimit të atributeve të Tij, dhe si e tillë ajo nuk ekziston si qëllim në vetvete. Nuk ekziston e keqja absolute, pra e keqja për hir të së keqes, por ekziston e keqja për hir të së mirës. E keqja është relative, ajo është pasojë e domosdoshme e ruajtjes së ekuilibrit të kësaj bote, sepse përmes saj si pasojë përmbushen shumë urtësi dhe mirësi të cilat në këtë botë nuk do të mund të përmbusheshin vetvetiu vetëm përmes mirësisë absolute. Sa e sa të këqija janë bërë shkak për shumë të mira të tjera, të cilat njeriu as nuk i ka imagjinuar e menduar më parë. Ndaj asgjë në krijimin e Zotit nuk është kot dhe pakutim, edhe pse ne mund ta shohim atë si rastësore dhe me dijen tonë të kufizuar si të pavlerë.
Padija jonë nuk mund të shërbejë kurrë si gjykatëse e Urtisë së Zotit, sepse ajo jo vetëm është ekstremisht e kufizuar, por shpesh është e pasaktë dhe e gabuar. Njeriu duhet të kuptojë dhe pranojë limitet e tij, sepse pikërisht arroganca dhe mendjemadhësia janë mëkati i parë në këtë botë që e largoi një krijesë si Iblisi nga Krijuesi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit