Synimi i madh i Bibi-t për “pajtim” me Mbretërinë saudite
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha së fundi se ka folur në Tel Aviv me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit amerikan, Jake Sullivan, për perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Një deklaratë nga zyra e Netanyahu-t tha se kryeministri izraelit dhe Sullivan diskutuan gjithashtu për Iranin, si dhe hapat e ardhshëm për të thelluar marrëdhëniet e Tel Avivit me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin.
Biseda e Netanyahu-t me Sullivan u pasua nga një takim virtual me homologët e tyre nga Emiratet dhe Bahreini.
Ata diskutuan bashkëpunimin në fushën e teknologjive të reja, sigurinë rajonale dhe tregtinë, raporton Reuters.
Çështja Palestineze
Izraeli dhe aleatët e tij të Gjirit kanë frikë nga Irani, por kthimi i Netanyahu-t në krye të një qeverie koalicioni fetar-nacionalist ka ngritur shqetësime për një përshkallëzim në konfliktin e gjatë me palestinezët.
Netanyahu, i cili rifilloi mandatin e tij të gjashtë si kryeministër muajin e kaluar, është zotuar të krijojë lidhje me Arabinë Saudite që do të përmbyllnin marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve që ai nënshkroi me Emiratet dhe Bahreinin në vitin 2020.
Në të njëjtën kohë, presidenti palestinez Mahmud Abbas bëri thirrje për ndërhyrjen e SHBA gjatë bisedimeve me Sullivan në Ramallah.
“Situata e rrezikshme për shkak të përshkallëzimit izraelit kërcënon sigurinë dhe stabilitetin,” tha Abbas, raportoi Reuters.
Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA, të cilat synonin krijimin e një shteti palestinez, dështuan në vitin 2014. Qeveria e re e Netanyahu-t përfshin gjithashtu partnerë që kundërshtojnë shtetësinë palestineze dhe duan që vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të zgjerohen, kujton agjencia britanike. /tesheshi.com/