1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

NDIKIMI POZITIV I MODELIT TË SAHABËVE NË FORMIMIN E KARAKTERIT TË NJË MYSLIMANI

Më të lexuarat

Të flasësh për sahabët, shokët e Profetit (a.s.), nuk është aspak e lehtë, përkundrazi nxit kritikën ndaj vetvetes duke pyetur shpeshherë nëse jemi të denjë për ndjekjen e shembullit të tyre. I dërguari i Allahut ka qenë dhe do të jetë një kandil ndriçues për myslimanët, ndërsa sahabët, shokët e tij, janë shoqëria më e zgjedhur e tij, të cilët kanë ndihmuar në përçimin e kësaj drite.  Tipari dallues i sahabëve padyshim që është bindja e palëkundur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, të cilën e shohim më së miri të shpalosur në ajete të ndryshme kuranore ku ndër të tjera, vlen të përmendet: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni të vërtetën.” (Enfal 8/20) Ndërkohë Profeti (a.s.) thekson: “Kush më bindet mua nuk ka dyshim se i është bindur Allahut, e kush më kundërshton mua nuk ka dyshim se ka kundërshtuar Allahun.

Ndërsa shfleton faqet e librit në fjalë të bie në sy lidhja e fortë që ata kanë me të Dërguarin e Allahut, besimi i sinqertë i pasqyruar në adhurime të panumërta dhe zbatimi i urdhrave hyjnorë në çdo çast të jetës së tyre. Sigurisht që shembulli i Profetit (a.s.), i pasuar nga shembulli i shokëve të tij, është një model i përsosur për çdo mysliman dhe myslimane, është një busull orientuese në ato periudha të lëkundjeve shpirtërore dhe udhëzues i pazëvendësueshëm në praktikimin e urdhëresave fetare.

Në këtë shkrim do të trajtojmë ndikimin pozitiv të modelit të sahabëve në formimin e karakterit të një myslimani, avantazhet e të pasurit të një modeli të përkryer siç është ai i Profetit tonë të nderuar. Ky ndikim mund të trajtohet në tre sfera të ndryshme të jetës së një besimtari, të cilat mund t’i ndajmë në fazën e parë të  besimit, në fazën e dytë ku pasqyrohen  praktikat fetare, si pjesë e pandarë e besimit, dhe në fazën e tretë të moralit, i cili plotësohet më së miri me realizimin e dy fazave të para.

Allahu i Madhëruar ka dërguar profetë të ndryshëm në periudha të ndryshme të historisë së njerëzimit me qëllim udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë dhe dërgimin e një modeli udhëzues për to. Profeti (a.s.) erdhi për të rrënjosur në zemrat e popullit të tij, dhe më pas të gjithë njerëzimit, farën e pastër të madhërimit e besimit të një Zoti të vetëm. Dhe për këtë luftoi për 23 vite me radhë, përjetoi ofendime, sharje e tortura të ndryshme por nuk u dorëzua. Fara e besimit tek individi kultivohet që në fëmijëri në mënyrë që të japë frytet e saj në vitet më pas. Sigurisht që ky është një proces i gjatë që kërkon durim, përkushtim e sakrifica. Modeli i sahabëve shërbeu si një mbështetje e fortë, pasqyrë e plotë e shembullit të Profetit tonë të nderuar për myslimanët e rinj të cilët përqafonin fenë islame.

Këshilla e Ubade bin Samit ndaj të birit të tij, për t’i besuar kaderit, është një këshillë e vyer e cila nuk vjetrohet asnjëherë. Ndërkohë që ai ishte në ditët e fundit të jetës së tij i drejtohet të birit me këto fjalë: “Shiko o biri im i mirë, po nuk i besove kaderit ashtu siç duhet, as Zotin nuk e njeh siç duhet, as besimit nuk mund të thuhet se ia ndien shijen e vërtetë. Biri im, unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut kur na tha: ‘Krijesa e parë e Allahut është pena. Ai i tha asaj shkruaj e ajo shkruajti gjithçka që ka ndodhur e do të ndodhë nga fillimi e deri në ditën e Kiametit. Ja pra, nëse vdes pa e besuar këtë, ti do të hysh në Xhehenem.”

E vlefshme për të gjithë ne është gjithashtu dhe këshilla e Profetit (a.s.) për rifreskimin e besimit ku thotë: “Rifreskojeni besimin tuaj.” I thanë: Po si do ta rifreskojmë ne besimin? Ai u përgjigj: “Duke e thënë sa më shumë fjalën La ilahe il-lallah”. Besimi  është pasqyrë e shpirtit të njeriut, është një strehë e ngrohtë dhe mbështetje e fortë gjatë sprovave të jetës. Shumë studime kanë treguar se individët besimtarë i përballojnë më lehtë dështimet, fatkeqësitë apo sprovat e ndryshme të jetës së kësaj bote. Besimi është burim i pafund fuqie dhe force. Besimi i një myslimani plotësohet atëherë kur shprehet me gojë dhe mbështetet në vepra. Besimtar quhet njeriu i besueshëm, me personalitet e karakter të shëndoshë që jep siguri, i beson Allahut dhe e vërteton atë, e pohon besimin me zemër dhe e praktikon në vepra.

Kur bëhet fjalë për praktimin në vepra, gjëja e parë që të vjen ndërmend është namazi, shtylla kryesore e fesë islame. Gjatë leximit të librit “Jeta e sahabëve” vëmë re sesa të ndjeshëm kanë qenë sahabët ndaj faljes së namazit, zbatueshmërisë perfekte të të gjitha rregullave të tij.  Umu Rumani tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kur të bëheni gati për të falur namazin, shkëputini tërësisht marrëdhëniet me ato çfarë keni përreth, mos u ktheni sa majtas djathtas siç bëjnë hebrenjtë, sepse edhe shkëputja e marrëdhënies me ambientin përreth është një pjesë namazi.

Namazi ka qenë bashkëshoqëruesi i vazhdueshëm, i pandashëm, për asnjë moment apo arsye, nga sahabët. Shembulli i Omerit, i cili nuk zgjohej lehtë për shkak të plagëve që kishte në trup por u zgjua menjëherë sapo i thanë se kishte ardhur koha për t’u falur na tregon edhe një herë lidhjen e fortë që ekzistonte mes sahabëve dhe namazit. Shembulli i sahabëve na tregon haptazi  domosdoshmërinë e namazit në mbajtjen gjallë të shpirtit, në freskimin e besimit dhe në shtimin e dashurisë ndaj Zotit të Madhëruar dhe Profetit (a.s.). Praktikimi i rregullt i namazit ndikon pozitivisht në strukturimin e jetës së individit, në programimin e agjendës së përditshme dhe në organizimin më të frytshëm të jetës së tij. Krahas lidhjes së drejtpërdrejtë me Krijuesin, namazi i mëson njeriut rregullin e disiplinën dhe i forcon karakterin e tij. Profeti (a.s.) dhe shembulli i sahabëve janë një mbështetje e fortë dhe një nxitje e vazhdueshme në përmirësimin e adhurimeve fetare.

Në të njëjtën kohë, janë një udhërrëfyes i specifikuar dhe i ndarë në tematika të ndryshme. Zekati apo dhurimi është një nga obligimet e myslimanit i cili plotëson kushtet e dhurimit. Me anë të shembullit të sahabëve mësojmë se mënyra më e mirë e të dhuruarit është të dhurosh gjënë më të dashur tek ti, vetëm në këtë mënyrë mund të arrish kënaqësinë e vërtetë të Allahut të Madhëruar. I Dërguari i Allahut thotë: “Allahu nuk më ka urdhëruar mua të grumbulloj pasuri apo t’u bindem dëshirave të mia. Ai që grumbullon pasuri, sikur të ishte i sigurt se do të jetojë përjetësisht në këtë botë, ta dijë mirë se kjo jetë është vetëm në dorën e Allahut. Unë dua t’ju bëj me dije se nuk grumbulloj kurrë as dinarë, as dërhemë dhe as nuk lë ushqim për nesër.

Besimtari që e jep rregullisht zekatin solidarizohet me të varfrit, i është mirënjohës Zotit për gjendjen e tij dhe vazhdimisht përpiqet të japë më të mirën nga vetja. Një person i tillë është një shembull pozitiv për shoqërinë tonë që përballet çdo ditë me shembuj të ndryshëm të varfërisë ekstreme. Dhënia e zekatit është zbatuar me përpikëri nga ana e sahabëve, të cilët kanë dhuruar gjithmonë më të mirën e pasurisë së tyre dhe kanë preferuar që të dhurojnë çdo gjë për të varfrit dhe nevojtarët, duke u vetësakrifikuar.

Pak më lart analizuam ndikimin pozitiv të shembullit të sahabëve në besimin dhe adhurimet përkatëse por nuk mund të lëmë pa përmendur efektin pozitiv të sjelljes së sahabëve në sjelljen e besimtarëve të sotëm. Ndër tiparet më të theksuara të tyre mund të përmend butësinë, turpin, thjeshtësinë, durimin dhe devotshmërinë. Kultivimi i tipareve të tilla është shenjë treguese e një karakteri të fortë e të shëndoshë, të palëkundur nga ngacmimet e kohës dhe vendit ku jetojmë.

Edukimi i fëmijëve tanë, në ditët e sotme, përbën një sfidë të vështirë, duke marrë parasysh ndikimin negativ që krijon ndjekja e shembujve të papërshtatshëm virtualë. Myslimanët e sotëm kanë nevojë të vazhdueshme, më shumë se kurrë, të ndjekin gjurmët e Profetit tonë të nderuar dhe të pasuesve të tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojnë brezat e rinj nga ndjekja e modeleve të gabuara të cilët shërbehen orë e çast në mediat sociale dhe ato vizive. Edukimi i fëmijëve tanë me anë të modelit të sahabëve do të bëjë të mundur rritjen e shumë Abdullah bin Mes’udëve të devotshëm, të përkushtuar, të duruar, modestë dhe bujarë.

T’i pajisim brezat e rinj me moralin e Profetit (a.s.) ku Aisheja (r.a.) e shpjegon më së miri kur thotë se morali i tij ishte Kur’ani.  Le të mundohen të gjejnë paqen dhe qetësinë në momentet e zemërimit me anë të shembullit të Omerit (r.a.) ku ndër të tjera Ibn Omeri tregon: “Kur Omeri i nderuar (r.a.) nevrikosej, nëse pranë tij ndodhej dikush që do ta përmendte Allahun, apo do ta trembte duke i përmendur ndëshkimin e ashpër të Allahut, apo nëse do të këndohej ndonjë ajet i Kur’anit, ai do të hiqte medoemos dorë nga ajo që kishte vënë në mendje të bënte.

Ndjenja e turpit sot trajtohet më shumë si një e metë sesa një cilësi e lartë e moralit të personit. Prindërit përpiqen të gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për të hequr ndjenjën e turpit te fëmija. Përkundrazi Profeti (a.s.) e lartëson Osmanin (r.a.) sahabiun, kalifin e ardhshëm për butësinë, dhembshurinë dhe ndjenjën e turpit që kishte. Në lidhje me të ai thotë: “Betohem tek Allahu në dorën e fuqisë së të Cilit është edhe fryma ime se engjëjve u vjen turp nga Allahu, nga i dërguari i Tij por u vjen turp edhe nga Osmani. Nëse Osmani do të hynte brenda dhe ti do të qëndroje pranë meje ai jo vetëm që nuk do të fliste asnjë fjalë por as kokën nuk do ta ngrinte nga toka.

Të mos harrojmë se turpi është konsideruar si gjysma e besimit dhe jo një mangësi e personit.

Aisa Kokiçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit