0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Dita e Ashuras

Më të lexuarat

Falenderimet i takojnë vetëm Allahut i Gjithëfuqishëm mbi robërit e Tij, i Plotëfuqishëm mbi çdo send, nuk ka pasë ndihmues në krijimin e qiejve dhe tokës, Ndihmuesi i çdokujt që ndihmon fenë e Tij, Dënuesi i çdokujt që kundërshton fenë e Tij edhe nëse i është zbukuruar dunjaja dhe prej njerëzve ka ndihmëtarë, i ka ndarë krijesat e Tij siç ka dëshiruar, djathtas e majtas, {Ne e udhëzuam atë (njeriun) në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës (falenderues, musliman) ose përbuzës, kundërshtues, jobesimtar. Ne për jobesimtarët kemi përgatitur zinxhirë, pranga e zjarr. S’ka dyshim se të devotshmit do të pijnë nga gota që përzierja brenda saj është nga kafuri aromatik)

Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, I Vetëm dhe I Pashok, me një dëshmi që të na bëjë dobi në Ditën e Kijametit dhe do të na japi neve paqe, mëshirë dhe mirësi prej Allahut të Lartësuar. Dëshmojmë se Profeti Muhamed është robi dhe I Dërguari I Allahut, Paqja , mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, familjen , shokët dhe gjithë ata që e pasuan dhe pasojnë deri në kijamet. 

Vëllezër muslimanë!

Allahu I Lartësuar na ka dhënë mirësi të shumta, prej tyre janë dita dhe nata, dielli dhe hëna. Në bazë të tyre janë bërë llogaritja e muajve dhe viteve. Kështu besimtarët muslimanë praktikojnë kalendarin Hixhrij I cili bazohet në lëvizjen e hënës. Viti hënor ashtu si dhe ai diellor I ka 12 muaj të përcaktuar me ajet kuranor, prej tyre 4 janë të shenjtë. Thotë Allahu I Lartësuar :

 (إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِنْدَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَوَاتِ وَالأرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ فَلَا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنْفُسَكُمْ) الآية [التوبة:36

{Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! }

E ka bërë muajin Muharrem muajin e parë të kalendarit hënor dhe njëkohësisht një prej katër muajve të shenjtë . Në një hadith që e transmeton imam Buhariu prej  Ebi Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të)  ka thënë: “Viti ka dymbëdhjetë muaj prej tyre katër janë të shenjtë tre janë një pas një: Dhulkade, Dhul-hixhe dhe Muharem kurse muaji Rexhep është ndërmjet Xhumades dhe Shabanit.”

 Mirësitë e këtij muaji janë të shumta.  Prej tyre është shtimi I agjërimit nafile siç na transmetohet prej Ebu Hurejres se I Dërguari I Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: {Agjërimi më I mirë pas agjërimit të Ramazanit, është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem}.

Prej mirësive të këtij muaji është se në të gjendet dita e Ashuras, për të cilën inshallah do të flasim në këtë hytbe të ndara në disa pika:

1- Ç’është Ashura, vallë a është ajo që njihet tek njerëzit si ashurja, ashure dhe hashure? A është e lidhur me ndonjë ushqim të caktuar?

Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem sipas mendimit të drejtë të dijetarëve muslimanë, bazuar në gjuhën arabe, ngaqë “Ashura” vjen nga fjala “ashara” (dhjetë) dhe në hadithe si “Ashura është dita e dhjetë”. [Transmeton Darelkutni, Bejhakiu. Albani ka thënë: Hadith i vërtetë].

Ashura është fitorja e besimit mbi kufrin .I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë:

 Kjo është ditë e madhe, në të Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe mbyti Faraonin dhe popullin e tij” [Transmeton Muslimi].

Ndërsa për sa i përket lidhjes që i bëhet kësaj dite me ndonjë ushqim të posaçëm siç pretendojnë disa, themi se pretendime të tilla janë pa bazë. “… pasojnë hamendjet dhe epshet, megjithëse u erdhi prej Zotit të tyre udhëzimi e verteta .” [En-Nexhm: 23].

2- Cila është dobia e ajërimit në këtë ditë?

Për këtë gjë Profeti a.s I ka dhënë rëndësi të madhe agjërimit të kësaj dite.  Ibn Abasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tij-  ka thënë: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) që t’i kushtojë rëndësi ndonjë dite ashtu siç i kushtonte rëndësi kësaj dite, Ashura-së”. [Transmeton Buhariu nga Ibn Abasi].

Kurse nga Ebi Katade r.a transmetohet se një burrë e ka pyetur Profetin a.s për agjërimin e ditës së Ashuras , I ka thënë: Shpresoj nga Allahu që me agjërimin e kësaj dite, të më fal mua gjynahet e vitit të kaluar. Kjo është një mirësi e madhe, me agjerimin e një dite të vetme falen, shlyhen gjynahet e një viti. Padyshim se Allahu është Zot i mirësisë së madhe.

3- A ka urtësi në agjërimin e kësaj dite dhe cila është ajo?

Përsa I përket urtësisë së agjërimit në këtë ditë Imam Buhariu dhe Imam Muslimi Allahu I mëshiroftë, na transmetojnë nga Ibn Abasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: Kur u shpërngul i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- në Medine vuri re se Jehudët – çifutët e agjëronin ditën e Ashura dhe u tha atyre: Pse e agjëroni? Ata i thanë: Kjo është një ditë e mirë, kjo është dita që Allahu i shpëtoi Beni Israilët nga armiku i tyre kështu që Musai e agjëroj atë ditë. Ai -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u tha: “Unë jam më parësor për ta ndjekur Musain se sa ju” kështu që e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin edhe të tjerët” transmeton imam Buhari: 2004 dhe imam Muslimi: 1130.

4- Cili është gjykimi fetar mbi agjërimin e kësaj dite?

Dijetarët islam (shumica e tyre) kanë rënë dakort mes veti se agjërimi I ditës së Ashuras është prej suneteve dhe veprave të pëlqyera në fe dhe jo prej vaxhibeve ( të detyruarave).

Argument për këtë është hadithi të cilin na e transmeton imam Buhariu nga Aishja –Allahu qoftë e kënaqur prej saj- se ka thënë: Dita e Ashura ishte ditë që kurejshët e agjëronin atë në kohën para Islamit, edhe i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- e agjëronte atë para Islamit. Pasi u shpërngul në Medine e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin atë, pasi u bë obligim agjërimi i muajit të ramazanit ai e la agjërimin e Ashuras, ai i cili dëshironte e agjëronte atë ditë e ai që dëshironte nuk e agjëronte” transmeton imam Buhari: 2002 dhe imam Muslimi: 1125.

5- Cilat janë mënyrat e agjërimit të kësaj dite?

Dijetarët kanë përmendur tre mënyra rreth agjërimit të kësaj dite:

1 – Të agjërohet një ditë përpara dhe një ditë pas, kjo duke u nisur nga dy arsye:

a) Hadithi i Ibn Abasit në Musnedin e Imam Ahmedit: “Agjëroni Ashura-në, e mos përngjasoni me çifutët por agjëroni një ditë para e një ditë pas”. [Ahmed Shakir thotë se është hadith hasen].

b) Duke u nisur nga mossiguria e qënies atë ditë apo jo, pra për të qenë më të sigurtë. Ibnul Kajim ka thënë: “Mënyra më e plotë është të agjërohet një ditë para ashura-së e një ditë pas”. [Zadul Mead 2/78].

2 – Agjërimi i ditës së Ashura-së dhe i ditës së nëntë. Për këtë gjë kanë ardhur hadithe të vërteta e të qarta siç u përmendën më lart. Kur agjëroi i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ditën e Ashura-së dhe urdhëroi të agjërohej, thanë sahabët: “O i Dërguari i Allahut, kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët! Tha: Insha-Allah, vitin e ardhshëm, nëse kemi jetë të agjëroj edhe të nëntën e këtij muaji (Muharremit)”. Vitin që erdhi, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ndërroi jetë.” [Transmeton Muslimi nga Ibn Abasi].

3 – Agjërimi i kësaj dite të vetme..

PËRSA I PËRKET KËTIJ VITI DITA E ASHURAS ËSHTË DITA E HËNË DATA 3 NËNTOR.

6- Si e kanë vlesuar ditën e Ashuras grupe të ndryshme?

Përveç vlerësimit të saktë dhe të drejtë që I është bërë ditës së Ashurës nga pasuesit e Sunetit të Profetit a.s bazuar në hadithet e sakta prej tij, grupacione të ndryshme e kanë vlerësuar ndryshe dhe në mënyrë të gabuar dhe të paargumentuar me argumente të sakta. Prej tyre:

  • ka prej tyre të cilët e kanë madhëruar këtë ditë duke e bërë ditë feste, veshin në të rrobat më të mira dhe më të bukura,me ushqime të veçanta, siç është ëmbëlsira të cilën e kanë emëruar me të njëjtin emër :ashura.
  • Ka prej tyre të cilët e bëjnë këtë ditë ditë zije dhe vajtimi, për shkak se Husejni I biri I Aliut Allahu qoftë I kënaqur me ta, është vrarë në këtë ditë, prandaj dhe shiat e kanë bërë këtë ditë, ditë yije, fatkeqësie, vajtimi, godasin gjokset e tyre me grushta, kokat dhe trupat e tyre me thika e shpata duke derdhur gjak, vendosin në qafat e tyre zinxhirë e gjëra të tjera si këto.
  • Ka prej grupeve që vrasjen e Husejnit e marrin si gëzim.

Është pyetur Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) për veprimet që bëjnë njerëzit këtë ditë, Ai është përgjigjur: Falenderimi i takon Allahut për gjithçka. Nuk është transmetuar asnjë hadith i saktë në lidhje me këto veprime dhe të tjera si këto, as nga shokët e tij, as nga tabi-inët apo katër imamët e medh-hebeve. Gjithashtu ka përmendur edhe bidatet e shijave të cilët këtë ditë e konsiderojnë si ditë mërzie, vajtimi duke grisur rrobat dhe duke goditur veten. Dhe për këta thotë: E keqja dhe sherri që sjellin këta njerëz për fenë islame nuk i numëron dot as oratori më mirë.

E mbyll fjalën e tij duke thënë: Një grup e konsiderojnë këtë ditë si feste dhe ditë gëzimi, kurse të tjerët e shfaqin si ditë mërzie dhe zemërimi dhe të dyja grupet janë jashtë traditës profetike.

Pra, në këtë ditë nuk veprohet asgjë e veçantë përveç agjërimit.

Vëllezër të nderuar le ta agjërojmë këtë ditë duke shpresuar se Allahu do të na përfshijë në Mëshirën dhe Faljen e Tij. Le të rinovojmë pendesën tonë në çdo kohë. O Allah prano pendimin tonë dhe na fal gjynahet dhe gabimet tona.

Allahu na forcoftë në fenë islame dhe na bëftë pasues të denjë të traditës profetike. Amin!

 

——————————————————–

Vëllezër muslimanë!

Për ditën e Ashuras ashtu siç na janë transmetuar hadithe të sakta nga Profeti a.s, mes njerëzve qarkullojnë edhe hadithe të tjera të cilat nuk kanë bazë të saktë, por që shumë prej njerëzve bazohen te ato duke argumentuar veprimet e tyre në ditën e Ashuras.

Prej tyre përmendim :

  • hadithe të shumta që përmenden për larjen, zbukurimin dhe pafumosjen në këtë ditë, të cilat nuk kanë bazë fetare , por janë hadithe të shpikura për të cilat dijetarët e hadithit I kanë sqaruar pasaktësinë e tyre. Siç është hadithi

“من اغتسل يومَ عاشوراء لم يمرض ذلك العام”

{Kush lahet (merr gusul) ditën e Ashuras nuk do të sëmuret atë vit}.

  • Hadithe të shumta që përmenden për agjërimin e kësaj dite, duke treguar mirësinë e këtij agjërimi, por që janë hadithe të dobët apo të trilluar. Siç është hadithi :

( من صام يوم عاشوراء كتب الله له عبادة ستين سنة )

{Kush agjëron ditën e Ashuras, I shkruan Allahu atij adhurimin e 60 vjetëve}.

  • Hadithe të shumta për veçimin e kësaj dite me namaz të veçantë, por që edhe këto nuk janë të saktë ose janë të trilluar. Siç është hadithi :

{……من صلى أربع ركعات يقرأ في كل ركعة بالحمد مرة و مرة ( قل هو الله أحد ) غفر الله له ذنوب خمسين عاما ماضية و خمسين مستقبلة…..}

{…..Kush fal (ditën e Ashuras) 4 rekate lexon në çdo rekat suren fatiha 1 here dhe Ihlasin (Kul huvallahu) 1 here, I fal Allahu gjynahet e 50 viteve të shkuara dhe 50 viteve të ardhshme….}.

  • po kështu përmenden në mirësinë e ditës së Ashuras se në ditën e Ashuras, ka qenë pendesa e Ademit, anija e Nuhut ka qëndruar mbi kodrën xhudij pasi ka shpëtuar nga përmbytja, Jusufi është bashkuar me prindërit e tij, kurbani që shpëtoi Ismailin ka zbritur në këtë ditë, ditën që është vrarë Husenji ka ndodhur eklipsi I diellit, e shumë të tjera si këto për të cilat nuk ka asnjë argument fetar të bazuar në hadithe të sakta nga Profeti a.s.

I vetmi adhurim I bazuar në hadithe të sakta nga proffeti a.s në lidhje me ditën e Ashuras është agjërimi I kësaj ditë, me të cilin Allahu ia fal muslimanëve gjynahet dhe gabimet e një viti.

Lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë neve prej pasuesve të Sunetit të Profetit a.s, të na gjallërojë me Islam, të na vdesi me Iman, të na japi sukses dhe të na mundësojë të punojmë atë çka Ai e do dhe është I kënaqur me të, të na ndihmojë që ta përmendim sa më shumë , ta falenderojmë sa më shumë dhe ta adhurojmë sa më shumë. Lusim Allahun të na I pranojë veprat tona dhe të na bëjë prej të devotshmëve.


Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:

 (إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].

{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}

 

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit