1. Gjatë hyrjes në shtëpi fillo me selam!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Betohem në Zotin se nuk do të hyni në Xhenet pa mos besuar, nuk do të besoni plotësisht pa mos e dashur njëri-tjetrin. Doni t’ju tregoj diçka që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin?! – Shpërndajeni selamin në mesin tuaj!”.
2. Buzëqeshi në fytyrën e saj!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd musliman është sadaka”.
Po si do të jetë kur buzëqeshësh në fytyrën e gruas tënde?!!
3. Pastroje gojën gjatë hyrjes në shtëpi me misvak!
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur hynte në shtëpi fillonte me përdorimin e misvakut.
4. Thirre me emër të veçantë dhe përkëdhelës!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e thërriste Aishen, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, me emër përkëdhelës Aish.
5. Lavdëroje atë nëse e bën një vepër që e meriton të lavdërohet!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon as Allahun”.
6. Zbukurohu për të!
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: Unë kam dëshirë që të zbukurohem për gruan time ashtu si kam dëshirë që ajo të zbukurohet për mua!!
7. Jepi dhurata nganjëherë!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dhuroni njëri-tjetrit dhurata që të duheni”.
8. Ndihmoji në punët e shtëpisë!
E pyetën Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, se çfarë bënte Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në shtëpi dhe ajo tha: ”Ai ishte njeri si të gjithë njerëzit. Ai i bënte vetë punët e tij; qepte rrobat, milte bagëtitë”.
9. Arsyetoje për disa mangësi të saj!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtari nuk e urren besimtaren. Nëse nuk i pëlqen një sjellje e saj, mund t’i pëlqejë një tjetër sjellje”.
10. Sillu mirë me gruan dhe loz me të!
Që nënkupton të përkujdesesh për të dhe mos ta lëndosh apo ta dëmtosh!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU