-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pesha e sektorit të ndërtimit në ekonominë shqiptare, sa dyfishi i rajonit

Më të lexuarat

Përqendrimi i investimeve në sektorin e ndërtimit e ka rritur më tej peshën e këtij sektori në strukturën e ekonomisë shqiptare.

Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi.

Të dhënat krahasuese për vitin 2021 që u publikuan së fundmi nga INSTAT tregojnë se, përveç Kosovës, e cila gjithashtu ka përqendrim të investime në ndërtim, në vendet e tjera, sektori zë 5-7 për qind të PBB, raporton Monitor.

Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5.7 për qind të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9 për qind të ekonomisë, në Serbi 7 për qind dhe në Kosovë pak më shumë se 10 për qind.

Struktura e ekonomisë shqiptare është shumë e ndryshme nga rajoni, me ekspozim të lartë ndaj bujqësisë dhe ndërtimit, teksa në rajon dega e industrisë zë peshën kryesore në ekonomi.

Në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë, industria është dega kryesore e ekonomisë që kontribuon më shumë se 23 për qind në PBB-në e vendeve.

Në Maqedoninë e Veriut, industria zë 19 për qind të PBB-së, ndërsa në Shqipëri më pak 14 për qind. Edhe pse me peshë më të ulët industria në Shqipëri është më pak produktive pasi mbështetet në njësi prodhimi të industrisë fasone të tekstil-këpucës që punojnë me material porositësi, ndërsa në rajon, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë, dega e industrisë është e lidhur me zinxhirin e industrisë automative, e cila ka norma më të larta fitimi dhe prodhon paga më të larta për punonjësit.

Struktura e ekonomisë shqiptare prej dekadash ka mbetur e njëjtë dhe nuk po mundet të riorientohet në zinxhirë të prodhimit që sigurojnë të ardhura më të larta.

Edhe pse shanset në këtë drejtim janë rritur vitet e fundit me transferimin e disa njësive për prodhimin e elementëve të thjeshtë të industrisë automative të tilla si kabllot, vendi po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore.

Norma e larta të emigrimit të të rinjve po e bëjnë vendin jo atraktiv për transferimin e njësive të prodhimit. Gjithsesi me dimensionet e reja të gjeopolitikës globale, ku zinxhirët e prodhimit po transferohen sipas aleancave të reja globale, Shqipëria ka shanse të larta për të tërhequr investitorë me potencial.

Me gjithë zhvillimet e pritshme sektori i ndërtimit do të vijojë të ketë një kontribut në rritje në ekonominë e vendit si pasojë e zgjerimit të lejeve dhe projekteve të reja në Tiranë dhe zonat bregdetare. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit