-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përse hadithi më autentik i Profetit është një kërcënim? – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Përse hadithi më autentik i Profetit është një kërcënim?

قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” مَنْ كَذَبَ عَلَيَّ مُتَعَمِّدًا ، فَلْيَتَبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنَ النَّارِ ”

“Kush gënjen me vetëdije ndaj meje, le të zërë vendin e tij në Zjarr.”

Ky është hadithi më autentik (sahih), në mënyrë absolute, që përcillet nga Profeti (alejhi salatu ue selam) me zinxhirë transmetimi të saktë nga dhjetëra sahabë dhe dhjetëra të tjerë me zinxhirë të dobët, aq sa disa nga dijetarët e hadithit thonë se përcillet nga njëqind sahabë e ndonjë thotë edhe nga dyqind sahabë. Sigurisht jo të gjitha këto rrugë transmetimi janë autentike, por autentiket prej tyre janë aq shumë sa asnjë hadith tjetër në dynja nuk mund të krahasohet me të për shumësinë e transmetimeve dhe saktësinë e tyre, aq sa me të drejtë ky hadith kryeson të qenit hadith muteatir, gradë kjo e cila garanton në mënyrë absolute saktësinë e autenticitetit të kësaj thënie profetike nga Muhamedi, Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam).

Pse i përmendëm këto fakte për këtë hadith, ndërkohë që autenticiteti i tij është i padiskutueshëm?

Sigurisht nuk kemi aspak për qëllim të provojmë autenticitetin e tij, por të tërheqim vëmendjen për përmbajtjen e tij dhe arsyen pse është përcjellë nga kaq shumë njerëz?

Është lehtësisht e kuptueshme se kjo është nga thëniet që Profeti (alejhi salatu ue selam) e ka përsëritur më shpesh, dhe po kështu edhe shokët e tij e kanë përcjellë si asnjë thënie tjetër të tij. Ky është shkaku, ndërsa arsyeja pse ky hadith është përmendur kaq shpesh është se përmbajtja e tij paralajmëron dhe kërcënon me zjarrin e Xhehenemit të gjithë ata që tentojnë të trillojnë ndonjë thënie profetike t’ia atribuojnë atë Dërguarit të Allahut. Dhe në këtë rast nuk ka aspak rëndësi nëse kjo thënie e trilluar është e bukur dhe mirë apo jo e tillë, mjafton që ajo të jetë e trilluar që njeriu që e trillon të kërcënohet se do të përfundojë në zjarr të Xhehenemit për këtë trillim të tij.

Duke qenë se tek fjalët e Profetit mbështet feja e Zotit dhe ato konsiderohen pjesë e shpalljes hyjnore, atëherë trillimi i tyre është si të kesh trilluar ndaj vetë Zotit. Askush nuk trillon dot një ajet dhe të thotë se ky ajet është pjesë e Kuranit, sepse ruajtja e pacenuar e Kuranit është garantuar nga vetë Allahu dhe askush në botë nuk fut dot as heq prej tij qoftë edhe pjesë ajeti. Mirëpo ajo të cilën njerëzit e kanë disi më të lehtë për të sajuar janë thëniet e Profetit, prandaj dhe ka ardhur ky kërcënim i kobshëm, për të trembur cilindo që i shkrep mendja të sajojë një thënie profetike, qoftë edhe me qëllim të mirë.

E gjitha kjo na kujton po ashtu rëndësinë madhore të kësaj çështje, që edhe nëse dikush nuk trillon hadithe, ai duhet të jetë tepër i kujdesshëm në hadithet që citon dhe nga i merr ato, dhe sa autentike ato janë. Nuk mjafton aspak që të të pëlqejë apo shijojë një hadith që mund të dëgjosh apo lexosh, pa kaluar më parë filtrin e burimit ku është përcjellë dhe sa i saktë është ai.

Hadithi është pjesë e themelit të godinës së Islamit, e parimeve, normave dhe koncepteve të tij dhe para çdo gjëje nevojitet saktësia e themelit, përndryshe e gjithë godina shembet nëse ngrihet mbi një themel të pasaktë dhe pikërisht për këtë arsye ky hadith është thënë shpesh nga Profeti dhe është përcjellë kaq shpesh nga sahabët dhe të tjerë pas tyre.

Duke pasur parasysh gjithë sa përmendëm, çdo kush që e lexon këtë shkrim duhet të ketë kujdes se, citimi i haditheve kuturu dhe pa u siguruar për burimin apo saktësinë e tyre e vendos njeriun para përgjegjësisë dhe pse jo edhe kërcënimit në botën tjetër.

Kjo këshillë vlen për të gjithë dhe sidomos ata që neglizhojnë në citimin e haditheve, duke u nisur thjesht nga përmbajtja e tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit