“Numri i përgjithshëm i personelit ushtarak që do të mbërrijë në Bjellorusi do të jetë mbi 9 mijë, si dhe rreth 170 tanke, mbi 200 automjete të blinduara dhe mbi 100 armë e mortaja të kalibrit mbi 100 milimetër”, tha Revenko
Kreu i departamentit të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Bjellorusisë, Valery Revenko, ka bërë të ditur se mbi 9 mijë trupa ruse dhe disa qindra automjete të blinduara do t’u bashkohen forcave bjelloruse në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Numri i përgjithshëm i personelit ushtarak që do të mbërrijë në Bjellorusi do të jetë mbi 9 mijë, si dhe rreth 170 tanke, mbi 200 automjete të blinduara dhe mbi 100 armë e mortaja të kalibrit mbi 100 milimetër”, tha Revenko.
Ai shtoi se zhvendosja e trupave do të zgjasë disa ditë.
Dje, Revenko tha se mbështetja ajrore për forcën e përbashkët rajonale ka filluar të mbërrijë në Bjellorusi.
Më 10 tetor, presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, tha se ishte pajtuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për vendosjen e një grupi të përbashkët rajonal të trupave “në lidhje me përkeqësimin në kufijtë perëndimor të shtetit”.
Trupat e para të ushtrisë ruse në kuadër të forcës së përbashkët rajonale në Bjellorusi mbërritën të shtunën.