2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ç’të pengon ty të mbulohesh?

Më të lexuarat


Shkaku i parë

Tha e para: ”Mua nuk më ka pëlqyer deri tani hixhabi”. Le ta pyesim këtë motër për dy gjëra:
1-A është ajo e kënaqur me fenë Islame? Natyrisht që përgjigjja e saj do të jetë: Po jam e kënaqur. Ajo thotë: “La ilahe ilallah” dhe me këtë ajo tregon se e pranon këtë besim, ajo thotë: “Muhamedun resulullah” dhe me këtë ajo tregon se e pranon Sheriatin. E pra, ajo e pranon dhe është e kënaqur me Islamin si besim, ligj dhe mënyrë jetese.
2- A është mbulesa (hixhabi) pjesë e Sheriatit (ligjit) Islam dhe një nga detyrimet e tij?
Nëse kjo motër me ndershmëri do të ishte thelluar në këtë çeshtje duke dëshiruar të vërtetën, përgjigjja e saj do të ishte: Po! Allahu i Madhëruar të Cilit ti i beson është Ai i Cili ka urdhëruar mbulesën për gratë në Librin e Tij, dhe Pejgamberi fisnik (që ti beson në mesazhin e tij ka urdhëruar për mbulesën në Sunnetin e tij). Si ta quajmë këtë, të duash Islamin dhe të mos bësh atë të cilën ka urdhëruar Allahu, subhanehu ve teala, dhe i Dërguari i Tij, sal-lallahu alejhi ve selem.

Shkaku i dytë

Thotë e dyta: “Unë jam e kënaqur që të vë hixhabin (mbulesën), por nëna ime nuk më lejon ta vë atë dhe nëse nuk i bindem asaj do të hyj në zjarr”.
Këtij justifikimi të kësaj motreje i përgjigjet krijesa më fisnike e Allahut, i Dërguari i Tij me fjalën e tij të urtë: “Nuk lejohet t’i bindesh krijesës duke bërë mëkat ndaj Krijuesit”.
Bindjes ndaj prindërve asgjë nuk i del përpara përveç nëse ata të urdhërojnë për diçka që është mosbindje ndaj Allahut, subhanehu ve teala.
I Lartësuari thotë: “Por nëse ata të dy përpiqen me ty që ti të më bësh ortak Mua në adhurim për të cilët nuk ke asnjë dije atëherë mos iu bind atyre”(Lukman:16).
Në përfundim themi: Si mund t’i bindesh nënës tënde duke mëkatuar ndaj Allahut,subhanehu ve teala, i Cili të ka krijuar ty dhe nënën tënde?!

Shkaku i tretë

Përsa i përket të tretës ajo thotë: “Mundësitë e mia materiale nuk më mjaftojnë që të zëvendësoj rrobat që kam me të tjera”.
Kjo motra jonë ose është me të vërtetë e sinqertë në atë që thotë ose gënjen për t’i ikur vjedhurazi përgjigjes apo ajo ndoshta dëshiron një hixhab (mbulesë) që të shkoj edhe me modën si dhe të jetë i shtrenjtë në kosto.
Por le të fillojmë me të parën: A di ti moj motër se gruas muslimane nuk i lejohet të dalë nga shtëpia në çfardo lloj rasti përderisa veshja e saj të mos ketë plotësuar kushtet e parashikuara për hixhabin nga ana e Sheriatit të cilat çdo muslimane duhet detyrimisht t’i dijë. Nëse ti je e gatshme të mësosh çeshtje që i përkasin kësaj dynjaje, pse nuk tregohesh po aq e preokupuar për të mësuar ato gjëra të cilat do të shpëtojnë ty nga ndëshkimi i Allahut,subhanehu ve teala, dhe zemërimi i Tij mbas vdekjes?!…A nuk thotë Allahu i Lartësuar: “Pyesni njerëzit e dijes nëse nuk dini”. Mësoji pra këto gjëra, motra ime, se vërtet të duhen. Nëse është e domosdoshme që të dalësh, atëherë mos dil veçse duke qenë e mbuluar sipas rregullave të fesë që të kënaqesh Zotin tënd e të poshtërosh djallin. Dëmet që sjell dalja jote e zbuluar dhe e pispillosur janë shumë më të mëdha se sa përfitimet që mund të kesh në raste nevoje.
Motra ime! Nëse vërtet do kishe nijetin e pastër dhe do të ishe e vendosur, drejt teje do të ishin zgjatur me mijëra duar bamirësie dhe Allahu, subhanehu ve teala, do ta kishte lehtësuar ty punën, a nuk është Ai që thotë: “Dhe kushdo që ka frikë Allahun, Ai atij do t’i jap rrugëdalje dhe do ta furnizoj andej nga se pret”(Talak:2-3)

Shkaku i katërt

Erdhi radha e së katertës e cila tha: ”Në vendin tim temperaturat janë të larta dhe ajri është mjaft i nxehtë dhe unë nuk e duroj dot ,andaj si i bëhet halli nëse unë vesh edhe hixhabin?”
Një njeriu të tillë si puna e kësaj motreje, Allahu,subhanehu ve teala, i thotë: “Thuaju:Zjarri i Xhehenemit është akoma më i fortë në nxehtësi (se vapa e Diellit) veç sikur mund ta kuptonit!”(Teube:81).
Si pra mund ta marrësh në konsideratë nxehtësinë e kësaj bote para nxehtësisë së Xhehenemit! Dije motër se ti me këto mendime ke rënë pre në një nga rrjetat e djallit për të të nxjerr ty nga nxehësia e kësaj bote dhe për të të hedhur në zjarrin e Xhehenemit! Shpëto pra veten tënde nga kjo rrjetë e tij dhe konsideroje nxehtësinë e Diellit një mirësi dhe jo një vuajtje, e cila do të të kujtojë ndëshkimin e Allahut ,subhanehu ve teala, sakrifikoje pra rehatinë e kësaj bote për të shpëtuar veten nga zjarri i xhehenemit.

Shkaku i pestë

Le të dëgjojmë tani justifikimin e së pestës kur ajo tha: ”Kam frikë se nëse e vë hixhabin mund ta heq atë përsëri, s’janë të pakta ato që kam parë që e kanë bërë një gjë të tillë!”.
Kësaj motre i themi: Nëse të gjithë njerëzit do të logjikonin me këto mend e tua, do ta kishin lënë fenë fare, do ta kishin lënë edhe namazin, sepse ka prej atyre që kanë frikë se mos e lënë…e kështu me radhë. A nuk e shikon se si përsëri shejtani të hodhi në kthetrat e tij duke të larguar nga rruga e drejtë?!
Pse nuk kërkon të dish se cilat ishin shkaqet që çuan ato në një veprim të tillë kaq të shëmtuar në mënyrë që t’i shmangesh dhe mos të biesh në të njejta pozita?
Ja disa prej tyre: Shpeshtimi i lutjeve, po ashtu është edhe zbatimi i të gjitha obligimeve islame e prej tyre edhe hixhabi.

Shkaku i gjashtë

Ja ku është edhe e gjashta, çfarë thotë: “Mua më kanë thënë se nëse mbulohem askush nuk ka për t’u martuar me mua, prandaj më duhet ta lë këtë çështje deri sa të martohem”.
Ai burrë i cili dëshiron të martohet me ty duke qenë e zbuluar dhe e zhveshur, mëkatare ndaj Allahut, subhanehu ve teala, nuk është një burrë i denjë i cili meriton të bëhet bashkëshorti yt.

Shkaku i shtatë

E shtata thotë: “Unë nuk mbulohem, sepse Allahu thotë:”Dhe me të mirat që të dha Zoti yt fol”.(Ed Duha:11).E si pra ta fsheh unë këtë mirësi që më dha Allahu, subhanehu ve teala, me këto flokë të ndritshme dhe këtë bukuri provokuese?
Motra jonë kapet mbas Librit të Allahut dhe urdhërave të Tij aty ku i përshtaten dëshirat! Dhe po kjo është ajo që i lë këto urdhëra kur nuk i pëlqejnë asaj. Në mos kështu atëherë pse nuk i bindesh fjalës së Allahut: “Dhe të mos i nxjerrin bukuritë e tyre përveç asaj që është e dukshme”(Nur:31)

Shkaku i tetë

Vimë tani tek motra jonë e tetë e cila thotë: “Unë e di që hixhabi është detyrim që duhet të kryhet, por do ta vë atë kur të më udhëzojë Allahu”.
Le ta pyesim këtë motër se cilat janë hapat që ajo hodhi për të arritur deri tek ky udhëzim hyjnor? Ne dimë se Allahu, subhanehu ve teala, me urtësinë e Tij ka bërë që çdo gjë të ketë shkakun e saj. Vallë, vërtet kjo motra jonë punoi me mish e me shpirt për ta arritur këtë udhëzim apo…A iu lut ajo Allahut me sinqeritet: “Udhëzona në rrugën e drejtë”(Fatiha:6)

Shkaku i nëntë

Çfarë thotë motra jonë e nëntë? Ajo thotë: “Akoma nuk ka ardhur koha që unë të mbulohem, kur të rritem edhe ca dhe pasi ta kryej edhe haxhin atëherë do ta vë hixhabin”.
Engjëlli i vdekjes moj motër është vizitor i cili qëndron gjithmonë pranë portës tënde. Ai në çdo moment pret t’i vijë urdhëri i Allahut subhanehu ve teala, për të ta marr shpirtin tënd nga çasti në çast: “Dhe kur vjen ky çast ata as nuk mund ta vonojnë atë dhe as nuk mund ta sjellin më pranë”(Araf:34).
Motra ime! Shpejto t’i përgjigjesh thirrjes së Zotit tënd: “Vraponi drejt faljes nga Zoti juaj dhe drejt Xhennetit gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe tokës”(Hadid:21)

Shkaku i dhjetë

Dhe së fundi e dhjeta tha: “Kam frikë se nëse vishem me hixhab njerëzit do të thonë se jam prej këtij apo atij grupi e unë nuk i duroj dot këto gjëra”.
Në Islam, moj motër, ka vetëm dy grupe të cilat na i përmend Allahu subhanehu ve teala, në Librin e Tij: Grupi i parë është ai i Allahut. Ndërsa grupi i dytë është ai i djallit të mallkuar.
A nuk e shikon se i largohesh Allahut, subhanehu ve teala, për të shkuar drejt djallit?! A po e zëvendëson të mirën me të keqe?!
Ec drejt Zotit dhe zbato urdhërat e Tij: “ Ikni pra drejt Allahut. Vërtet që unë jam këshillues i qartë për ju nga Ai” (Dharijat:50).
Hixhabi është një formë adhurimi ndaj Zotit dhe nuk i nënshtrohet opinioneve të njerëzve apo dëshirave të tyre, sepse Ai që vendosi atë ishte vetë Krijuesi, i Urti.
Motër, hypi trenit të pendimit para se të largohet nga stacioni yt, kushtoi rëndësi këtyre fjalëve sot para se të vijë e nesërmja, mendohu tani para se koha të iki dhe vendosshmëria yte të shuhet…

“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues” (El Ahzabë:59)

Marrë nga libri: “Ç’të pengon ty të mbulohesh?, Dr. Huejda Ismail

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit