-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

IBN TEJMIJE DHE KUNDËRSHTIMI I TIJ NDAJ LOGJICISTËVE GREKË

Më të lexuarat

Një pjesë nga libri i Ibn Tejmijes “Kundërshtimi ndaj logjicistëve grekë” (versionin e shkurtuar nga Sujuti)

“Unë gjithnjë e kam ditur se për logjikën greke nuk ka nevojë i menquri e as nuk e merr vesh atë torollaku. Kurse propozicionet e saja i konsideroja të vërteta, pasi pata parë saktësinë e shumë prej tyre, kurse më pastaj mu bë e qartë gabimi i disa nga propozicionet e saja, dhe pata shënuar diç në lidhje me këtë.

Kur kam qenë në Aleksandri, takova një person dhe vërejta tek ai një madhërim për filozofët, duke e stërmadhuar vlerën e tyre e duke i pasuar ata qorrazi, kësisoj unë i përmenda atij diç nga çfarë ata e meritojnë; nga injoranca e lajthitja që kanë, dhe kjo bëri që të shënoj në një ndejë -ndërmjet drekës dhe ikindisë- përmbajtjen e ligjëratës sime mbi logjikën në atë kohë, ndërsa ky nuk ishte qëllimi im, sepse qëllimi im ka qenë për atë çfarë kam shënuar ndaj tyre në lidhje me metafizikën (temat që kanë të bëjnë me Zotin e atributet e Tij), dhe e kuptova se shkaku i gabimeve që ata kanë rënë në çështjet metafizike ka qenë nga bazat e gabuara logjike që ata i kanë vendosur, siç është pikëpamja e tyre se esencat janë të formuara nga atributet të cilat ata i quajnë atribute esenciale apo qenësore; kufizimi i tyre i rrugëve të arritjes së diturisë në përkufizime e silogjizma të cilat ata i kanë zhvilluar; teorinë e tyre të definicionit me të cilën formohen konceptet dhe teorinë e tyre të silogjizmit dhe formave të tij.
Kështu, disa persona dëshiruan të regjistrojnë atë çfarë thash në atë rast mbi logjikën, dhe u dhashë atyre leje për këtë, sepse kjo hap portën e njohjes së vërtetës, megjithëse kundërpërgjigjja ndaj tyre kërkon shumwfish nga ajo çfarë kam përmendur aty.

Dije se ata e kanë ngritur logjikën mbi teorinë e përkufizimit, e llojeve të tij, dhe mbi silogjizmin demonstrativ dhe llojet e tij.
Kanë thënë:Dituria është ose koncept (nocion) ose gjykim. Mënyra se si arrihet tek koncepti është përkufizimi, ndërsa mënyra se si arrihet deri te një gjykim është silogjizmi.
Andaj ne themi:Diskutimi sillet rreth katër pikave, dy prej tyre janë gjykime mohore e dy janë pohore.
E para, nga dy të parat, ka të bëjë me pikëpamjen e tyre se koncepti nuk mund të formohet veçse me përkufizim, ndërsa pika e dytë ka të bëjë se asnjë gjykim nuk mund të arrihet (saktësia apo pasaktësia sh.p) veçse me anën e silogjizmit.
Kurse dy pikat e dyta (pohore):e para:Ka të bëjë me atë se përkufizmi e përfton diturinë mbi konceptet dhe, e dyta, silogjizmi përshkrues e ai demonstrativ, e përftojnë diturinë mbi gjykimet.

PIKA E PARË:Në lidhje me pikëpamjen e tyre se koncepti arrihet veçse me përkufizim, diskutimi për këtë do zhvillohet në disa pika:

E para:Dihet se ai që thotë një mohim, për të duhet të sjellë një provë, sikurse edhe ai që bën një pohim. Ndërsa të bëhet një mohim, pa pasur dije për të, i bjen të flasësh padije! Thënia e tyre:”Nuk formohen konceptet veçse me përkufizim !” është një gjykim mohor, dhe s’është gjykim aksiomatik (vetargument sh.p), dhe përderisa është kështu, nga e morën ata këtë?! Pasi që kjo është një deklaratë pa argument -dhe kjo është pikënisja apo gurthemeli mbi të cilën ata e kanë ngritur logjikën- si mundet një deklaratë pa fakte të jetë bazë e peshorës së diturisë dhe të asaj që ata e pandehin se ajo (logjika) na qenka instrument që po e mbroka të menduarin nga rrëshqitja?!!

E dyta: Është të thuhet: me përkufizim ndonjëherë kihet për qëllim vetë gjëja e përkufizuar, por këtë nuk e kanë për qëllim ata në këtë rast. Gjithashtu me përkufizim synohet deklarata (formulimi) që vë në pah esencën e të përkufizuarës dhe është shkoqitje e asaj që emri (i asaj gjëje sh.p.) e tregon në mënyrë të përgjithwsuar.
Atëherë themi:Duke qenë se përkufizimi është deklaratë (formulim) e përkufizuesit, atëherë përkufizuesi, ose e ka njohur të përkufizuarën me një përkufizim paraprak, ose pa të. Nëse është rasti i parë, atëherë diskutimi për këtë përkufizimin paraprak është identik sikurse për përkufizimin në fjalë, ndërsa kjo shpie në regres të pafundëm (ose në rrotullim pambarim), e në qoftë se është rasti i dytë, atëherë thyhet mohimi i tyre se nocioni nuk konceptohet veçse me përkufizim.

E treta:Të gjitha komunitet:shkencëtarët, teologët, zanatçinjtë etj, i dijnë konceptet e fushave të tyre pa u bërë ndonjë përkufizim. Dhe e realizojnë atë që e hasin në fushat e tyre të dijes e zanatit pa ndonjë përkufizim.
Dhe nuk gjejmë askënd nga prijësit e  lëmive shkencore që flasin me këto përkufizime: as prijësit e së drejtës sheriatike, as të gramatikës, as mjekësisë, as aritmetikës, as zanatçinjtë, ndonëse ata i konceptojnë termat e fushave të tyre shkencore.
Në këtë formë bëhet e qartë se ata nuk kanë nevojë për përkufizime për t’i formuar konceptet.

E katërta:Deri në këtë moment njerëzit nuk dijnë një përkufizim të qëndrueshëm që është në ujdi me principet e tyre.
Madje gjëja më e qartë termi “njeri” dhe përkufizimi i tij si “kafshë e arsyeshme” ka kritika të shumta të njohura, po kështu është edhe me përkufizimin e Diellit etj., saqë gramaticientët -pasi të mëvonshmit prej tyre kur iu futën teorisë së përkufizimit- kanë përmendur për emrin mbi 20 përkufizime, dhe çdonjëri pjej tyre është i diskutueshëm. Dhe usulistët (dijetarët e shkencës mbi bazat e fesë) kanë përmendur për analogjinë njëzet e ca përkufizime, dhe të gjitha, poashtu, janë të diskutueshme.
Shumica e përkufizimeve që janë të regjistruara në librat e filozofëve, mjekëve, gramaticientëve etj., janë të diskutueshme, vetëm pak prej atyre janë të pranueshme, dhe po të ishte se, konceptimi i gjërave është i kufizuar vetëm në përkufizime, atëherë i bie që deri në këtë moment njerëzit nuk paskan konceptuar asgjë nga këto gjësende!
Pasi që pa koncept s’ka gjykim, kur nuk formohet koncepti, nuk mund të bëhet edhe gjykimi, atëherë i bie se njerëzit nuk kanë ditur për shumicën e shkencave të tyre, e ky është sofizmi më i marrë!

E pesta:Konceptimi i esencës, sipas tyre, arrihet me anë të përkufizimit real, që përbëhet nga atributet e përbashkëta qenësore dhe dallimet specifike, dhe ky lloj përkufizimi është i përbërë prej gjinisë dhe dallimit specifik, e ky përkufizim, ose është i pamundur, ose shumë i vështirë për t’u bërë, siç edhe  vetë e kanë pranuar. Dhe si rezultat i bie që nuk është konceptuar ndonjë nocion, ose shumica e tyre, mirëpo përderisa nocionet janë të formuara, kjo dëshmon se formimi i nocionëve është i panevojshëm për definicione.

E gjashta: Përkufizimet sipas tyre mund të bëhen vetëm për realitetet e kombinuara, këto janë që kanë gjini dhe dallim specifik, kurse ato që nuk janë të kombinuara, këto janë që nuk mund të futen së bashku me gjëra tjera nën një gjini, siç e sjellin disa prej tyre shembullin e intelektit (arsyes), që s’ka ndonjë përkufizim, ndërsa ky është prej nocionëve të kërkuara tek ta, kështu bëhet e qartë pavarësia e nocionit për përkufizimin, madje duke qenë se njohja e këtij është e mundur pa përkufizim, atëherë njohja e këtyre llojeve është akoma më e mundshme, sepse këto lloje janë më afër realitetit objektiv dhe individët e tyre janë të njohur.
Po ashtu thonë: Gjykimi nuk kushtëzohet me konceptim të plotë, i cili arrihet me përkufizim real, por mjafton edhe një konceptim minimal qoftë edhe me një tiparë. Konceptimi i “arsyes” është i këtij lloji, dhe ky është një pranim nga ana e tyre se lloji i konceptimit nuk varet në përkufizimin real.

E shtata: Dëgjuesi i përkufizimit, nëse paraprakisht nuk i di fjalët e përkufizimit dhe domethëniet e tyre, nuk do të ketë mundësi ta kuptojë formulimin e përkufizimit, ndërsa dituria se një term tregon për një kuptim të caktuar për të cilin ai është vendos, i paraprinë konceptimi i kuptimit, e nëse ai e koncepton gjënë e emërtuar të atij termi e domethënien e tij, para se ta dëgjojë atë (përkufizim), atëherë s’mund të thuhet se e ka konceptuar vetëm përgjatë dëgjimit të përkufizimit.

E teta:Pasi që përkufizimi është deklaratë e përkufizuesit, e dihet që për konceptimin e domethënieve nuk janë të domosdoshme fjalët, sepse folësi mund ta konceptojë kuptimin e asaj që dëshiron ta thotë edhe pa e shqiptuar, po ashtu edhe bashkëbiseduesi mund ta bëjë këtë pa ia thënë një person tjetër. Si pra mund të thuhet, nuk konceptohen termat veçse me përkufizim?!

E nënta:Gjësendet e konceptuara ekzistuese, njeriu i koncepton ato, ose me shqisat e tij të jashtme, siç është konceptimi i shijes, ngjyres, aromës, dhe trupat e tyre, bartësit e këtyre tiparëve; ose me ndjesitë e brendshme siç janë:uria, dashuria e urrejtja, kënaqësia e dhimbja etj., të gjitha janë të panevojshme për definicion.

E dhjeta:Ata e pranojnë edhe vetë se disa nocione janë fakte në vetvete (aksiomatike) dhe nuk kanë nevojë për përkufizim, atëherë u thuhet: të qenët e një njohurie aksiomatike ose e argumentueshme është relative, ngaqë ka mundësi të jetë e argumentueshme te një person, aksiomatike te një tjetër, sepse tek ai mund të ketë arritur në mënyra të ndryshme: duke e parë atë, apo i është transmetuar nga një grup personash, apo me dëshmi tjera plotësuese. Njerëzit dallojnë në aftësinë e perceptimit të gjërave jashtëzakonisht shumë, mund të bëhet aksiomatike te ky, e jo tek ai tjetri, për shkak të rrugëve që i ka arritur këtij ajo njohuri, dhe kësisoj ai s’ka nevojë për përkufizim.”

Përktheu:Kastriot Mazreku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit