-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kurti për grevën në arsim: Nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të kthehen në shkolla

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zgjidhja e vetme për daljen nga situata në arsim ku shumica e shkollave janë në grevë është kthimi në shkolla i nxënësve dhe mësimdhënësve.

Kurti tha se nuk zhvillohet vendi pa arsimim. Këto komente kryeministri i bëri gjatë vendosjes së gur-themelit të shkollës “Ilir Konushevci” në Podujevë.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nuk zhvillohet vendi pa arsimim”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se si asnjë qeveri më parë kanë ndërmarrë masa sociale për t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe mësimdhënësit.

“Ne kemi ndërmarrë si asnjë qeveri më herët masa sociale për përmirësimin e pozitës së gjithë qytetarëve përfshirë edhe mësimdhënësit. Ministrja Nagavci e ka shpjeguar sesi kemi ndarë mjete edhe për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda, për mësimdhënësit që të mos e humbin vendin e punës dhe tash së fundi edhe pakon për inflacion. Kemi ndihmuar edhe sektorin privat, pjesa më e madhe e klasës punëtore janë në sektorin privat”, tha Kurti.

Ai shtoi se si Qeveri bëjnë gjithçka që është e mundur në përputhje me buxhetin e shtetit, ku theksoi se për dallim nga qeveritë e kaluara kësaj here buxheti nuk cenohet nga korrupsioni.

I pyetur nga gazetarët për veprimin e fundit të Serbisë që në shkollat e Luginës së Preshevës ku nxënësit janë shqiptarë të intonohet himni serb, Kurti tha se kjo ka të bëjë me dobësimin e Serbisë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human, sa më e dobët Serbia karshi Kosovës aq më shumë po egërsohet ajo. Agresionin e saj duhet ta kuptojmë përbrenda dobësimit të saj”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Kosova është vend demokratik që angazhohet për të gjithë qytetarët.

“Ne e dimë që shqiptarët në Luginë janë të diskriminuar, kemi pasivizimin e adresave në Medvegjë. Ne kemi ndihmuar me dy milionë euro dhe do të vazhdojnë të ndihmohen nga ne. Zullumi këputet prej s’trashi, andaj ky zullum i Serbisë është duke i ardhur fundi sepse shteti i Kosovës është gjithnjë më demokratik, i fuqishëm dhe më i pavarur”, tha Kurti.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, njoftoi të mërkurën se nxënësit shqiptarë në Luginë janë të detyruar ligjërisht nga autoritetet serbe të intonojnë himnin serb në ditën e parë të shkollës.

Kurti ka folur edhe për vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ballkan, e ku nuk u vizitua Kosova. Erdogan në Beograd tha se është i gatshëm të ndihmojë në dialogun Kosovë – Serbi.

“Por, shikoni çdokush i kanë agjendat e tyre. Turqinë e kemi mik e aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë, tash Kosova nuk është aty temë, por palë bëhet me ndërmjetësim të Brukselit e ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini e Parisi që do ta shoqërojnë Lajçakun, ndihma e gjitha shteteve mike është e mirëseardhur. Agjendat se kur vizitojnë e ku burrështetasit e shteteve mike, nuk mund ta kuptojmë plotësisht. Kjo vizitë kishte më tepër të bënte me Bosnjë-Hercegovinën, siç mendoj, pasi e konsiderojnë vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Serbia e Kroacia janë shtete me ndikim në Bosnjë. Vizita në Ballkan kësaj radhe lidhet me Bosnjë. Nuk është se mund ta dimë qind për qind”, tha Kurti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit