Kurti: Ja kush i vendos barrikadat në Veri
Për shkak të kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia, do të ishte urgjentisht e nevojshme që të rritet ndjeshëm numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për gazetën gjermane Welt.
“Kjo sigurisht që do të përmirësonte sigurinë tonë”, tha Kurti. “Do të na ndihmonte gjithashtu nëse më shumë ushtarë gjermanë do t’i bashkoheshin forcave mbrojtëse të NATO-s (KFOR), duke rritur kështu forcën parandaluese”.
Kosova, shton kryeministri, ka rritur shpenzimet e mbrojtjes me 52 për qind dhe forcat e sigurisë kombëtare (Forcat e Sigurisë së Kosovës) ndërkohë kanë 5000 ushtarë dhe 3000 rezervistë. Por, thotë Kurti, “janë 48 baza ushtarake serbe rreth Kosovës, me Rusinë dhe Serbinë që bashkëpunojnë ngushtë në politikën ushtarake dhe që në vitin 2021 kanë ndërmarrë 104 manovra dhe aktivitete në të cilat kanë marrë pjesë pjesërisht forcat e armatosura të Bjellorusisë”.
Oferta e Kurtit
Kur është fjala për mosmarrëveshjen e fundit për dokumentet e udhëtimit dhe targat, Kurti mbetet i vendosur. Por në të njëjtën kohë ai bën një ofertë: “Kontrollet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që duan të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja që kanë të bëjnë me targat do të jenë të detyrueshme dhe do të vlejnë për një kohë të pacaktuar nga 1 shtatori”, ritheksoi kryeministri i Kosovës. Por, “nëse Serbia pranon të heqë kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë do të bëjmë të njëjtën gjë. Atëherë nuk do të kishte rregulla të reja nga 1 shtatori”, thotë Kurti, përcjell Deutsche Welle.
Duke folur për protestat e dhunshme në fund të korrikut, në tentativën e parë për vendosjen e rregulloreve të reja, Kurti hedh akuza të rënda ndaj qeverisë serbe: “Trazirat e 31 korrikut nuk janë shkaktuar nga qytetarët e thjeshtë të minoritetit serb në veri të Kosovës, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët, të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët në takimin në Beograd morën udhëzime se çfarë të bëjnë në Kosovë. Ishte një punë me porosi. Pas heqjes së barrikadave, unë në marrëveshje me SHBA-në dhe BE-në e shtyva vendosjen e masave për 30 ditë”. /tesheshi.com/