-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çdo konflikt “shqetëson investitorët e huaj”

Më të lexuarat

Çdo situatë e cila mund të ndikojë në sigurinë e një rajoni, do të ndikojë edhe në strategjinë e një investitori, thotë për Radion Evropa e Lirë, Manfred Brandner, investitor austriak në Kosovë. Ndërkaq, nga organizatat që merren me ekonomi thonë se çdo cenim i sigurisë do të largojë investitorët nga Kosova.

Në fillim të muajit gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se ka pasur mundësi që tensionet më 31 korrik dhe 1 gusht në veri të vendit të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur.

Ai po ashtu është shprehur se vazhdon të mendojë se situata mund të përshkallëzohet. Deklarata si kjo, Kurti ka dhënë edhe në disa media tjera ndërkombëtare.

Brandner, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bit Media” – anëtare e “EEE group” [e-edukimi, e-zgjidhje, e-qeverisje, me seli në Austri], erdhi në Kosovë 11 vjet më parë për të investuar me firmën e tij në fushën e teknologjisë, përkatësisht informatikës.

Ai thotë se lajmet e tilla për përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë, që qarkullojnë në media, janë shqetësuese për të si investitor ndërkombëtar në Kosovë.

“Çdo konflikt në mes vendeve është shqetësuese apo ndoshta edhe diçka që të shtyn në vendimin për shtyrjen e investimeve apo përfshirjes në ato. Por, për momentin ne ende jemi pozitiv për situatën dhe po vazhdojmë me investimet tona”, thotë Brandner.

Brandner në një intervistë të dhënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë kishte deklaruar se ka plane që të zgjerojë biznesin e tij në Kosovë. Por, tani ai thotë se nëse situata bëhet më e ndërlikuar, atëherë “patjetër duhet t’i vlerësojmë apo t’i mendojmë strategjitë ekzistuese për Kosovën”.

Ndërkohë, deklaratat për një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, sipas drejtorit ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, nuk mund të kalojnë pa lënë gjurmë tek investitorët potencialë ndërkombëtarë.

“Kemi të bëjmë me një problem politik që ka të bëjë me shtetin fqinj. Derisa kemi këtë, ai [problem] gjithmonë gjeneron situata të tilla që mund të ketë pasoja që ndikojnë investitorët, edhe ata prezentë edhe ata potencialë”, thotë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.

Nga takimet që Ujkani ka pasur gjatë këtyre ditëve me investitorët ndërkombëtarë që janë në Kosovë, ai thotë se nuk ka pasur ndonjë shqetësim, por nëse një ritëm i tillë do të vazhdojë, sipas tij, “mund të ketë një situatë tjetër”.

Themelues të Këshillit të Investitorëve Evropianë janë investitorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e EFTA-s.

Shtetet anëtare të EFTA-s janë Islanda, Zvicra, Norvegjia dhe Lihtenshtajni.

Çfarë kërkon një investitor nga Kosova?

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se siguria fizike, krahas sigurisë juridike, është njëri prej elementeve më të rëndësishme që ndikon në vendimmarrjen e investitorit për të shtrirë operacionet në një shtet apo treg të ri.

“Deklaratat e tilla për cenim të sigurisë natyrisht ndikojnë tek investitorët potencialë dhe si të tilla, ata [investitorët], mund t’i shmangen investimeve në Kosovë”, thotë Zeka.

Ai shton se është kohë e shkurtër të dihet nëse një investitor potencial mund të ketë hequr dorë nga investimi për shkak të deklaratave të tilla. Por, paqëndrueshmëria politike, sipas tij, në të kaluarën mund të ketë qenë tregues se ka ndikuar në tërheqjen e investimeve të huaja.

Në vitin 2007, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, investimet e huaja ishin 440.7 milionë euro, por të cilat ndër vite kishin rënë.

Krizat politike dhe rënia e investimeve të huaja

Rënia më e madhe e investimeve të huaja ishte shënuar në vitin 2014, kur Kosova ishte përballë me një krizë politike.

Kjo krizë politike, sipas Odës Ekonomike Amerikane, mund të kenë ndikuar në ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë.

Qysh në fillim të vitit 2014, institucionet e Kosovës ishin përballur me vështirësi të funksionimit.

Qeveria e koalicionit të atëhershëm të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Re, kishte humbur përkrahjen e shumicës në Kuvend. Kjo bëri që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Nga zgjedhjet e mbajtura më 8 qershor të vitit 2014 fituese doli PDK-ja.

Por, liderët e partive opozitare të asaj kohe, Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma (më vonë Nisma Socialdemokrate), vendosën që të formonin një koalicion me pretendimin që ta lënë në opozitë, partinë fituese të zgjedhjeve, PDK-në.

Ndërkaq, atëbotë PDK-ja insistonte se vetëm ajo kishte të drejtë të propozonte kryetarin e Kuvendit si parti fituese, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma pretendonte se kishte krijuar grupin më të madh parlamentar, andaj edhe synonte ta nominonte për kryetar Kuvendi, Isa Mustafën.

Zgjidhja e gjithë kësaj situatë kishte marrë gjashtë muaj.

Institucione u formuan në bazë të një marrëveshjeje të arritur për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Rukiqi: Investitorët potencialë, të shqetësuar nga deklaratat për konflikt e luftë

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një postim në rrjetin social Facebbok, ka shkruar se përhapja e lajmeve në mediat ndërkombëtare, se në Kosovë mund të ketë luftë, nuk i sjell asnjë dobi Kosovës.

Sipas tij, kompani të interesuar për investime në Kosovë, në mesin e tyre edhe një amerikane e cila planifikon që në muajt në vijim të hap një degë në Kosovë, janë shqetësuar me lajmet që kanë lexuar.

“Kosova edhe pa këto deklarata, ka një imazh të vendit të konfliktit dhe të rrezikut të lartë politik, gjë që ka frikësuar shumë kompani të investojnë në Kosovë. Nuk është e dobishme që tani ta ushqejmë edhe me tutje këtë perceptim”, ka shkruar Rukiqi.

Investimet e huaja nga përfaqësues të organizatave ekonomike konsiderohen më të rëndësishmet në zhvillimin ekonomik dhe gjenerim të vendeve të punës.

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) është agjenci shtetërore mandati i së cilës është të promovojë dhe mbështesë investimet e huaja.

Zef Dedaj, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm të KIESA, nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment ndaj deklaratave të kryeministri Kurti dhe efekteve që mund të kenë tek investitorët potencialë.

Niveli i investimeve të huaja në nga muaji janar deri në prill të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, është mbi 170 milionë euro, derisa në vitin 2021 investimet e huaja ishin në vlerë mbi 400 milionë eurosh.

Ndër vite investimet e huaja kanë shënuar rënie.

Si arsye për mungesë investimesh, përveç jostabilitetit politik, janë përmendur shpesh edhe infrastrukturat e komplikuara ligjore dhe pasiguria energjetike.

Në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit të publikuar në vitin 2020 për Klimën e Investimeve, është thënë se “një nga problemet që e pengon shkuarjen e investitorëve të huaj në Kosovë është furnizimi jo i besueshëm me energji”.

Kosova vazhdon të përballet me furnizim të paqëndrueshëm energjetik.

Korrupsioni është përmendur, gjithashtu, si pengesë në raportet e Bankës Botërore për të bërit biznes.

Ndërsa, në raportin e sivjetmë të organizatës ndërkombëtare, Transparency Internationl, të publikuar në janar, është thënë se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, por mbetet në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit.

Investimet në patundshmëri

Niveli me i lartë i investimeve të huaja nga viti 2007 deri në vitin 2009 ishte në aktivitete financiare dhe të sigurimit. Pas vitit 2009 deri në vitin 2021, niveli më i lartë i investimeve të huaja në Kosovë janë në sektorin e patundshmërive.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, niveli i investimeve në patundshmëri bëhet nga diaspora e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Më 19 gusht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, tha se Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para 1 shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova.

Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni, mendon se liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të jenë duke kontribuar në rritjen e tensioneve, për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit