4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

KUJDESI I BURRIT NDAJ GRUAS – Hoxhë Irfan Salihu

Më të lexuarat



Ekziston një keqkuptim i përhapur se Islami nuk u jep grave të drejta adekuate. Nëse e studioni Islamin me kujdes, do të kuptoni se Islami është feja e vetme që në fakt i jep të drejtat e duhura grave.

Allahu ka thënë në Kuran:

“Dhe nga faktet (e madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.
Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”
(Er-Rum, 21.)

Disa prej gjërave që burri duhet t’i bëjë ndaj gruas së tij:
——————————————-

– Të shpenzoj për të, për ta ushqyer dhe veshur, por, pa e tepruar në shpenzime dhe pa u bërë shumë koprrac!

Pejgamberi alejhis selam, ka thënë:
“Do të shpërbleheni për çdo gjë që do të shpenzoni për hir të Allahut, qoftë edhe një kafshatë që e vendosni në gojën e gruas tuaj.” (Buhariu).

– Të jetë i sjellshëm me të dhe të mos e lëndojë.

Pejgamberi alejhis selam, ka thënë:
“Më i miri prej jush është ai që është më i miri për gruan e tij.” (Tirmidhiu).

– Të jetë plot dashuri për të.

Duajeni atë, tregojeni dashurinë me veprimet dhe me fjalët tuaja.
Thuaj fjalë të bukura, thuaj që e do dhe këtë përsërite shpesh.
Thuaj sa mirënjohës je për të dhe bëji komplimente për pamjen e saj, gatimin, veçoritë e saja…
Nëse një grua kërkon t’i sjellësh diçka, apo pret diçka nga ti, bëje dhe tregoi asaj se mund të llogarisë tek ti.

Ndihmojeni me punët e shtëpisë. Për ata që mendojnë se kjo është poshtëruese për një mashkull, le ta dinë se Muhamedi alejhis selam, e ka bërë këtë, prandaj të ndihmosh gruan tënde është sunnet.
Përveç afrimit me gruan në këtë mënyrë, do të fitoni edhe shpërblime tek Allahu i Lartësuar.

– Bëni shaka me gruan tuaj dhe mos lejoni që monotonia të shkatërrojë martesën tuaj.

Besimtarët nuk guxojnë të shahen apo fyejnë fare, e lëre më gruan e tyre, si dhe nuk u lejohet të ofendojnë pamjen, apo poshtërimin e tyre!

– Një burrë nuk i lejohet t’i zbulojë sekretet e gruas tij, qofshin ato intime, apo mangësitë dhe mëkatet e saj tek një palë e tretë.

– Besimtari nuk duhet ta urrejë gruan e tij.

Lavdërone atë që është e mirë tek ajo, ndërsa, minimizoni të metat e saj.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Besimtari të mos e urrejë besimtaren, nëse nuk i pëlqen një cilësi e saj, do të kënaqet (do t’i pëlqejë) me një cilësi tjetër”. (Muslimi).

Një burrë i vërtetë (dhe veçanërisht një besimtar!) duhet të ketë sjelljet më të mira me gruan e tij.
Për fat të keq, ka vëllezër që janë të sjellshëm jashtë shtëpisë, të mirë në xhami, shitore, apo të buzëqeshur me fqinjët, të sjellshëm me gratë e tjera, por, kur vijnë në shtëpinë e tyre sillen ftohtë, të painteresuar dhe madje dijnë të jenë edhe agresif ndaj grave dhe familjarëve tyre.
Pejgamberi alejhis selam ka thënë:
“Më i miri prej jush është më i miri ndaj gruas tij.” (Tirmidhiu).

Një tjetër gjë shumë e rëndësishme është që burri duhet të bëjë çmos ta edukojë, mësojë dhe inkurajojë gruan të falet (nëse nuk falet)…

Jini të durueshëm me gruan dhe kini frikë Allahun sepse gruaja është amaneti i Tij.

Një burrë duhet të ketë një lloj xhelozie kur bëhet fjalë për gruan e tij.
Këtu nuk nënkuptojmë xhelozinë ndaj gruas për arritjet e saja, por xhelozinë me të cilën ai do ta mbrojë atë nga e keqja, që ajo të mos ekspozohet ndaj burrave të huaj, të mos vetmohet me ta, të jetë e veshur siç kërkon Krijuesi i saj…

Edhe gruaja ka obligime ndaj burrit saj, por këtë herë i cekëm disa obligime të burrit ndaj gruas.

Allahu na mundësoftë të jemi të drejtë ndaj grave tona!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit