-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Debati mbi shaminë dhe ai mbi konceptet

Më të lexuarat

Debati publik mbi shaminë islame, që ka përfshirë edhe njëherë opinion publik shqiptar, ka gjeneruar argumente juridike, sociologjike, historike, kulturore, ideologjike, politike dhe fetare, pro dhe kundra, shpesh edhe banale, duke e fokusuar atë kryesisht tek ky element i dukshëm publik fetar.

Kjo është e kuptueshme pse ndodh, sepse çështja e gruas, e barazive gjinore, e veshjes dhe e zhveshjes, e estetikës dhe e modës, janë preokupimet kryesore të shoqërive të sotme, të cilat duket se i japin përparësi aparencës më shumë sesa përmbajtjes. Por iu takon besimtarëve, së paku, që këtë debat ta orientojnë drejt koncepteve, parime dhe themeleve ideologjike të shoqërisë që jetojmë.

Debati mbi konceptet të tilla si liria dhe kufizimi, e drejta dhe padrejta, e vërteta dhe e kota, besimi dhe mosbesimi, kombi dhe feja, shekullarizmi, liberalizmi, etj. janë themeli i debatit që ne si besimtarë duhet të bëjmë me shoqëritë laike, sepse dallimet dhe kundërshtimet mes nesh dhe pjesës tjetër të shoqërisë, burojnë pikërisht tek këto themele konceptuale dhe jo thjesht tek rrjedhojat e tyre, që vijnë kryesisht për shkak të botëvështrimeve të ndryshme, shpesh edhe të kundërta.

Nëse debati publik nuk orientohet tek këto tema, ai do të jetë një debat shpesh herë shterp që zor se prodhon kuptim mes palëve. Debate të tilla shpesh u ngjajnë konkurrencës me daulle, se kush u bie më fort atyre, ku si shkaku si pasoja vërtiten te qerthulli se kush e nisi zhurmën dhe kush e bën atë më të madhe, ku në fund humbet ai që lodhet i pari.

Zelli dhe patosi i debateve duhet të zhvendoset dhe përqendrohet më shumë tek njohja paraprake e koncepteve, si nga pikëpamja islame ashtu edhe ajo laike e jofetare, dhe kjo sigurisht që kërkon më shumë thellime, lexime dhe studime, sidomos nga intelektualët dhe hoxhallarët, duke e larguar kështu me të drejtë debatin nga ndërfutja pjesëmarrëse e njerëzve të thjeshtë, të cilët jo rrallë e banalizojnë dhe e ulin nivelin e diskutimit në nivele tragjikomike, në banalitete rrugësh dhe në tregim muskujsh, nga të cilat nuk përfiton askush dhe na lënë në vend numëro dhe në llogore fikse.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit