Për herë të parë për Gylenin kam dëgjuar në 1996 kur isha në Stamboll për disa ditë. Nga miq dhe të njohur dëgjova për të se disa e mbanin atë për evlija, disa tregonin për të se kishte raste që ai ndodhej njëkohësisht në dy vende, se kishte shkuar policia ta kapte dhe nuk e gjente, se ishte njeri tepër i zgjuar aq sa edhe patriarkun e Stambollit e kishte bërë të fliste me vete. Ai kishte hapur shumë shkolla nëpër botë, mes tyre edhe kolegjet turke në Shqipëri, se kishte si mision ngritjen edhe një herë të Islamit në Turqi. Por mes tyre dëgjova edhe nga ata që thoshin se është mynafik, ndihmohet nga shteti, se nuk e preferon Erbakanin dhe partinë e tij, sepse i ekspozon muslimanët, se ka infiltruar njerëz në shtet, sidomos në arsim dhe në polici. Këto kanë qenë disa nga lajmet e para që dëgjova për të.
Në vitin 2009 mu desh të përgatisja një shkrim për Gylenin për revistën AlbIslam, të cilin e titullova “Nga Seid Nursi te Fetullah Gyleni”. Mu desh një kohë e gjatë disa mujore për të mbledhur materialin, pasi vështirësia e parë që hasja ishte mos njohja e gjuhës turke, ndërsa në gjuhën angleze kishte kryesisht materiale të cilat nga sa verifikova kishin lidhje në një mënyrë ose në një tjetër me xhematin e tij si burim, dhe nuk jepnin informacion shumë të detajuar, por kryesisht i bënin elozhe. Ndër të tjera mu desh të bisedoja edhe me ata që njihja që kishin jetuar për disa vjet në shpitë e xhematit gylenistë dhe e njihni deri diku nga brenda atë.
Sigurisht që shumë gjëra që i dija për të në atë kohë nuk i pasqyrova në shkrim, jo vetëm për të mos u zgjatur, por për tu treguar sa më i rezervuar dhe objektiv. Edhe pse nuk dija shumë gjëra të tjera të rëndësishme për të, të cilat i mësova më pas, pata kuptuar thelbin e xhematit të tij, për të cilin edhe sot që di shumë më tepër pak gjëra janë atë që në esencë kam ndryshuar bindjen.
Ajo për të cilën jam bindur që në fillim dhe në vazhdimësi është se Gyleni nuk është thjesht një mendimtar, hoxhë apo lider frymëzues, siç mundohet gjithmonë ta paraqesë të kufizuar veten, por kreu i një organizate hierarkike e cila me kalimin e kohës është quajtur si Hizmet, që nuk figuron askund e regjistruar, sepse funksionon në mënyrë informale, dhe shfaqet përmes një rrjeti të gjerë institucionesh arsimore, kulturore, mediatike dhe biznesi, të cilat formalisht kanë iniciatorë privat, por janë të gjithë të lidhur në mënyrë jozyrtare me grupimin e Gylenit.
Elementi i dytë tepër i rëndësishëm, është fakti se vetë Gyleni dhe ndjekësit e tij aplikojnë një metodologji kamuflimi, të cilin ata e quajnë “tedbir”. Për të mos ekspozuar aktivitetin apo identitetin e tyre, ata shpesh nuk shfaqen as si muslimanë, ose hiqen si muslimanë tepër tolerant dhe kanë adoptuar një ligjërim dualist, ku ndryshe flasin me botën dhe publikun dhe ndryshe me anëtarësinë. Sigurisht në kushte të tilla është më se e kuptueshme që edhe vetë brenda grupimit të këtë një hierarki sekreti, ku ata që janë më lartë në strukturë të dinë shumë më tepër sesa ata poshtë.
Elementi i tretë i rëndësishëm i këtij grupimi, i cili në perëndim etiketohet si Lëvizja Gylen, është se shumica e ndjekësve i përkasin shtresës së besimtarëve të thjeshtë që në një mënyrë ose një tjetër i besojnë sinqeritetit dhe retorikës fetare të Gylenit, pa qenë shumë të informuar sesi funksionojnë shtresat e larta të strukturës hierarkike të xhematit dhe për objektivat dhe pazaret që ata bëjnë, të cilat duket se janë vetëm për njerëzit më të afërt të Gylenit, të cilët i përkasin bashkëpunëtorëve të tij me të hershëm nga Anadolli. Një pjesë e mirë e gylenistëve të thjeshtë karakterizohen nga sinqeriteti, devocioni, fetaria, naiviteti, besnikëria, por edhe interesi e pragmatizmi. Është e rëndësishme të theksohet këtu se një pjesë e mirë e tyre janë rekrutuar në moshë shumë të re, duke e mësuar fenë dhe besimin nëpërmjet strukturave gyleniste, të cilat janë kujdesur jo vetëm për shkollimin dhe edukimin fetar, por edhe për nevojat e tyre ekonomike dhe sociale, siç është martesa, punësimi dhe karriera. Një pjesë e mirë e ithtarëve të Gylenit vijnë nga zona të thella rurale dhe shtresa të margjinalizuara, ndërkohë që strukturat e xhematit të tij u janë gjendur atyre pranë për një kohë të gjatë dhe u kanë mundësuar atyre të arrijnë gjëra që ata vetë do ta kishin tepër të vështirë apo të pamundur për t’i arritur. Kështu që është më se normale që ata t’i jenë mirënjohës dhe luajalë këtij grupimi që i ka mbajtur me bukë, i ka strehuar, i ka shkolluar, punësuar e madje edhe i ka martuar dhe vazhdon të përkujdeset për ta. Strukturat e xhematit janë për ta një vend jete me plot mundësi për punë dhe karrierë, njëlloj si ujërat e thella të një liqeni ku peshqit mund të notojnë qetësisht dhe lirshëm.
Pa marrë parasysh këto elementë strukturor të veprës së Gylenit analiza e mendimit dhe veprimit të tij do të jetë e mangët, sepse Gyleni nuk është kurrsesi nga ata lider mendimi, që i janë kushtuar vetëm fjalës dhe mendimit, por më së shumti ngjan me një lider klani, ku janë shkrirë bashkë idetë dhe veprimet dhe ku ka shumë pak hapësirë për diversitet mendimesh.
Në shkrimin e 2009, në përfundim të tij pata thënë:
“Lëvizja e Gylenit është një lëvizje në thelb me karakter islam. Ajo është një degë e moderuar e lëvizjes së Seid Nursit, mësimet e të cilit përbëjnë thelbin e aktivitetit të tyre. Ajo ka kontribuar në islamizimin e laicizmit brenda Turqisë dhe në turqizimin e Islamit në vendet e tjera. Islami që ata përhapin është sipërfaqësor dhe kryesisht e vë theksin tek morali konservator dhe tek edukimi shkencor. Mjetet dhe format që kjo lëvizje përdor i janë nënshtruar një realiteti represiv antifetar, çka ka bërë që ata të jenë të fshehtë në shumë prej aktiviteteve të tyre. Ky dualizëm në sjellje i ka bërë ata që shpeshherë qëllimi për ta të justifikoj mjetin dhe pse jo të bëjnë edhe koncesione në drejtim të fesë për të arritur synimet e tyre. Mjafton si fakt të përmendim, se Gyleni thotë që nëse një myslimane vihet në mes të zgjedhjes së hixhabit apo shkollës, ajo le të zgjedhë shkollën. Në ligjërimin e tyre fetar ndjekësit e Gylenit janë konservatorë ndaj parimeve islame, por në praktikë ata janë shumë më tolerantë dhe fleksibël në situata dhe vende të ndryshme. Përgjithësisht ata janë njerëz të qetë dhe me edukatë, dhe nuk hynë në debate me të tjerët, por janë përjashtues dhe mbartin një frymë sektare, ndaj muslimanëve të tjerë që i përkasin shkollave dhe lëvizjeve të tjera. Kanë bindje gati të verbër ndaj të parit dhe i nënshtrohen urdhrave të tij pa kundërshtuar. Ndikimi i lëvizjes së tyre vjen duke u rritur dhe koha do të shpalos shumë paqartësi dhe pikëpyetje që ngrihen rreth tyre. A do të dinë ata ta ruajnë me kalimin e kohës qëllimin për të cilin punojnë apo ai do të humbasë pas, në rrugëtimin e tyre të gjatë dualist? Kjo vlen për t’u parë…”
Këtyre fjalëve që kam thënë para trembëdhjetë vjetëve pak gjëra do t’i shtoja dhe saktësoja sot. Por gjithsesi të rëndësishme dhe me peshë. Dhe janë pikërisht ato që kam shkruar dhe publikuar kohët e fundit.
Si atëherë edhe sot nuk jam shprehur ndonjëherë se Gyleni, edhe pse nuk ka marrë një shkollim të modelit të sotëm akademik, përmes ndjekjes së cikleve të njohura shkollore, të jetë një injorant apo mos njohës i fesë dhe dijenive të ndryshme islame. Por, problemi i ynë me Gylenin dhe xhematin e tij hermetik përjashtues dhe makiavelist nuk është në thelb dija fetare tradicionale e tij, as ato që ai ligjëron dhe përputhen me traditën dhe dijen islame, por më së shumti ana e tij e errët dhe “destruktive” e cila bëhet bashkë me anën e tij të dukshme të “ndritur”.
Por a mundet që një njeri i ditur të shkasë dhe të bëjë bashkë mes kufrit dhe imanit, mes sinqeritetit dhe hipokrizisë, mes erudicionit dhe devijimit, mes vetëpëlqimit dhe asketizmit… Sigurisht që mundet, askush nuk është imun, dhe ndjekësit e Ehli Sunetit e besojnë diçka të tillë, madje e kanë të shkruar edhe në tekstet klasike të akides (doktrinës islame). Vetë Allahu në Kuran, por edhe jeta e historia njerëzore na kanë treguar se edhe njerëz të mëdhenj shkasin, dhe rëndë madje.
Është pikërisht ky aspekt shkarje që ne godasim tek Gyleni dhe xhemati i tij, sepse të paktën ne si shqiptarë jemi prekur shumë më tepër nga ky aspekt sesa nga aspekti i tij i “ndritur”. Dhe njeriu duhet të vihet në peshore, jo vetëm për anët e tij të mira, por edhe ato të liga, sidomos për pasojat dhe efektin që ato lënë. Në veçanti në Islam i jepet rëndësi mënyrës sesi dikush e mbyll jetën dhe veprimtarinë e tij të gjatë. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) duke shpjeguar gjendjen e dikujt që kishte vrarë veten duke mos duruar plagët e marra në luftë ka thënë: “Njeriu bën punë të banorëve të Zjarrit, siç e shohin njerëzit, ndërkohë që ai është prej banorëve të Xhenetit. Njeriu bën punë të banorëve të Xhenetit, siç e shohin njerëzit, dhe ndërkohë është prej banorëve të Zjarrit. Përnjëmend punët janë të lidhura me fundin e tyre.” (Buhariu 2898, 6607)
Kjo do të thotë qartë se çfarë vlere ka mbyllja e jetës me vepra të mira dhe të sinqerta dhe se jo gjithmonë ato që janë bërë më herët marrin peshën më të madhe të vlerësimit tërësor për dikë.
Ndërkohë Gyleni dhe produkti i tij janë përfshirë qartësisht në interesa ekonomike dhe dallavere politike dhe në një luftë të egër makiaveliste për pushtet, duke adoptuar një diskurs hipokrit ndaj asaj që thonë dhe asaj që bëjnë nën rrogoz, ku të gjithën e justifikojnë me fe dhe sigurisht dhe padyshim edhe sado të keqkuptuar, me modelin e hoxhës së tyre si lider frymëzues dhe orientues.
Natyrisht që Gyleni nuk është përgjegjës për çdo zullum dhe paturpësi që bëjnë ndjekësit e tij, por ai është përgjegjës për frymën dhe devijimet e tij, të cilat e kanë shpënë në këtë degradim ku janë ndjekësit e tij. Ne na ka interesuar dhe na intereson pikërisht Gyleni si lider organizativ, dhe udhëheqës i një grupi të caktuar mes muslimanëve, dhe jo Gyleni si intelektual apo thjesht frymëzues, pasi ai qartësisht dhe katërçipërisht nuk ka vetëm këtë rol siç pretendon publikisht. Ndërkohë që ndikimi i tij i madh ka ardhur pikërisht jo përmes forcës së tij të mendimit dhe artikulimit, por kryesisht përmes punës propagandistike të strukturave të perandorisë së tij të shtrirë ndërkombëtarisht. Sigurisht që ai ngjan me Sorosin në këtë drejtim, por me dallime të rëndësishme jo vetëm në përmbajtje, por edhe në strukturë dhe frymëzim.
Autori i një shkrimi apologjet për Gylenin e pranon se ndjekësit e tij në Shqipëri sillen shumë keq duke thënë se:
“Bazuar në ç’kam lexuar dhe hulumtuar, ekziston një humnerë mes tij dhe ndjekësve të vet në Shqipëri, qoftë në planin konceptual, qoftë edhe në atë praktik. Imagjinata arrin absurdin kur hamendësohet që vetë Gyleni të predikojë, publikisht apo privatisht, uzurpimin e KMSH-së apo stanjacionin fetar, për shembull, ndërkohë që orienton tek bashkëveprimi mes muslimanëve me një frymë jomargjinalizuese apo tëhuajësuese. Vërejtja, them unë, duhet bërë ndaj ndjekësve të tij në Shqipëri, të cilët jo vetëm që nuk e lexojnë, por edhe e keqprezantojnë në shoqëri me bëmat e tyre jotransparente, makiaveliste, dhe çeduese në shumë drejtime. Ndërkohë që kritika ndaj tyre, për mendimin tim, nevojitet në mënyrë urgjente dhe emergjente, duhet mbajtur vath në vesh mirë se akuzat për blasfemi ndaj tyre, apo edhe vetë Gylenit, janë, nga ana tjetër, qesharake, irelevante dhe nuk ngjisin.”
Gyleni mund të mos ketë dirigjuar konkretisht kapjen e KMSH nga ithtarët e tij në Shqipëri, por frymën që ata kanë dhe metodën e të punuarit të tyre në terren nga shtëpitë dhe sistemi i tij i edukimit e kanë marrë, dhe mesa duket qartë ajo nuk është aq e kulluar dhe pastër sa Gyleni shprehet publikisht, përmes retorikës së tij publike dhe librore. Ky është problemi më madhor i Gylenit dhe i ndjekësve të tij, dyfytyrësia dhe dualizmi në standarde mes ligjërimit dhe diskursit publik dhe atij privat sektar. Kështu që nuk gjejmë dot arsye logjike për t’i besuar vetëm të parës dhe për të mbyllur njërin sy ndaj të dytës.
Sigurisht që gjuha e dikujt mes tyre edhe turqishtja e Gylenit është një pengesë në kuptimin e tjetrit ashtu siç duhet, por në rastin konkret kur për të kuptuar dhe vlerësuar atë mbështetesh jo vetëm tek përkthimet e fjalëve të tij, por edhe në dëshmitë dhe gjykimet e atyre që e njohin nga afër personalisht personin në fjalë, atëherë pse qenka e gabuar kjo qasje që në fund të fundit ka një referencë të bindshme? Nëse dikush do të thotë se Gyleni është enigmatik apo metaforik si është e mundur atëherë që ai të ketë një xhemat kaq të madh, kur dihet se kapaciteti i shumicës së njerëzve për të kuptuar të tillë njerëz introvert është i pakët? Kjo do të thotë se sado i pakapshëm dhe i vështirë dhe i thellë të jetë ligjërimi i Gylenit, ai ka së paku detyrimisht një pjesë të ligjërimit të tij të kuptueshëm dhe të thjeshtë për të gjithë njerëzit. Dhe a vlen kjo për ta gjykuar atë për këtë pjesë? Sigurisht që po. Për më tepër si i bëhet halli kur një njeri i tillë është provuar se përdor një diskurs të dyfishtë, ndryshe për publikun dhe ndryshe për njerëzit e tij të afërt, ndryshe para viteve 90’ dhe ndryshe më pas? Po ndërkohë kur edhe ndjekësit e tij me shumicë sillen në këtë mënyrë dualiste, a ngelet më dyshim se kemi të bëjmë me një njeri problematik? Ta nisësh me fjalë të drejta dhe të sakta metodologjikisht apologjinë për Gylenin dhe pastaj të përfundosh në njëanshmëri të skajshme duke mos cekur fare gjithë debatin dhe pikëpyetjet e mëdha të ngritur mbi të, sidomos pas 15 Korrikut, thuajse ato të mos ekzistonin dhe të ishin fund e krye shpifje dhe inate politike, nuk më duket aspak objektive dhe e drejtë.
Nuk dua të zgjatem më shumë, por në ditët dhe javët në vazhdim do të publikojmë pjesë nga ligjërimet e tij kontradiktore në kohë dhe pozicione të ndryshme, për të kuptuar pikërisht këtë anë të errët të Gylenit dhe xhematit të tij.
P.S. Më e çuditshmja e tollovisë dhe paqartësisë në të cilën jetojnë një pjesë jo e vogël e gylenistëve shqiptar, është se megjithëse autori i apologjisë për Gylenin i kritikon qartësisht uzurpuesit gylenistë të KMSH, si në kundërshtim me mësimet e Gylenit dhe me bëma “jotransparente, makiaveliste, dhe çeduese në shumë drejtime”, përsëri një pjesë e gylenistëve, pjesë e kësaj çorbe për të cilën ata duhet të kritikohen në mënyrë “urgjente dhe emergjente”, i bëjnë like dhe share shkrimit të tij!