Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në intervistën e saj të parë pas dorëzimit të funksionit që dikur mbante, ka folur për luftën në Ukrainë dhe sjelljen e Rusisë – duke mbrojtur qëndrimet e saj të vjetra, raporton BBC.
Merkel tha se nuk ka për çfarë të “kërkoj falje” derisa po fliste për aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur mbështeti sanksionet që sollën paqen, transmeton Telegrafi.
Ky procesor paqësor, Merkel pretendon se i dha kohë Ukrainës që të zhvillohet si komb dhe të forcojë ushtrinë e saj.
“Nuk duhet ta fajësojë veten që nuk jam përpjekur mjaftueshëm. Nuk e shoh të arsyeshme të them se ka qenë e gabuar dhe për këtë nuk kam për çfarë të kërkoj falje”, tha Merkel.
Ajo kishte kundërshtuar edhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO në vitin 2008, pasi siç deklaroi ajo në intervistë, ka dashur të parandalojë eskalimin me Rusinë dhe sipas saj edhe vet Ukraina nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë.
“Nuk ishte Ukraina që sot e njohim. Nuk ishte një vend stabil, ka qenë i kapluar nga korrupsioni”, shtoi ish-kancelarja gjermane.
Ndërkaq presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit mbeti jashtë NATO-s pavarësisht ndihmës së madhe nga Perëndimi për t’u mbrojtur nga pushtuesi rus, vendimin e Gjermanisë gjatë vitit 2008 e ka përshkruar si “vlerësim të gabuar”.
Nga presioni i madh që t’i vë sanksione më të ashpra për shkak të pushtimit, Gjermania po lufton që të zvogëlojë varësinë nga energjia ruse, pa i shkaktuar dëme ekonomisë së vendit.
Megjithatë Merkel këmbëngulë se Evropa dhe Rusia janë fqinj që nuk mund ta injorojnë njëri-tjetrin.
“Duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar pavarësisht të gjitha dallimeve tona”, tha ndër tjera Merkel.
Pushtimi sipas Merkelit jo vetëm që “ka qenë i papranueshëm, por edhe gabim i madh i Rusisë”. /Telegrafi/