-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

DISA FJALË MBI JETEN E EL HAFIDH EBUL FEREXH IBN XHEUZIJ

Më të lexuarat

Emri i tij është: Ebu Ferexh, Xhemalud Din, Abdurrahman bin Ali bin Muhamed bin Ali bin Ubejdilah, ibn El Xheuzi, El Kurashi, Et Temim, El Bekri nga pasardhësit e Muhamed bin Ebu Bekr Es Sidikut. Ai ishte nga Bagdati dhe i përkiste medh’hebit Hanbeli.

U lind në vitin 509 ose 510 të Hixhretit. Halla e tij e mori që në moshë të vogël dhe e çoi tek ibn Nasir, prej të cilit mësoi shumë. Atij iu bë i dashur arti i predikimit, saqë shkëlqeu në këtë drejtim që në moshë të vogël. Predikonte para njerzëve, edhe pse i ri në moshë!
Babi i tij ndërroi jetë kur ai kishte mbushur vetëm 3 vjeç. Më pas për të u kujdes halla e tij, ndërsa të afërmit i kishte tregtarë metalesh.
Që në moshë të vogël, dallohej për devotshmëri. Nuk përzihej me njerëzit dhe nuk ushqehej me ushqime të dyshimta. Nga shtëpia nuk dilte veçse për namaz dhe nuk lozte me fëmijët e tjerë. Ushqente veten me ambicie dhe synime të larta, aq sa gjithë jetën e kaloi duke kërkuar dije, duke këshilluar njerëzit dhe duke shkruar libra.

Sa mahnitëse janë fjalët e imam Dhehebiut kur flet për ibn Xheuzin e thotë: “Ai qëndronte në piedestalin e predikimit. Nuk kishte njeri që t’a sfidonte. Ai ishte i mrekullueshëm në prozë, i radhiste bukur fjalët në poezi; zgjatej në artikulim; të mahniste; të gëzonte dhe ishte elokuent i pashoq. As tek të parët, por edhe tek ata që erdhën më pas, nuk pati të ngjashëm me të. Ai ishte bartësi i flamurit të predikimit dhe arteve të tij. Ishte i hijshëm dhe me zë të bukur. Fjalët e tij ndikonin direkt në zemrën e tjetrit. Ishte njeri me biografi shumë të mirë”.

Gjithashtu imam Dhehebiu thoshte për të: “Nuk besoj se kohët do të lejojnë të vijë ndonjë i ngjashëm me të!”

Hafidh Ibn Rexheb el Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Për ta përmbledhur themi: “Tubimet e tij këshilluese nuk kishin të krahasuar me tubimet e tjera dhe nuk është dëgjuar që të kishte të ngjashme me to. Dobia e këshillave të tij ishte e jashtëzakonshme, pasi ato të shkujdesurit i sillnin në vete, të paditurit i drejtonin drejt dijes, mëkatarët drejt pendimit dhe jobesimtarët drejt besimit Islam”.

Ndërsa Shejhul Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë), në përgjigjet e tij ndaj banorëve të Egjiptit thoshte: “Ebul Ferexh (Ibn Xheuzi) ishte i gjithanshëm dhe autor i shumë librave. Ai ka shkruar në çdo lëmi dhe kur i kam numëruar librat e tij, kam parë më shumë se 1000 libra të shkruar nga dora e tij. Tek ai kam parë gjëra që nuk i kam hasur tek të tjerët”.

Imam Dhehebiu pasi përmend disa nga librat e ibn Xheuzit thotë: “Nuk di të ketë ndonjë dijetar që të ketë shkruar sa ky burrë!”

Ai është autor i afërsisht 300 librave , disa prej të botuarave përfshijnë:

  1. Talki Fuhum Ehli el-Ethar fi Muhteseri el-Sijeri uel Ekber. (Vetëm një pjesë është botuar).
  2. El-Ethkija ue ‘Ekberehum’. (e botuar)
  3. Menekib ‘Umer ibën ‘Abdul ‘Aziz. (e botuar)
  4. Revhu el-Aruah. (e botuar)
  5. Shudhur el-Ukud fi Tarih el-‘Uhud. (dorëshkrim)
  6. Zad el-Mesir fi ‘Ilm el-Tefsir. (e botuar)
  7. El-Muntedhem di Terih elMuluk uel Umam. (vetëm 6 vëllime janë botuar)
  8. El-Dheheb el-Mesbuk fi Sijaril Muluk. (dorëshkrim)
  9. El-Hemke uel Mugefelin. (e botuar)
  10. El-Uefe fi Fede ‘ili el-Mustafe . (e botuar)
  11. Menekib ‘Umer ibën el-Hatab. (e botuar)
  12. Menekib Ahmed ibn Hanbel. (e botuar)
  13. Garib el-Hadith. (e botuar)

Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i veprave në fusha të tjera të dijes.

Vdekja e tij:
Ai ndërroi jetë natën e xhuma me 12 Ramazan të vitit 597 në Bagdat dhe u varros në vendin e quajtur Bab Harb.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit