12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Dhjetë arsye për të mos e vizituar Prizrenin

Më të lexuarat

Prizreni është qytet i tolerancës. Është vend ku shtëpi të vjetra rrënohen dhe shndërrohen në vendparkingje, kalldrëmi zëvendësohet me asfallt, e gjelbërta me rrasa, e qerpiqi me tulla. Zona historike e qytetit është përplot me ndërtime pa leje, ndërsa hapësira publike e ngufatur me tavolina e karrige. Ku edhe milionat e shpenzuar për restaurime të monumenteve kanë prodhuar më shumë degradim, ndërsa edhe ato pak hapësira kulturore gjenden në listën e privatizimit. Prizreni është qytet që investon më pak se një euro për kokë banori në kulturë dhe ku prokurorët pinë kafe në hotelet e ndërtuara pa leje. Është vend ku inspektorët rrënojnë baraka në lagjet periferike, derisa në qendër të qytetit nuk guxojnë as të kontrollojnë decibelat e muzikës së diskotekave. Më e keqja, i gjithë ky krim mbi kulturën dhe qytetin ndodh dhe kalon në heshtje të plotë. Qyteti sot manifeston nivele të frikshme tolerance ndaj krimit, shkatërrimit dhe tjetërsimit.
Mungesën e aftësisë për të reaguar dhe vepruar kundër shkatërrimit të qytetit e kemi zëvendësuar me rrëfimin mbi bukurinë e qytetit. Lista me arsyet pse duhet vizituar Prizreni, epitete të lavdishme që thirren në lashtësi e civilizim, toleranca e fryrë fetare, qebapa, festivale, çaj rusi… Një rrëfim i rrejshëm si përpjekje për të mbuluar turpin e heshtjes. Një lloj mohimi i realitetit, si mekanizëm ballafaqimi dhe si vetëmashtrim. Me ose pa vetëdije kemi rrëshqitur në diskursin më dominant të dekadës së fundit në Kosovë, atë të imazhit. Një përpjekje e pasinqertë për të promovuar atë që nuk e ke, gjithmonë duke i fshehur të metat. Prizreni është shembull adekuat për të kuptuar potencialin shkatërrues të rrëfimit të rrejshëm mbi të bukurën. Një qytet i tërë vazhdon të mbetet peng i këtij rrëfimi, i cili e neutralizon krimin dhe e mbyt aktivizmin.
Prizreni nuk është qytet i kulturës. Për të shpëtuar qytetin, fillimisht duhet ta pranojmë këtë realitet. Dhe pastaj të konfrontohemi me të keqen. Përndryshe, nga togfjalëshi “qytet i kulturës”, përveç cilësorit “kulturor”, rrezikojmë ta humbim edhe statusin “qytet”. 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit