2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“Përmes rehabilitimit të hekurudhave, Kosova do të mund të kyçet në korridoret e rajonit dhe ato pan-evropiane”

Më të lexuarat

“Përmes kësaj linje ne dalim në Shkup dhe rrjedhimisht në portin e Selanikut”, theksoi ministri Aliu

Rehabilitimi i hekurudhave në territorin e Kosovës do t’ia mundësojë Kosovës kyçjen në korridoret e vendeve të rajonit dhe në ato pan-evropiane, ka vlerësuar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një vizitë që ministri kosovar e ka bërë në punimet që po zhvillohen në pjesën e hekurudhës në fshatin Miradi të Epërme, ai ka thënë se rehabilitimi i hekurudhës Fushë Kosovë-Hani i Elezit është faza e parë e projektit të tërësishëm.

Aliu tha se modernizimi i kësaj hekurudhe përbën për Kosovën një kalim të rëndësishëm drejt rehabilitimit të linjave hekurudhore që është transport i gjelbër në funksion të ndikimeve të mira klimatike.

“Këto projekte janë të rëndësishme për vendin tonë edhe për qarkullim të brendshëm por, rëndësi të veçantë ka fakti që, përmes këtyre projekteve, Kosova do të mund të kyçet në korridoret e rëndësishme të regjionit dhe në ato pan-evropiane. Përmes kësaj linje ne dalim në Shkup dhe rrjedhimisht në portin e Selanikut”, theksoi Aliu.

Përfaqësuesi nga BE-ja, i cili është drejtor i komunitetit të transportit, Matej Zakonjšek, tha se modernizimi i rrugës hekurudhore tha se nuk është me rëndësi vetëm për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, por gjithë BE-në.

Ai tha se dikur Prishtina ka ofruar për rajonin dhjetëra trena të cilat kanë kaluar në stacionin kryesor brenda një apo dy ore dhe kjo duhet të ndodhë edhe në të ardhmen, meqë ka qenë e mundur në të kaluarën.

“Që kjo të ndodhë duhet ta shohim atë që po ndodh sot, modernizimi i hekurudhës aktuale. Duhet të ndërtojmë binarë të rinj hekurudhorë dhe duhet t’i lidhim ato me njësi moderne, drejt porteve dhe deteve. Duhet ta krijojmë një rrjet të transportit dhe kjo do të ishte mënyrë e sigurt që transporti hekurudhor në Ballkanin Perëndimor të bëhet modern, i besueshëm dhe konkurrues”, theksoi ai.

Sipas Zakonjšek, prioritet thelbësor i komunitetit të transportit dhe BE-së është që të modernizohet transporti hekurudhor në rajon ngase në 30-40 vitet e fundit cilësia e transportit hekurudhor ka shënuar regres dhe aktualisht ka vetëm një linjë të transportit të udhëtarëve e cila është përmes Serbisë dhe Barit në Malin e Zi.

Përfaqësuesi i Sektorit të Bashkëpunimit i BE-së, Luigi Brusa, tha se Bashkimi Evropian po bën gjëra me rëndësi për Kosovën dhe të ardhmen e saj ekonomike.

Ai tha se hekurudhat janë transport i qëndrueshëm, i lirë dhe reduktojnë emetimin e gazrave.

“Rehabilitimi i linjës prej Hanit të Elezit deri në Leshan do të kushtojë rreth 250 milionë euro. 60 milionë prej tyre janë grante nga Bashkimi Evropian, prandaj duhet të theksoj se njerëzit e Kosovës duhet ta dinë që ne po bëjmë gjëra reale, të vërteta, me ekspertizën më të mirë në Evropë”, theksoi ai.

Implementimi i modernizimit të hekurudhave në Kosovë do të implementohet në tri faza: Faza e parë rehabilitimi i hekurudhës Fushë Kosovë-Kufiri me Maqedoninë e Veriut, faza e dytë Fushë Kosovë-Mitrovicë dhe faza e tretë Mitrovicë-Kufiri me Serbinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit