4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Partitë politike po e shkatërrojnë KEK-un

Më të lexuarat

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, është ankuar se partitë politike në vend me përpjekjet për t’i punësuar njerëzit e vet po e shkatërrojnë KEK-un, që, sipas tij, ka mungesë të jashtëzakonshme të punëtorëve.

Të premten KEK-u njoftoi për anulimin e një konkursi për punësimin e rreth 150 njerëzve. Konkursi i shumëpërfolur për përzgjedhje të njerëzve të afërm me pushtetin, u kthye në rivlerësim. Nepotizmi, sipas Llumnicës, ka qenë pengesë që KEK-u të punësojë njerëz të rinj.

“Ne s’kemi qenë në rrjedha të konkursit për arsye se s’kemi qenë në prani e as në cilësinë e vëzhguesit e lëre më komision punues. I kemi përcjellë me shqetësime sepse ka pas ankesa të shumta dhe raportimet e mediave që kanë aluduar se ka pasur ankesa e keqpërdorime të ndryshme gjatë këtij konkursi. Ne me KEK-un kemi mungesë të madhe të numrit të punëtorëve. Janë rreth 1700 në mungesë. Këto janë arsyet që e kanë penguar KEK-un të punësojë njerëz të rinj. Partitë politike gjithmonë kanë aluduar t’i fusin njerëzit përmes listave të tyre dhe ka pasur nepotizëm si në gjithë vendin. Siç duket, po vazhdon edhe sot si trend dhe si pengesë e këtyre gjërave, keqpërdorimeve, thjeshtë KEK-u ka mungesë të jashtëzakonshme që mund të ketë pasoja në të ardhmen”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Edhe pse e ka quajtur lajm të mirë anulimin e konkursit, Llumnica është shprehur i zhgënjyer me proceset e punësimeve në KEK.

“E kemi parë me shqetësime në vazhdimësi… sepse ka pas nepotizëm edhe më herët. Në Kosovë janë punësuar vetëm njerëz që kanë pasur familjarë apo anëtarë të partive të ndryshme. S’ka ndryshuar dhe po vazhdon avazi i vjetër. Lajm i mirë anulimi nëse s’është vetëm sa për të shpërlarë ato që i kanë bërë më herët”, ka thënë ai.

“Partitë politike janë duke e shkatërruar KEK-un për arsye se po shtyhen kush të fusë punëtorë më shumë. Nganjëherë anulohen konkurset. Por këtu ka mungesë jashtëzakonisht të madhe. Mosha mesatare e punëtorëve është 58-59 vjeçare. Pas pak vitesh do të ketë shumë që dalin në pension dhe do të ketë mungesa edhe më të mëdha”, ka thënë ai tutje duke u ankuar edhe në problemet shëndetësore me të cilat po përballen punëtorët. “Vetëm më 2021 kemi pasur 35 punëtorë të vdekur që mendojmë se vijnë sëmundjet si pasojë e punës aty. KEK-u duhet sa më shpejt të punësojë punëtorë të rinj që të ketë punëtori shëndet të mirë e orar siç duhet. Duhet të mbushë boshllëkun e punëtorëve”.

Kalimin e sektorit të energjisë nga qymyri në energji të pastër ai e ka cilësuar si joreal për periudhë të shkurtër kohore.

Përzgjedhja e më shumë se 100 personave për t’u punësuar pati bërë bujë në vend, pas dyshimeve se shumica e tyre ishin të afërm të njerëzve të pushtetit. Partitë opozitare patën akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se ka emëruar militantë. Kryeministri Albin Kurti pati mohuar akuzat.

Më 5 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet në KEK.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit