Allahu i madhëruar në Kuran kur flet për betimet për mashtrim, thotë:
“Mos i përdorni betimet tuaja për të mashtruar njëri-tjetrin, që të mos ju rrëshqasë këmba pas qëndrimit të saj (në rrugë të drejtë) dhe t’ju prekë e keqja, për shkak të pengimit nga rruga e Allahut dhe të keni një ndëshkim të madh” suretu En-Nahl: 94.
Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me fjalën e Allahut [që të mos ju rrëshqasë këmba pas qëndrimit të saj (në rrugë të drejtë)] thotë:
“Kjo shprehje i thuhet çdo kujt që futet në bela pasi që ishte i qetë, apo çdo kujt që futet në rreziqe pasi ishte larg tyre”
Ja një shembull i rrëshqitjes nga rruga e drejtë!
Ibn Er-Rauendij (i vdekur në vitin: 298H) mohues dhe armik i fesë së Allahut.
Ai quhet Ebul-Hasen Ahmed bin Jahja bin Is’hak Er-Rauendij, njeri shumë inteligjent dhe autor i më shumë se 100 librave.
Ibn Rauendij nuk kishte qëndrueshmëri në fe. Ai në fillim ishte mu’tezili (grupim i devijuar që vë logjikën para fesë), pastaj kaloi te rafiditë (grupim tjetër i devijuar që e teprojnë me Aliun -radiallahu anhu- duke refuzuar çdo kënd tjetër veç tij) dhe pastaj e la islamin dhe shkroi libra kundër fesë së Allahut për disa monedha që ia dhanë disa armiq të fesë së Allahut.
Imam Dhehebiu thoshte: Ai shoqërohej me rafiditë dhe me mohuesit e fesë. Ai kur kritikohej për këtë gjë thoshte: Dua të njihem me mendimet e tyre.
Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Kam dëgjuar për të fjalë të rënda (të pa besueshme) derisa i pashë vetë dhe kishte gjëra që nuk mund ti shkojnë kujt ndërmend”.
Ibn Kethiri thotë: Ai u rrit në Bagdad dhe shkruante libra kundër fesë së Allahut. Ai kishte vlera por i përdori ato në punë të dëmshme dhe jo të dobishme për të as në dynja dhe as në ahiret.
Imam Dhehebiu kur analizonte këtë shembull thoshte:
“E mallkoftë Allahu atë zgjuarsi pa besim dhe e pranoftë Allahu mendjelehtësinë me përkushtim ndaj Tij!”.
Shih biografinë e tij në librin: “Sijer Ealam En-Nubela (Biografitë e Inteligjentëve të Shquar)” i imam Dhehebiut dhe librin “El-Bidaje uen-Nihaje ( Fillimi dhe Mbarimi)” i imam Ibn Kethirit
-Allahu i mëshiroftë që të dy-.
Dr. Abdullah Nabolli
——————————