0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kryeimami Sahiti vizitoi Luginën e Preshevës

Më të lexuarat

Prishtinë, më 20 prill 2022

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti në kuadër të vizitave të tij gjatë muajit të bekuar Ramazan, këtë të martë ka vizituar Preshevën si dhe fshatrat e kësaj komune, për të parë nga afër mbarëvajtjen e jetës fetare, me ç’rast takoi edhe strukturat e Këshillit të Bashkësisë Islame, imamët dhe xhematin.

Bashkë me Shoqatën “Bereqeti”, kryeimami Sahiti vizitoi disa familje shqiptare me gjendje të rëndë ekonomike, duke ndihmuar 50 familje me pako ushqimore.

Kryeimami Sahiti fillimisht vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës, në Preshevë, ku u prit nga kryetari, Nexhmedin Ademi, i cili e njohu kryeimamin për aktivitetet dhe angazhimin e imamëve të Preshevës me rrethinë gjatë muajit Ramazan. Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës u shtrua edhe iftar i përbashkët me imamët si dhe me besimtarët preshevarë.

Kryeimami Sahiti në fjalën e tij drejtuar besimtarëve mes tjerash theksoi nevojën për unitet dhe solidaritetit me njeri-jetrin, se vetëm kështu mund të ecim përpara, andaj këto virtyte duhet të kultivohen edhe më shumë.

“Përmes solidaritetit ne kemi tejkaluar gjithmonë sfidat, përmes vëllazërisë, unitetit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit kemi tejkaluar shumë vështirësi, vuajtje dhe rreziqe. Këto virtyte dhe vlera duhet t’i ujisim edhe më shumë te gjeneratat e reja që përmes tyre të forcojmë identitetin kombëtar e fetar”, tha kryeimami Sahiti.

Kryetari i Këshillit në Preshevë, Nexhmedin ef. Ademi, çmoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për islamin në këto vende.

“Bashkësia Islame e Kosovës për neve është sikur prindi për fëmijën. Ne duhet të mbështesim jetën institucionalë të Bashkësisë Islame. Ky institucion gjatë historisë ka qenë mburoja, kulmi i davetit dhe thirrjes në Islam. Nuk ka institucion më kompetent për organizim të jetës fetare, thirrjen në islam, ruajtjen e traditës sonë islame shekullore sesa Bashkësia Islame e Kosovës”, tha ai.

Gjatë vizitës në Preshevë, kryeimami Vedat ef. Sahiti, mbajti një ligjëratë kushtuar muajit të Ramazanit në xhaminë e re në Preshevë, për t’i prirë më pas namazit të jacisë dhe teravive. Kryeimami i Kosovës, gjatë muajit Ramazan ka vizituar edhe komunën e Bujanocit dhe atë të Medvegjës së bashku me fshatrat përreth, për të parë nga afër mbarëvajtjen e organizimit të jetës fetare në këto vende të ndjeshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit