Për herë të parë në 88 vjet, u fal sonte namazi i teravive në Xhaminë Aja Sofia (Hagia Sophia) në Stamboll, pas dy vitesh vonesë për shkak të pandemisë COVID-19.
Në xhami pritet të mbahen edhe një sërë ngjarjesh për nder të Ramazanit.
Ligjerimet do të bëhen nga myftinjtë, ekspertët ligjorë muslimanë, para namazit të drekës gjatë gjithë muajit të shenjtë.
Më 24 korrik 2020, xhamia u rihap për namazin e xhumasë për herë të parë në 86 vjet. Monumenti i famshëm ka shërbyer si kishë për 916 vjet deri në pushtimin e Stambollit. Më pas shërbeu si xhami nga viti 1453 deri në vitin 1934 – gati 500 vjet – dhe së fundmi si muze për 86 vjet.
Një nga ndërtesat historike më të vizituara në Turqi nga turistët vendas dhe ndërkombëtarë, në vitin 1985, gjatë kohës së saj si muze, Aja Sofia u shtua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Më 10 korrik 2020, një gjykatë turke anuloi vendimin e vitit 1934 që e ktheu atë në muze, duke i hapur rrugën përsëri përdorimit të saj si xhami pas një ndërprerjeje 86-vjeçare.
Përveç të qenit xhami, AjaSofia është gjithashtu ndër destinacionet kryesore turistike të Turqisë dhe mbetet e hapur për vizitorët vendas dhe të huaj.
Namazi i teravive është namaz që falet pas namazit të jacisë gjatë muajit të Ramazanit.
Ky namaz njihet ndryshe edhe si Kijam-Ul Lejl (namaz nate) pasi mund të falet deri në mesnatë. Aty përfshihen njëzet rekate që falen çdo ditë gjatë Ramazanit ndërmjet namazit të jacisë dhe namazit të Vitrit.
/mesazhi