Çdo goditje në ekonomi mund të jetë fatale për një vend me 620,000 banorë; një e katërta e ekonomisë së Malit të Zi llogaritet nga sektori i turizmit, i cili është ‘ushqyer’ kryesisht nga Rusia për më shumë se një dekadë.
Mali i Zi ka qenë prej kohësh një magnet për superjahtet, turistët dhe spekulatorët rusë të pasurive të paluajtshme, por tani përballet me një të ardhme të pasigurt.
Pasi vendi i Adriatikut mori përsipër të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sipas shembullit të Bashkimit Evropian, është vënë në pikëpyetje fluksi dikur i besueshëm i parave nga Rusia, shkruan AFP.
Pas agresionit ndaj Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt, Mali i Zi, një anëtar i ri i NATO-s dhe kandidat i BE-së, u gjend në një pozicion të papritur pasi sanksionet kërcënojnë ekonominë e tij.
Çdo goditje në ekonomi mund të jetë fatale për një vend me vetëm 620 mijë banorë.
Rreth një e katërta e ekonomisë llogaritet nga sektori i turizmit, i cili është “ushqyer” kryesisht nga Rusia për më shumë se një dekadë.
Momenti nuk mund të ishte më i keq
“Ne na pëlqejnë rusët dhe ne varemi prej tyre,” tha Danica Kazanegra Gregoviç, menaxhere ekzekutive e agjencisë së udhëtimit Gulliver Montenegro në vendpushimin bregdetar të Budvës.
Në shëtitoren kryesore të Budvës, gjuha ruse dëgjohet më shpesh se gjuha malazeze, po ashtu ka lokale dhe shkolla të destinuara për emigrantët rusë, komuniteti i të cilëve numëron disa mijëra njerëz.
Për Kazanegra Gregoviç dhe shumë të tjerë, sulmi ndaj Ukrainës, i cili u pasua shpejt nga sanksionet perëndimore ndaj institucioneve financiare ruse dhe ndalimi i fluturimeve nëpër Evropë, shkaktoi frikë për pasoja negative.
Për një destinacion si Mali i Zi, i varur nga turizmi dhe i prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit, sezoni pritej me padurim, pasi të gjithë e shohin atë si një mundësi për të përfituar nga turizmi, si ai elitar e si ai masiv.
“Kemi mbijetuar tashmë disa vite me një sezon turistik jo shumë të mirë. Kjo do të na ndikojë më shumë sesa do të donim ta pranonim”, tha Kazanegra Gregoviç.
Përveç vështirësive ekzistuese, paratë që mbërrijnë në tregun e pasurive të paluajtshme përgjatë bregdetit malazez kanë ndaluar rrjedhjen, pasi rusët e kanë gjithnjë e më të vështirë të lëvizin paratë e tyre jashtë vendit.
Për vite me radhë, regjimi pa viza dhe ligjet e buta të investimeve kanë hedhur bazat për rrjedhjen e parave ruse në Mal të Zi.
Fshehja e pasurisë nga ligji
Kjo shkaktoi një kërcim të papritur në tregun e pasurive të paluajtshme, që e ktheu peizazhin dikur të paprekur të bregdetit malazez në një grumbull ndërtesash banimi dhe apartamentesh.
“Shumica e parave të investuara në bregdet erdhën nga Rusia,” shpjegoi Dejan Milovac, zëvendësdrejtor ekzekutiv i grupit anti-korrupsion Mans.
Mali i Zi ka qenë një destinacion i preferuar për rusët për të blerë pasuri të paluajtshme ose për të fshehur pronën e tyre nga ligji, shtoi Milovac.
Rusët përbëjnë gjithashtu shumicën e përfituesve të politikës së shtetësisë ekonomike malazeze, të cilët shpërblejnë me pasaporta individët që kanë investuar 450,000 euro në vend.
Pak më shumë se 65 për qind e të ashtuquajturave “pasaporta të arta” u janë dhënë qytetarëve rusë në 14 muajt e fundit.
Por pas pushtimit dhe sanksioneve shoqëruese, dy agjenci të ndryshme imobiliare në Budva njoftuan se blerja e pasurive të paluajtshme në qytet ishte ndalur.
Fokusin në tregje të tjera
“Gjithçka ndaloi. Ndërtimi ose është ndalur ose njerëzit po punojnë me vështirësi të mëdha”, tha Jovan, 44-vjeçari pronar i një lokali në Budva.
Kjo po ndodh pak muaj para sezonit turistik dhe do të sjellë probleme që do të dëmtojnë biznesin, shtoi ai.
Zyrtarët malazezë kërkuan shpejt të zbusin frikën pasi qeveria premtoi të vendosë sanksione, në përputhje me ato të vendosura nga 27 vendet anëtare të BE.
Sanksionet nuk janë vendosur ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, por zyrtarët janë zotuar të zbatojnë masa për të zbutur dëmet ekonomike të lidhura me luftën, si rritja e çmimeve të karburanteve dhe nevojave themelore.
“Për fat të keq, ka një luftë dhe ne do të duhet të zhvendosim vëmendjen tonë në tregje të tjera,” tha ministri i jashtëm Gjorgje Raduloviç, duke shtuar se kishte ardhur koha për një mënyrë të re të të menduarit.
Moska, akuzuar për komplot
Ndoshta është koha e fundit që Mali i Zi të diversifikojë ekonominë e tij dhe ndoshta është koha që Mali i Zi të mos jetë i varur ekskluzivisht nga turizmi, shtoi Raduloviç.
Lufta dhe pasojat e saj po prishin marrëdhëniet shekullore vëllazërore midis Malit të Zi dhe Rusisë, të cilat ndajnë një trashëgimi sllave dhe ortodokse.
Pasi Mali i Zi u bë i pavarur nga Serbia në vitin 2006, vendi ndërtoi marrëdhënie të qëndrueshme me Moskën dhe shpejt u bë një destinacion i preferuar për rusët që kërkonin të zhvendoseshin, të investonin ose të udhëtonin.
Megjithatë, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë pa probleme.
Në vitin 2016, zyrtarët malazezë akuzuan Moskën se po planifikonte një grusht shteti që synonte të parandalonte anëtarësimin e ish-republikës jugosllave në NATO.
Por Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka pasur ndonjë lidhje me ndonjë komplot apo planifikim grusht shteti.
Shumë prej tyre tani janë shkëputur nga Rusia
Pas tentativës së supozuar për grusht shteti, Mali i Zi iu bashkua një aleance ushtarake të udhëhequr nga SHBA dhe vazhdoi bisedimet e pranimit në BE.
Periudhat e shkurtra të mosmarrëveshjeve nuk i kanë penguar rusët që të vazhdojnë të mbërrijnë në Mal të Zi në një numër të madh.
Por për rusët e vendosur në Mal të Zi, lufta e Putinit në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim shtesë.
Shumë prej tyre tani janë shkëputur nga Rusia dhe nuk janë në gjendje të përdorin paratë e tyre në bankat ruse dhe kartat e tyre të kreditit janë bllokuar.
“Mund të jetë faji ynë që nuk kemi shpjeguar se sa i rrezikshëm është (Putini). Të gjithë njerëzit që janë në një farë mënyre të lidhur me Rusinë do të humbasin shumë”, tha Marat Gelman, një koleksionist rus i artit në Budva dhe një kritik i shquar i Putinit. /tesheshi.com/