4.8 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Muaji i Kuranit: Pas vështirësisë, Zoti do të sjellë lehtësimin

Më të lexuarat

Muaji i Kuranit: Pas vështirësisë, Zoti do të sjellë lehtësimin

Ky është një premtim nga Ai që nuk e shkel kurrë fjalën, është një sihariq për robërit e Tij besimtarë. Ligji dhe urtësia hyjnore depërtojnë në çdo gjë dhe ligji i Tij thotë se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Prandaj, sado i rëndë të jetë një hall dhe problem, mos e ngushto zemrën, pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, pas çdo halli vjen zgjidhja. Përgëzoji të gjithë ata që gjenden të gozhduar nga hallet, përgëzoji me agimin plot dritë, me zgjidhjen e halleve të tyre, me diellin që pason stuhinë dhe që largon retë e fatkeqësisë.
Ajeti në fjalë është ngushëllim për besimtarët që gjenden nën zgjedhën e zullumqarëve, ai është ngushëllim për të lënguarit, ai është sihariq për personat në fatkeqësi, ai është dhuratë e vyer për dikë që është burgosur, për dikë që i janë prangosur duart e këmbët… Le ta dijë se dita e lirisë është e afërt. Ky ajet është një buqetë plot lule të freskëta për këdo që e ka mbërthyer sëmundja dhe e ka rënduar kobi. Ai është një premtim për shërim të shpejtë, për shëndet të plotë që e pret. Pas urisë vjen ngopja, pas lodhjes rehatia, pas sëmundjes vjen shërimi, pas mërzisë vjen gëzimi, pas fukarallëkut pasuria, pas natës vjen dita, pas errësirës vjen drita dhe pas thatësirës vjen shiu. Sado e gjerë dhe pafund të duket shkretëtira, pas saj fshihen lumenj vërshues, lulishte plot lule dhe toka pjellore. Sa më shumë të tërhiqet litari, aq më e afërt është këputja e tij. Sa më shumë të shtohen retë, aq më i madh është shiu që shuan etjen. Sa më shumë të errësohet nata, aq më pranë është agimi.
Vështirësia, ka pas dy lehtësime dhe jo një, sipas Kuranit famëlartë. Sado e hidhur të jetë fatkeqësia, ajo e ka një fund. Nëse frika do të ishte e pandërprerë, njeriut do i shkurtohej jeta, por pas çdo frike ekziston siguria dhe qetësia. Nëse pikëllimi do të ishte i pandërprerë, do të pikonte zemra gjak, por çdo pikëllim pasohet nga gëzimi dhe hareja. Nëse demoralizimi do të ulej këmbëkryq, do të na nxihej jeta dhe gjithçka, por pas tij qëndron gjithmonë shpresa. Prandaj, asnjëherë mos e humb shpresën nga mëshira e Zotit. Mos lufto me iluzionet dhe mos hyr në betejë me vesveset, por mbaji sytë nga porta e shpresës hyjnore, që ta shohësh botën ashtu siç është realisht, të shohësh aktualitetin me të gjitha dimensionet e tij dhe të shohësh lumturinë teksa rend drejt teje, të dallosh përkujdesin dhe dhembshurinë hyjnore që të rrethojnë nga të katër anët. Laji hallet dhe telashet me lumin e mbështetjes tek Zoti. “mbështetjuni Zotit nëse jeni besimtarë” na urdhëron Kurani. Bëj kujdes se mos i beson premtimeve të intrigantit më të madh, shejtanit të mallkuar, i cili na premton veç fukarallëk dhe na urdhëron për punë të liga. Besoji premtimit të Atij që nuk të zhgënjen kurrë, i cili thotë:”Zoti u premton falje nga ana e Tij dhe mirësi, Zoti është i Gjithëditur”.
Ushqeji ëndrrat dhe ambiciet e tua me një të ardhme të ndritur, një të nesërme të lumtur dhe një agim të ri dhe plot dritë. Zoti nuk të ka sprovuar që të të shkatërrojë dhe as që të të poshtërojë. Ai thjesht deshi të të sjellë në vete me një kamxhik dhimbjeje, Ai deshi të të zgjojë nga indiferentizmi që të kaploi me një shpim pendimi, të të ngrejë nga shtrati me pak sëmundje, të të kujtojë mirësitë me një fatkeqësi, shëndetin me pak sëmundje, lirinë me pak burg. Në çdo gjendje dhe situatë që të jesh, Zoti është Ai që kujdeset për ty, Ai që e di më të dobishmen për ty, ndërkohë që ti nuk di as interesin e vetes. Ai është i Gjithëdituri dhe i Urti. Prandaj dhe zgjedhja e Tij është më e dobishme për ty sesa zgjedhja jote për veten tënde. Dija e Tij është më e madhe sesa dijet e tua, pasi ti je një rob me dije të kufizuara, ndërkohë që dijet e Zotit janë pafund.

Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit