10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Muaji i Kuranit: Mos u mërzit, Zoti është me ne

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit: Mos u mërzit, Zoti është me ne

Këtë fjalë të bukur dhe të guximshme, e ka thënë i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s, teksa fshihej në shpellën Theur, bashkë me mikun e tij Ebu Bekrin, ndërkohë që idhujtarët mekas i kishin rrethuar nga të katër anët. Ai e tha atë i bindur dhe i vendosur, pa u lëkundur aspak në besimin që kishte tek Zoti.
“Mos u mërzit, Zoti është me ne”, e përderisa Zoti është me ne, përse duhet të mërzitemi dhe të shqetësohemi? Përse duhet të kemi frikë? Përse duhet të tmerrohemi? Qetësohu, ji i vendosur dhe rezisto! Zoti është me ne.
Ne nuk thyhemi, nuk mposhtemi, nuk humbasim, nuk shuhemi, nuk demoralizohemi, nuk e humbasim shpresën, sepse Zoti është me ne. Triumfi është aleati ynë, fitorja bashkudhëtari ynë, çlirimi miku ynë dhe shpëtimi fundi ynë. Kjo, sepse Zoti është me ne.
Nëse e gjithë dynjaja na bllokon rrugën, nëse i gjithë njerëzimi na shpall luftë, nëse na vijnë shigjetat nga çdo anë… mos u mërzit dhe mos u shqetëso! Zoti është me ne.
E kush ka zemër më të fortë se ne, kush është më i udhëzuar se ne, kush është më parimor se ne, kush është në rrugë më të drejtë se ne, kush është më i fisëm se ne… e di pse? Sepse Zoti është me ne.
I dobët është armiku ynë, i poshtër kundërshtari, i lig dhe frikacak ai që na lufton, sepse Zoti është me ne.
Nuk kërkojmë kënaqësinë e njerëzve, nuk i kërkojmë ndihmë robit, nuk i lutemi njeriut, nuk i frikësohemi krijesave, sepse Zoti është me ne.
Ne jemi më të fuqishmit, kemi armët më të forta, jemi më të vendosurit, jemi në rrugën më të drejtë, sepse Zoti është me ne.
Ne jemi shumica, të fismit, të lartësuarit, krenarët dhe të mbështeturit nga ndihma hyjnore, sepse Zoti është me ne.
O Ebu Bekr! Hiq dorë nga shqetësimi që të ka kapluar, hiq dorë nga frika, largoje stresin dhe fshije demoralizimin, Zoti është me ne.
O Ebu Bekr! Ngrije kokën, qetësohu dhe rehatohu, Zoti është me ne.
O Ebu Bekr, përgëzo për fitoren, prit triumfin dhe kërkoje lirinë, Zoti është me ne.
Nesër, mesazhi ynë do të lartësohet, ftesa jonë do të triumfojë dhe fjala do të na dëgjohet, sepse Zoti është me ne.
Nesër, do e bëjmë gjithë tokën ta dëgjojë thirrjen e mrekullueshme të ezanit, fjalën e Zotit dhe melodinë e Kuranit, sepse Zoti është me ne.
Nesër, do e nxjerrim njerëzimin nga errësira dhe idhujtaria e paganizmi, nesër do i japim asaj lirinë, sepse Zoti është me ne.
Këto ishin fjalët që profeti Muhamed a.s i tha Ebu Bekrit në shpellën Theur, ndërkohë që idhujtarët mekas i kishin rrethuar nga të katër anët, kurse vdekja i priste krahëhapur. Atyre u ishin mbyllur të gjitha dyert, përveç njërës, u ishin prerë të gjithë litarët e shpëtimit, përveç njërit, i kishin braktisur të gjithë, përveç Njërit. Me ta ishte Ai që është i Vetëm dhe pa rival, Ai që nuk ia ka nevojën askujt, ndërkohë që të gjithë i përgjërohen për tu plotësuar nevojat. Në kushte dhe rrethana të tilla, profeti Muhamed a.s thoshte:”Mos u mërzit, Zoti është me ne!”
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit