0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Në Kosovë shumica e viktimave nga COVID-19 me sëmundje shoqëruese

Më të lexuarat

Rreth 70 për qind e pacientëve që kanë humbur betejën me koronavirus javëve të fundit në Kosovë, kanë qenë të vaksinuar, por kanë vuajtur nga sëmundje të tjera të rënda, thotë Arben Vishaj, drejtor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në dhjetëditëshin e fundit, nga data 9 deri më 19 shkurt, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 45 viktima nga COVID -19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

“Pacientët që kanë humbur jetën, kanë lënguar më herët nga sëmundje shumë të rënda, siç janë sëmundjet malinje, ose kanë pasur ndërhyrje në zemër, apo kanë pasur çrregullime të mëdha të zemrës”, thotë Vishaj.

Kosova, javëve të fundit, ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus, për dallim nga javët e fundit të vitit të kaluar.

Më 26 janar është raportuar rekord rastesh, mbi 4,300, për dallim prej dhjetorit kur rastet ditore të të infektuarve kanë qenë njëshifrore.

Autoritetet shëndetësore besojnë se varianti Omicron i koronavirusit është dominues në Kosovë.

Ky variant është cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për herë të parë është identifikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar në Afrikë të Jugut dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës.

OBSH ka konstatuar se varianti mund të shkaktojë simptoma më të lehta të sëmundjes, por është më ngjitës se çdo variant i mëparshëm.

Thirrje për vaksinim

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramdani, thotë se pavarësisht faktit se Omicroni paraqitet me “simptoma më të buta”, pacientët që kanë sëmundje kronike ose janë të pavaksinuar, mund të përfundojnë me fatalitet.

“Pacientët më të rrezikuar janë ata që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, duke filluar nga tensioni [i lartë i gjakut], aritmia, sëmundjet kronike dhe malinje, qytetarët që kanë imunitet të dobësuar… Personat, sidomos të moshuarit, duhet të vrapojnë për t’u vaksinuar edhe me dozën përforcuese”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Doktor Vishaj thotë se pacientët e hospitalizuar, të cilët janë të vaksinuar me së paku dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, tregojnë forma më të lehta të sëmundjes se pacientët e pavaksinuar.

“Nuk ka pasur raste te moshat e reja, ose me imunitet të mirë, të cilët kanë qenë të vaksinuar dhe kanë përfunduar me vdekje”, thotë Vishaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdimisht bën thirrje për vaksinim.

Në ueb-faqen e tij thuhet se Omicron vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, Instituti apelon për vaksinim sa më gjithëpërfshirës të popullatës nga mosha 12-vjeçare”, thuhet në ueb-faqen e IKSHPK-së.

Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunat e Kosovës.

Deri më tani, mbi 800 mijë qytetarë, apo 45 për qind e popullsisë që mund të vaksinohet, janë vaksinuar me dy doza të vaksinës. Mbi 95 mijë qytetarë, ndërkaq, janë vaksinuar me dozën e tretë ose përforcuese.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, një vend duhet të vaksinojë mbi 80-85 për qind të popullatës për të arritur një shkallë të lartë të imunitetit.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur në mars të vitit 2021, ndërsa dhënia e dozës së tretë ose përforcuese ka nisur në dhjetor.

Fillimisht kanë mundur të vaksinohen vetëm personat mbi 18 vjeç, pastaj edhe mbi 16-vjeçarët dhe tani edhe mbi 12-vjeçarët.

Nga 5 shkurti, Kosova ka në fuqi masa të reja kundër përhapjes së koronavirusit, që përfshijnë heqjen e maskave në ambiente të jashtme dhe orar më të zgjatur të gastronomisë. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit