-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Si më i thanë fëmijës mos ha babit shumë bukë?”- Qytetarët të brengosur për paralajmërimin e rritjes së çmimit të bukës

Më të lexuarat

Çmimi i bukës është paralajmëruar të rritet, ashtu si i shumë produkteve të tjera.

Kjo ka shqetësuar qytetarët, të cilët thonë se po përballen me rritje të çmimeve nga të gjitha anët.

Një qytetar nga Prishtina në një prononcim për Shqip.com, thotë se konsumin mund ta reduktoj për vete, por nuk mund t’ua kërkojë fëmijëve.

“Unë si i moshuar mundëm me ulë konsumin, por fëmijës si t’i thuash babi mos ha shumë. Ushqimi nuk është dëshirë është nevojë.

Unë e kam thënë në disa intervista ne jemi viktima para luftës, gjatë luftës dhe mbas luftës. Kush e pyet qytetarin a është rritur apo nuk është rritur, shko thotë blejë një bukë kaq. Kujt do t’i ankohesh. Shkon në qeveri thotë jo nuk dimë asgjë, shkon në furrë thotë është rritur çmimi i bukës. D.m.th blen kush ka e ata 40 për qind që nuk kemi vuajmë. Ata që kanë e blen edhe 1 euro më u bë”.

Çmimi i bukës aktualisht varion nga 40 deri në 50 cent.

Nëse rritet më tepër, një qytetar tjetër, F.Morina, tregon se me të ardhurat nga pensioni nuk mund ta përballoj.

“Çmimi i rritjes nuk duhet me ndodh pasi pagat janë shumë të vogla. Populli nuk e përballon këtë rritje. Buka me u rrit, rryma me u rrit, çka me marrë ai me 100 euro pension. Qetash unë vet i mora barna 20 euro, ka me i nda ato. Çmimet s’bon me u rrit kurrqysh hiq”.

Pronari i furrës së bukës “Labi” në kryeqytet, Shefki Berisha, aktualisht bukën e shet me 40 cent.

Berisha nuk tregon se për sa planifikon ta rris çmimin, por thotë se çmimin e ri do ta vendos brenda pak ditësh.

“Këto rritje janë pritur vetëm ishte dita ditës. Çmimi është rritur 2-3 herë deri më tani ne e kemi rritur vetëm një herë çmimin e bukës dhe të byrekut dhe tashmë është paralajmëruar rritja e miellit. Ne si Shoqatë e Furrtarëve duhet të bisedojmë se sa do të rritet por kjo nuk varet prej neve, krejt varet prej miellit, sa do të ngritët ne do të shkojmë në bazë të tyre.

Këtë vendim, ai e arsyeton me rritjen e çmimit të miellit, kripës, vajit e sheqerit.

“Sa i përket furnizimit me produkte, për çdo ditë vjen çmimi i pakontrolluar fare. Veç vjen thotë kaq çmimin, nesër nuk dihet sa. Asnjë ditë nuk është njëjtë”, ka treguar ai.

Ndërsa, Shoqata e Mullistëve të Kosovës paralajmërimin për rritje e ka arsyetuar me rritjen e çmimit të energjisë, ani se vendimi pritet të mos i prek bizneset.

“Në koston e prodhimit të miellit ndikim të madh ka energjia elektrike. Shoqata e Mullisëve të Kosovës kërkon që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për fabrikat që merren me bluarjen e grurit dhe misrit nga se prodhojmë landën e parë themelore që ndikon në standardin e popullatës dhe nëse shtrenjtohen energjia elektrike për këtë degë industriale duhet të jeni të vetëdijshëm se do të pasojë shtrenjtimi i lartë i miellit dhe i bukës si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike”, thuhet në raportin me komentet e tyre.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ndër vite, tregojnë për një rritje graduale të çmimit të bukës./shqip.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit