-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Deutsche Welle: Kisha katolike ka humbur çdo lloj besimi

Më të lexuarat

Ekspertiza e fundit nga Mynihu ka nxjerrë në dritë abuzime të tjera seksuale dhe përpjekje për fshehjen e tyre në kishën katolike. Nuk mund t’i besosh më ipeshkëve, shteti duhet të ndërhyjë, shkruan Martin Gak.

20 vjet kanë kaluar që nga raportimi i Boston Globe për abuzimet seksuale me fëmijët nga priftërinj katolikë të dioqezës së Bostonit. Ndërkohë katalogu i tmerrit është shtuar, numri i fëmijëve në të gjithë botën me të cilët është abuzuar seksualisht nga prifërinjtë është i pamatë. Vit për vit shifrat janë rritur, ndërkohë që viktimat kërkojnë zhdëmtim nga kisha.Publiku ndërkohë është mpirë para përmasave të këtyre krimeve. Herë pas here del ndonjë raport, si ai para disa ditësh në Mynih, që ia del të kapë kryetitujt, vetëm sepse preket dimensioni i bashkëpërgjegjësisë së qarqeve më të larta të kishës.

Me raportimin më të fundit dalin edhe 500 viktima të tjera nga vitet 1945-2019, vetëm në dioqezën Mynih dhe Fraizing, krahas 3500 viktimave në të gjithë Gjermaninë, rastet e të cilëve janë zbuluar në një të ashtuquajtur, studimi MHG në vitin 2018.

Komplot i heshtjes

Në Irlandë janë varrosur në varreza anonime 9000 fëmijë në rrethana të pasqaruara në jetimoret famëkeqe për nënat e pamartuara. Abuzimi me fëmijët në konviktet katolike në Kanada çoi në vdekjen e 6000 të prekurve. Shumë nga këto viktima po ashtu janë varrosur në varreza anonime. Në Francë një studim vlerësoi vitin e kaluar, se priftërinj dhe punonjës të kishës katolike që nga viti 1945 kanë abuzuar me rreth 300.000 fëmijë.

Por nuk është vetëm abuzimi me të mitur që të zemëron kaq shumë në historinë e krimeve seksuale.Kisha me ngadalësinë e saj në mënyrë skandaloze ka bërë dukshëm të qartë, se ajo nuk do të bashkëpunojë me autoritetet shtetërore në hetimin e këtyre krimeve. Komploti i saj institucional i heshtjes – mbrojtja e sekretit të rrëfimit dhe refuzimi për publikimin e dosjeve apo dhënien tek autoritetet – u konirmua sërish nga zbulimet e ekspertizës në Mynih. Zbulime që implikojnë edhe Papa Benediktin e XVI, dhe ish-arqipeshkvin e Mynihut, Joseph Ratzinger, në katër raste.

Krerë drejtues të kishës katolike me heshtje kanë mundësuar krimet kundër fëmijëve dhe i kanë fshehur ato. Ne e dimë tani që Papa Benedikti dinte për abuzimin në dioqezën e tij, lejoi të paktën zhvendosjen në detyrë të njërit prej autorëve të abuzimit (që filloi menjëherë të bëjë të njëjtën gjë) dhe e mohoi pikërisht këtë. I njëjti njeri që në Romë ishte përgjegjës për zbardhjen, zhdëmtimin pas krimeve të shkuara dhe të pengonte krimet e ardhshme.

Përgjegjësia e politikës

Edhe nëse reagimet e ipeshkëve janë çdo herë të zbehta dhe jo konsekuente, deri më tani ata ia kanë dalë të pengojnë reagime të qarta të politikës në Gjermani. Edhe pse historitë e tmerrit kudo tregojnë të njëjtin model, kisha nuk paska ç’të thotë më shumë, se disa deklarata të vakëta dhe ndryshime thjesht kozmetike në institucionet e saj të brendshme.

Para këtij sfondi duhet parë edhe refuzimi i konferencës së ipeshkëve spanjollë që të ngrihet një komision për hetimin e rasteve të abuzimit, si edhe refuzimi tjetër për krijimin e strukturave të pavarura, që do ta mundësonin këtë. Si reagim ndaj një raportimi në “El Pais”, në të cilin flitet për të paktën 1000 raste abuzimi seksual, kreu i konferencës së ipeshkëve, kardinali Juan José Omella, u shpreh, për “dhimbjen e thellë” për viktimat dhe se “do të mbledhë ankimet dhe do të shoqërojë njerëzit që kanë vuajtur.”

Nuk është më i pranueshëm vetëkontrolli i kishës

Padashur Kardinal Omella bëri të qartë një problem, me të cilin duhet të ndeshen institucionet publike dhe shtetërore. Drejtuesit e kishës besojnë, se e kanë ende autoritetin moral dhe besueshmërinë të kontrollojnë vetë veten. Në Spanjë një grup parlamentarësh i mbështetur nga partia e majtë dhe e qendrës, PSOE bëri një hap të pazakontë duke vënë në pikëpyetje pushtetin politik të kishës katolike me kërkesën e paraqitur për krijimin e një komisioni parlamentar. Ai duhet të hetojë rastet e abuzimit seksual, që janë kryer ndaj fëmijëve nga njerëz të kishës.

Zbulimet nga Mynihu tregojnë, se ishte gabim i institucioneve shtetërore t’i lejojnë kishës të hetojë vetë, të gjykojë vetë dhe të ndëshkojë në fund veten. Kjo gjendje gropos çdo lloj përfytyrimi të arsyeshëm për drejtësi në një shtet demokratik. Dhe më e rëndësishmja: është një injorim i tmerrshëm të detyrimeve të shtetit për mbrojtjen e individit.

Nuk duhet të nisemi prej asaj se bëhet fjalë për krime që janë kryer shumë dekada më parë. Drejtësia për viktimat ka shumë rëndësi. Por pyetja më e rëndësishme është se si është gjendja aktuale në kisha dhe institucione kishtare. Sepse kanë marrë fund përfundimisht kohët, kur mund të mbështeteshe në vullnetin e mirë të kishës, se i mbron njerëzit që i janë besuar asaj, apo se bën një vlerësim të ndershëm të gabimeve të veta, transmeton Deutsche Welle.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit