13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Trembëdhjetë hapa në trajtimin e fëmijës tënd të druajtur.

Më të lexuarat

Trembëdhjetë hapa në trajtimin e fëmijës tënd të druajtur.

Pyetje: Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi ju!
Vajza ime aktualisht është gjashtë vjeçare. Ajo është në klasën e parë fillore. Që në moshën tre vjeçare ajo shkonte në kopsht me motrën e saj më të madhe, me të cilën ka një vit diferencë. Asokohe kur edukatorja e pyeste, ajo vetëm e shikonte dhe nuk i përgjigjej, ose i përgjigjej me një zë tepër të ulët. Ajo vijon të ketë këtë personalitet edhe sot e kësaj dite.
Të gjithë mësuesit kanë për të të njëjtën vërejtje, pra në prani të shoqeve të veta ajo nuk aktivizohet dhe nuk përgjigjet. Gjithashtu ata bëjnë vërejtje mbi faktin, se ajo nuk mbrohet dhe nuk kërkon të drejtën e saj, edhe nëse njëra prej shoqeve të saj merr prej saj diçka. Madje edhe në raportet e saj me njerëzit e tjerë, ajo është e ndruajtur, teksa me ne në shtëpi ajo flet me zë të lartë dhe është krejt normale.
Sa për informacion, babai i saj, që kur ajo ishte në kopsht bashkë me motrën e saj të madhe, i thoshte së motrës së saj: “Ki kujdes motrën!”. Ato të dyja, në shkollë janë bashkë, por motra e saj e madhe është një personalitet krejt i ndryshëm nga personaliteti i saj.
Shpresoj që përmes ndihmës suaj të vyer, të arrij të ndikoj tek vajza ime, që të bëhet e aftë të reagojë për të mbrojtur veten e saj si dhe të jetë e aftë të bisedojë me njerëzit, që janë të huaj për të.
Përgjigjet eksperti Sead Rijad:
Edhe mbi ty qoftë paqja, mëshira dhe begatia e Allahut…
E nderuar nënë… Përmes përshkrimit që ju i bënit vajzës suaj, është e qartë se ajo vuan nga disa simptoma të druajtjes, sidomos në rastin kur ajo sillet me njerëzit që janë të huaj për të.
Druajtja në vetvete është një artikulim, që bart kuptime të bukura por edhe kuptime të ligshta. Kështu, druajtja kur flasim për llojet e turpit, konsiderohet një gjë e nevojshme si në nivelin shoqëror ashtu edhe në atë fetar; pasi ajo tregon për një edukim të mirë. Por druajtja disa herë kalon në sëmundjen e quajtur “socialofobia-frika nga shoqëria”.
Shkaqe të druajtjes:
Ka një sërë shkaqesh, që çojnë në druajtjen ose frikën për të biseduar me të tjerët, prej të cilëve ndër më kryesorët përmendim:
– Neglizhimi i vlerësimit të fëmijës.
– Kritika dhe agresiviteti i ushtruar mbi fëmijën.
– Preokupimi i tepërt me fëmijën (llastimi).
– Tërheqja e shpeshtë e vërejtjes që i bëhet fëmijës, lidhur me njerëzit që janë të huaj për të, sidomos kur familja është jashtë atdheut të saj, siç është rasti i vajzës tënde.
– Tërheqja e vërejtjes dhe frikësimi që i bëhet fëmijës, lidhur me pasojat negative që vijnë, kur flitet në prani të personave të tjerë.
– Disa herë janë të pranishme edhe disa shkaqe të trashëguara; sikurse fakti se njëri prej dy prindërve të fëmijës, në vegjëlinë e tij ka qenë fëmijë i druajtur.
– Disa herë të tjera janë të pranishme edhe disa shkaqe fiziologjike apo biologjike, sikurse mosushqyerja e mjaftueshme e nënës gjatë periudhës së shtatzënisë, ose prekja e saj në këtë periudhë nga sfilitja fizike apo depresioni; gjëra këto që lënë gjurmë në sistemin nervor të fëmijës, i cili fillon të formohet dhe zhvillohet pikërisht përgjatë javës së gjashtë, pra me fillimet e shtatzënisë.
Disa mënyra kuruese:
Në vijim po të përmend disa mënyra, që me lejen e Allahut të ofrojnë ndihmë për zgjidhjen këtij problemi të vajzës tënde:
1. Evitoje shqetësimin e tepruar nga fëmija. Mos e tepro me mbikëqyrjen e fëmijës në çdo veprim të tijin, nën justifikimin e frikës që ke për të, sepse kjo e gjymton iniciativën e saj, e privon atë nga argëtimi, loja dhe hareja, si dhe e bën atë të mbyllet në vetvete.
2. Largoji nga fëmija ndjesitë e frikës dhe ndjesinë e humbjes së sigurisë, që e godasin atë si pasojë e destabilizimit familjar prezent, të cilin ti e përmendje në të dhënat e konsultimit.
3. Mos e favorizoni motrën e saj të madhe karshi saj dhe mos e lavdëroni motrën e saj tek të tjerët pa e lavdëruar edhe atë, pasi një gjë e tillë i shkakton asaj siklet si dhe e përforcon tek ajo ndjenjën e druajtjes.
4. Largojuni agresivitetit dhe sjelljes së vrazhdë me të, kur ajo bën ndonjë gabim; pasi kjo e bën atë të ndjehet e mangët në vetvete.
5. Përshkallëzimi në trajtimin e fëmijës dhe zbrazja e ngrohtësisë prindërore mbi të.
6. Prezantimi i vajzës me një numër sa më të madh njerëzish, të natyrave dhe tipave të ndryshëm. Një gjë e tillë i mëson asaj mbi shkrirjen e saj në jetën shoqërore dhe përzierjen me të tjerët.
7. T’i japim asaj besim në vetvete, përmes stimulimit, lavdërimit dhe pëlqimit të saj, kur ajo kryen ndonjë sjellje me vlerë, sidomos në gjërat që kanë të bëjnë me kontaktimin me të tjerët. Gjithashtu duhet bërë kujdes, që të mos detyrohet të bëjë gjëra që ajo nuk do.
8. Veprimet e saj nuk duhet të qortohen dhe ajo nuk duhet të përshkruhet me cilësi negative në sytë e të tjerëve, sidomos në sytë e moshatarëve të saj.
9. Mosmarrja parasysh për një kohë të caktuar, e disa prej sjelljeve të saj izoluese; kjo me qëllim që ajo të mos ndjejë se është nën monitorim, ose që kjo të mos shërbejë për t’i tërhequr vëmendjen asaj.
10. Përgatitja e një atmosfere dialogu, shpërndarja e roleve të individëve brenda familjes, shtimi i shoqërisë së saj dhe përforcimi i raporteve të saj me të afërmit. Të gjitha këto kurojnë shumë prej aspekteve të problemit në fjalë të fëmijës.
11. Përpjekja e racionimit (rrallimit) të kohëve, në të cilat fëmija mbetet e izoluar në vetvete, racionimi i kohëve të shikimit të televizorit, qëndrimit para kompjuterit dhe lojërave individuale; sepse mos racionimi i këtyre e shton edhe më këtë problem.
12. Angazhimi për të dalë me fëmijën në parqe, vende publike apo lojëra popullore. Të githa këto ndihmojnë në kurimin e këtyre sjelljeve.
13. Respektimi i posedimeve që vajza ka në shtëpi, sikurse lodrat dhe sendet e tjera të saj; mësimi i saj që të kujdeset për ta, të kërkuarit leje prej saj kur përdoret ndonjë nga lodrat e saj; të gjitha këto i mësojnë asaj që t’i mbrojë posedimet e veta.
Së fundi, e lusim Allahun e Lartmadhëruar, t’ju japë sukses dhe mbarësi, si dhe do donim të mbetemi në kontakt të vazhdueshëm, me qëllim që të marrim informacion mbi zhvillimet më të reja të vajzës suaj. 
Shpresoj nga Allahu i Lartësuar t’ju japë mbarësi dhe sukses.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit