Prishtinë, 23 dhjetor 2021
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ministrin e Kulturës, z. Hajrulla Çeku. Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje z. Çeku dhe më pas e njohu atë me punët dhe angazhimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe me sfidat që ballafaqohet ky institucion.
Myftiu Tërnava falënderoi ministrin Çeku për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm dhënë për ngritjen e institucioneve të Kosovës. Ai më pas tha se kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, duke veçuar kontributin e BIK-ut që në Kosovë të ketë qetësi, tolerancë dhe respekt ndërfetar.
“Bashkëpunimi dhe toleranca ndërmjet bashkësive fetare paraqet një faktor të stabilitetit në vend. Ne kemi jetuar pranë njërit – tjetrit, jetojmë me realitetin pa asnjë dallim e diskriminim mbi baza fetare”- tha Tërnava.
Nga ana e tij, ministri i Kulturës, z. Hajrulla Çeku, shprehu falënderime për pritjen dhe njëherësh përgëzoi Myftiun Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për kontributin e tyre që në Kosovë të mbretërojë paqja, respekti e toleranca ndërmjet besimeve dhe etnive të ndryshme.
Të dyja palët u dakorduan që edhe më tej të vazhdojnë bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të Kosovës.